Albspirit

Media/News/Publishing

Altin Basha: In memoriam, dr. Drini Dobi!

Regjisor Altin Basha u intervistua nga gazetarja Rita Kokaj, si pjesë e dokumentarit, ‘‘Dr. Drini Dobi- Kalorësi i së mirës”, prodhim i RTSH-së. Një dokumentar homazh për bluzat e bardha që humbën jetën gjatë pandemisë Covid -19.

R. Kokaj: Kanë kaluar, dy vjet që kur OBSH-ja e shpalli si pandemi përhapjen Covid-19. Dy vjet më vonë, më shumë se 6 milionë njerëz kanë humbur jetën…

A. Basha: Ne mund ta konsiderojmë veten të mbijetuarit e pandemisë. Njerëzit që humbën jetën për shkak të pandemisë, kam ndjesinë sikur na i morën. Ikën në mënyrë të padrejtë, të pabesë. Nuk duhet të harrojmë:rrezikojmë jetë të tjera, duke e konsideruar pandeminë të tejkaluar. Dua të nënvizoj në prag të dy vjetorit të ndarjes nga jeta të Dr. Drini Dobit, rrezikun e paralajmëruar nga OBSH, se ende kjo luftë nuk mund të quhet e përfunduar, “pa përfunduar gjithkund”.

R. Kokaj: Në tunelin e errët të pandemisë, mjekët u bënë drita që luftonte me errësirën,..

A. Basha: Covid-19 tregoi se, pavarësisht gjithë tronditjeve të vlerave të shkaktuara nga ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe politike, komuniteti ende çmon si të pazëvendësueshme vlerat njerëzore. Mjekët dëshmuan se megjithë ankthin, frikën, pasigurinë, tensionin dhe rrezikun e drejtprdrejt për jetën, ata nuk u ndalën së shërbyeri njerëzve.. Ne nuk patëm mundësinë e plotë që t’u bënim nderimin të paktën, ashtu siç e merituan. E vlerësoj shumë këtë mundësi të flasim për këta njerëz të cilët ja dedikuan jetën shërbimit të shëndetit të të tjerëve. E pakta që ne mund të bëjmë është të flasim për këta njerëz dhe t’u tregojmë qytetarëve të Shqipërisë se cilët janë ata. Është një super detyrë që këtë model të njeriut dhe të profesionistit të mundohemi t’ia imponojmë shoqërisë si modelin më të mirë të mundshëm që ajo mund të prodhojë,për të qënë edhe ne një shoqëri e zhvilluar dhe e emancipuar europiane. Në mënyrë të pasdikutueshme, mes këtyre shërbestarëve, Dr. Drini Dobi, është një personazh me një profil të lartë e të jashtëzakonshëm.

R. Kokaj: Dr.Drini, Drini i të gjithëve,..

A. Basha: Edhe unë dhe bashkëshkortja ime kemi qënë pacientë të doktor Drinit. Kur ne kemi pasur nevojë për ndihmën e tij mjekësore, ka qënë shpejtësia por edhe kuadratimi i saktë, i qartë i problematikës për t’i vënë më pas diagnozën. Dhe jo gjithmonë na ka mjekuar, se jo gjithmonë kemi pasur nevojë për medikamente. Unë kisha nevojë për asistencë. Bashkëshortja ime kishte një problem të postpartumit, pas lindjes, vuante nga pagjumësia. I kërkova ndihmë mikut tim Sokol Xhepës, kirurg vaskular në QSUNT, dhe ai më tha: -“Te Drini, te dr. Drini, shko”,.. Tek Drini, pa diskutim. Shkuam. Kam parasysh ato korridoret e neurologjisë. Përshtypja e parë ishte pozitiviteti, mikpritja, shpejtësia me të cilën bënte pyetjet,.. Iliriana nuk e kuptonte mirë se ishte shumë i shpejtë në të folur. Ai sikur nuk kishte kohë! Do t’i kthehem përsëri këtij argumentit, “Ai sikur s’kishte kohë”,.. -“Mund të jap ilaçe, por mund ta kalosh dhe pa ilaçe këtë situate”, dhe i shpjegoi Ilirianës problemtikën që kishte. Në fakt ashtu ndodhi. Në bazë të këshillave të dr. Drinit e tejkaloi problemin që e mundonte prej kohësh( s’po vinte gjumë në sy) dhe them se këshillat e tij, ishin mjekësi më vete. Ne sigurisht brenda vetes kemi frikën se diçka mund të na ndodhë për shkak të shëndetit. Për çështjet e fushës së tij, kishim Drinin. Kemi pasur një mik të mirë, një mjek tek i cili jemi mbështetur
kur kemi pasur nevojë. Kemi rekomanduar miq e të njohur të tjerë që të shkonin tek Drini, për shkak të sigurisë së pari. Ata me siguri te dr.Drini, do të gjenin një zgjidhje të problemit të tyre, së dyti do të gjenin një vesh që do t’i dëgjonte, sepse sigurisht që në kohët tona ekziston mundësia që një diagnozë, jo e mirë të mos e zgjidhi problemin. Tek Drini, kishim garanci absolute, sidomos për gadishmërinë njerëzore dhe pozitivitetin. Këto ishin vlera, vlera jo vetëm profesionale, por humane. Është sigurisht e rëndësishme për mjekun mesazhi që përçon tek pacienti, mbi të gjitha siguria, se problem i tij do të tejkalohet, nuk ka asgjë të pa tejkalueshme. Kështu që prej Dr. Drinit, kemi qenë të mirëpritur dhe të sigurt, “Problemi do të tejkalohet, do bëhesh mirë, nuk ka asgjë të pa tejkalueshme” –thoshte, si për rastin tim. Nëse flasim për betejën me vdekjen që ka bërë, tek pavioni i strokut dhe me mijëra herë, me mijëra jetë të shpëtuara, niveli, cilësia e tij, dimensionet e tij shkencore dhe profesionale janë në maksimum. Mendoj që kjo është vlera më e madhe që ai ka lënë dhe në fakt është ajo që një mjek duhet të bëjë në jetën e tij. Sfida mbi vdekjen dhe fitorja mbi të, në të mirë të humanizmit dhe në të mirë të jetës së pacientit.

R. Kokaj: Thamë,”Ai sikur nuk kishte kohë”…

A.Basha: Po, po i kthehem përsëri argumentit “Ai sikur s’kishte kohë”! Nxitohej, për të ndihmuar sa më shumë njerëz që ishte e mundur,.. Sikur e dinte se koha e dhënë nga “përcaktuesi” do të ishte e pamjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë që kishte marrë përsipër në momentin e betimit. Sot dy vjet pas ndarjes nga jeta them me bindje se Dr. Drini Dobi aq sa kishte jetë, pati parasysh porosinë e Nënë Terezës, “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde. Jep, jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën”! Këtë, Dr. Drini Dobi e përmbushi si një shëlbues i vërtetë. De në fund, do të doja që mjekët e rinj t’i afrohen sa më shumë modelit të njeriut dhe të mjekut Drini Dobi/M.T/dritare.net

Please follow and like us: