Albspirit

Media/News/Publishing

KUVENDI ALBANOLOGJIK, NJË OGUR I MIRË PËR SHQIPËRINË

 

Dr. Stefan PINGULI

Në këto ditë të bukura pranvere në Tiranë, në kryeqytetin e Shqiptarëve na mbledh sot së bashku albanologjia, thesari më i ndritur i krijuar nga populli ynë ndër shekuj. Pjesëmarrja e gjërë kombëtare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora si dhe e miqve të nderuar studiues e albanologë ndërkombëtar është me rëndësi të madhe kulturore e shkencore. Më lejoni t’ju falenderoj të gjithëve thellësisht nga zemra për praninë tuaj në këtë Kuvend Albanologjik si dhe për ndihmat tuaja të çmuara që do jepni gjatë zhvillimit të punimeve të tij. Tre pyetje janë të natyrshme t’ia bëjmë vetes qysh në fillim: Përse Kuvend Albanologjie? Përse në Tiranë? Përse në këtë kohë?

Lidhur me pyetjen e parë, përse albanologjia? Albanologjia është vetë Kombi dhe populli shqiptar. Mund të themi pa ngurim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht se albanologjia është thesari më i çmuar i popullit tonë, është energjia e bashkuar më e dukshme identitare e tij, është patenta kombëtare e trashëgimisë të së kaluarës, e vlerave më të ndritura të së sotmes dhe garancia më e madhe dhe e sigurt e për sfidat e të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë, është ndihma më e vyer e Kombit dhe popullit shqiptar në thesarin e kulturës botërore.

Albanologjia ka qënë objekt studimesh prej shekujsh, nga dijetarë, studiues e shkencëtarë nga trevat shqiptare dhe të huaj. Me këtë rast shprehim vlerësimin tonë më të lartë për të gjithë ato që i ndihmuan studimeve albanologjike, pavarësisht nga koha, vëndi dhe qasja e tyre shkencore. Të gjithë janë të kujtuar dhe të respektuar në këtë Kuvend Albanologjik. Të gjithëve u shprehim homazhet tona më të thella dhe mirënjohjen më të lartë. Bazuar mbi këtë trashëgimi historiko-teorike albanologjike ndër shekuj, Kuvendi Albanologjik synon që të avancojë, të zgjerojë dhe të thellojë akoma më tej studimet në këtë fushë, në dritën e burimeve të reja, të qasjeve moderne dhe të metodave më të përparuara kërkimore e shkencore.

Lidhur me pyetjen e dytë, përse në Tiranë? Mund të themi pa ngurim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht që Tirana është kryeqëndra e Kombit dhe e popullit shqiptar. Në kryeqëndën tonë gërshetohen më shumë se kudo gjetkë vlerat e trashëgimisë albanologjike dhe arritjet e kulturës moderne, shpalosjet identitare dhe shumëllojshmëritë metropolitane, bashkëjetojnë historia dhe ardhmëria, antikiteti dhe moderniteti, kapitali human dhe zhvillimi teknik e teknologjik, njeriu shqiptar dhe qytetari europian, tiparet lokale dhe fizionomia globale. Tirana është vëndi më i përshtatshëm, më i drejtë dhe më i dobishëm për zhvillimin e Kuvendit Albanologjik që po hapim sot.

Lidhur me pyetjen e tretë, përse në këtë kohë? Mund të themi pa ngurim dhe të dakordësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht se momenti historik që po kalon Kombi e populli shqiptar thërrasin albanologjinë në krye të agjendës sonë kombëtare, fqinjësore, Ballkanike, Evropiane dhe globale. Në rafshin kombëtar dilemat e brëndshme kulturore e shkëncore, qytetare dhe intelektuale, qasjet diverse dhe kontraverse e rivendosin albanologjinë sërish në tryezat e debatit tonë të brëndshëm kulturor e shkencor, akademik dhe mbarëpopullor. Ky debat duhet nxitur e zhvilluar sepse i kontribuon ndriçimit të identitetit tonë kombëtar dhe lartësimit të imazhit të tij ndërkombëtar të botës.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një sërë problemesh me fqinjët e tyre, një pjesë e të cilave kanë karakter të mirëfilltë kulturor e shkencor. Problemet tona me fqinjët në rrafshin kulturor e shkencor, tezat e hipotezat e trashëguara dhe bashkëkohore presin të adresohen me kapacitet dhe kualitet të lartë, me qartësi dhe seriozitet, pa komplekse superioriteti e inferioriteti, pa paragjykime dhe pa fobi. Albanologjia e studiuar dhe ndriçuar shkencërisht është arma më e fuqishme e shqiptarëve në betejat kulturore e shkencore me fqinjët në Ballkan. Luftrat në Ballkan kanë mbaruar, por betejat kulturore dhe shkencore vazhdojnë. Ato janë sfidat e së ardhmes.

Agjenda madhore e shqiptarëve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian e bëjnë emergjente ndriçimin e albanologjisë si thelbi kulturor identitarë i shqiptarëve. Shqiptarët frymezohen të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Por, Bashkimi Evropian nuk është një tërësi republikash bananesh, por është një bashkim i ngritur mbi vlerat e përbashkëta dhe individualitetet identitare, është uniteti në shumellojshmeri, është harmonia në larmi, është bashkëjetesa në paqe dhe demokraci midis Kontinentit Evropian dhe kombeve të tij. Albanologjia është profili ynë më i spikatur dhe më origjinal, me të cilin shqiptarët mund të ndihmojnë dhe njëkohësisht të garojnë në familjen e përbashkët të vlerave të Bashkimit Evropian.

Përballja më sfidante për shqiptarët si një Komb dhe popull i vogël është globalizmi. Globalizmi si rend botëror dhe globalizimi si tendencë e zhvillimeve të mileniumit të ri nuk i zhdukin identitetet kombëtare, por rrisin hapjen, ballafaqimin dhe garueshmerine ndërmjet tyre. Perparesite dhe pengesat e globalizimit nuk përballohen me mëndje të mbyllura, me politika autarkike, me modele nacionaliste dhe frymë populiste, me sjellje recidiviste dhe izolacioniste. Përkundrazi, përparësitë dhe pengesat e globalizmit përballen me mendje të hapura, me politika përbashkuese, me sjellje ballafaquese dhe aftësi garuese vlerash. Albanologjia është patenta më e sigurt, më cilësore dhe më garuese e shqiptarëve në rendin globalist të mileniumit të ri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kuvendi Albanologjik ka një agjendë të larmishme dhe të pasur, si vetë albanologjia. Me qëllim që të krijojmë një hapsirë kohore dhe mjedisore të mjaftueshme për ndihmësit në këtë Kuvend për të trajtuar fushat kryesore të albanologjisë dhe çështjet specifike të çdo fushe është menduar nga Komisioni Organizator që Kuvendi Albanologjik të zhvillohet në dy seance plenare, një në hapje dhe një në mbyllje të tij, si dhe në disa seanca të organizuara në seksione të specializuara. Ndërkohë, me qëllim që ndihmesat e gjithë pjesëmarrësve në këtë Kuvend Albanologjik të mbeten si vlerë e shkruar në fushën e albanologjisë, një Komision botues është ngritur dhe do kujdeset që të mbledhë dhe të përgatisë me kujdesin e merituar botimin e tyre në një përmbledhje të veçantë.

Dhe tani kam kënaqësinë që Kuvendin e Albanologjisë ta deklaroj të hapur, duke i uruar suksese të plota dhe mbarëvajtje të punimeve të tij.

 

 

Please follow and like us: