Albspirit

Media/News/Publishing

KADARE, DUA LIPA DHE ‘ZDRALI’ I INTELEKTUALIZMIT SHQIPTAR

Fadil Sahiti
Kam vënë re se në vigjilje të dhënies së çmimit Nobel, fushata kundër Kadaresë rishfaqet më fuqishëm dhe bëhet më e paskrupullt. Në këtë diskurs antikadarean, më të zëshmit janë ata që përfaqësojnë llumin, zdralin, vulgun e intelektualizmit shqiptar. Dhe ky grup njerëzish nuk është i vogël, madje besoj se përfaqësojnë intelektualin tipik shqiptar. Dhe intelektuali tipik shqiptar është intelektuali mediokër, smirëzi, i paemancipuar, provincial, keqbërës, mashtrues, që shet nderin dhe dijen e tij për një cigare duhani. Ky është intelektuali tipik shqiptar, vizioni i të cilit nuk shkon përtej mëhallës së tij.
Pardje (17 tetor) kam përcjellur një fjalim të këngëtares shqiptare Dua Lipa, mbajtur para publikut londinez me rastin e shpërndarjes së çmimit më të madh letrar britanik, The Booker Prize 2022. Personalisht nuk jam adhurues i muzikës së Duas. Jo pse muzika e saj është e pavlerë, por kjo është çështje shije; ndoshta është problem brezash. Megjithatë, fjalimi i saj ishte mbresëlënës, për t’u admiruar. Dua e tha pa mëdyshje se është shqiptare dhe ndihet krenare për këtë. Ajo e elaboroi më tej mendimin e saj. Ndonëse jo drejtpërdrejt, ajo theksoi se ndihet krenare që është bashkëkombëse me Ismail Kadarenë, romanet e të cilit (sidomos Kështjella) kanë frymëzuar njerëzit në mbarë botën, veçanërisht shqiptarët, të luftojnë për lirinë e tyre.
Sigurisht, është absurde të besohet se ky fjalim nuk është miratuar paraprakisht nga organizatori. Kjo tregon respektin e madh që lexuesi në Britani ka për veprën e shkrimtarit tonë. Është vlera artistike e veprës që Kadaresë iu dha ky çmim prestigjioz. Kadare, vepra e tij admirohet nga bota, por jo nga vetë shqiptarët. Në ato pak rrethe akademike që kam kontaktuar gjatë kohës kur jetoja dhe punoja në Londër, kam kuptuar se i vetmi intelektual shqiptar që njeh bota akademike është Ismail Kadare.
Është e turpshme sa pak bëjmë ne si komb, si komunitet intelektualësh dhe akademikësh për të promovuar veprën e Kadaresë. Është e turpshme sa pak bëjmë për ta mbrojtur këtë ikonë të letërsisë sonë nga sulmet e lloj-lloj zdralani. Popuj të tjerë kanë ngritur në institucione figura të ngjashme si Kadare. Raste të tilla ka kudo në botë. Në Angli ka institute, katedra, organizata të ndryshme, qëllimi i të cilave është promovimi i personaliteteve intelektuale, si Instituti Shakespeare në Birmingham, apo Instituti Goethe në Gjermani. Raste të ngjashme ka kudo në botën e qytetëruar.
Është mirë që promovimin e personaliteteve tona kombëtare dhe veprave të tyre e bëjnë personalitete si Dua Lipa, por ka ardhur koha që kjo të bëhet institucionalisht. Sa më shpejt, aq më pak ‘zdralana’ do të kemi në tregun tonë intelektual.
Please follow and like us: