Albspirit

Media/News/Publishing

Janar 2020/Kur Kadare merrte titullin ‘Oficer i Madh i Legjionit të Nderit’ në Francë

Janë vetëm 250 të tillë në Francë dhe një prej tyre nga sot është shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Me dekret të posaçëm nga Presidenti i Francës – Emmanuel Macron, Kadare shpallet ‘Grand Officier de la Legion d’Honneur’, pasi fitoi titullin ‘ Komandant i Legjionit të Nderit’ në vitin 2016.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem.

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj.

Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja “HONNEUR” (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand’Croix (Kryqi i madh).

Kadare është nderuar me një mori çmimesh prestigjioze ndër vite duke përfshirë çmimin botëror Cino del Duca në 1992, çmimin ndërkombëtar Manual Booker në 2005, çmimin Princi i Asturias në 2009, çmimi i Jerusalemit, çmimet ndërkombëtare Neustadt dhe Pak Kyongni në 2019.

Kadare vlerësohet gjerësisht si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj evropianë të shekullit 20 dhe shkrimet e tij janë përkthyer në rreth 20 gjuhë në botë. Titujt e tij më të njohur në anglisht përfshijnë The General of the Dead Army, Siege, Chronicle In Stone, Broken April, Palace of Dreams and The File on H.

https://www.livreshebdo.fr/article/legion-dhonneur-ismail-kadare-et-madeleine-chapsal-parmi-les-promus-du-1er-janvier

 

Please follow and like us: