Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mbi raportet e sotme shqiptaro-amerikane

“Marrëdhëniet bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës janë dëmtuar”, thotë diplomati amerikan, Philip Reeker, në një konferencë të mbajtur sot në Shkup, raportojnë mediat. Kurse në Prishtinë, pikërisht për këtë temë, vazhdojmë të dëgjojmë rrëfime e vlerësime krejt të kundërta. Vazhdojmë të dëgjojmë kukurisje të gjithfarshme, njerëz që flasin me “kompetencë” në emër të Amerikës dhe për tema e interesa gjeostrategjike. Vazhdojmë të dëgjojmë rrëfime idilike për raporte të shkëlqyera mes Kosovës dhe Amerikës, duke përgënjeshtruar vetë qëndrimet amerikane.
Por, kujt duhet t’i besohet më shumë?
Udhëheqësit e Kosovës nuk u besojnë as fjalëve të tyre, të cilat i ndërrojnë sa herë ndërrojnë stinët, le më të atyre që vijnë nga Amerika, prandaj edhe nuk u kushtojnë rëndësi deklaratave që u vijnë nga jashtë, në këtë rast nga Amerika.
Ashtu kështu, shoqëria jonë, ka kohë që e ka humbë sensin për pushtetin e gjuhës dhe fjalës publike, në ç’fushë është treguar foshnje e llastuara, që nuk njohin kufij.
Kurse mua më duket se, përballë këtyre thirrjeve, ne jemi përballë një skene të madhe dhe krejt lakuriq. Me mendimet tona të shkreta dhe qëndrime të verbra, që shpeshherë duken idiote.
Po, reagimet e Prishtinës përballë thirrjeve amerikane, mund të shpjegohen përmes përrallës “Rrobat e mbretit”.
Ne mund të mendojmë se jemi veshur bukur, me petka të mira dhe po shkëlqejmë, madje, edhe mund të krekosemi për “shkëlqimin” tonë, ashtu siç jemi krekosur tash e sa vite me marritë tona, por dijeni jemi të mashtruar, sepse jemi krejt lakuriq.

Please follow and like us: