Andrea Gudha: Energjia muzikore
“Muzika është një mikrounivers, që i nënshtrohet ligjeve të natyrës”
Formulë interpretative:
- Em = (m +h) x r
- Em² = (m +h + mlive) x r
Hyrje
Pitagora (shek. V-të p.e.s.), duke zbuluar lidhjen midis muzikës dhe numrave, teorizoi idenë e një universi (yjet, galaktiktë, planetet) ku, rrotullimi i planeteve në hapësirë u lidh me tingujt qiellorë të quajtur “Harmonia e Sferave”.
Muzika, megjithëse është krijim i njeriut, ndërtohet mbi ligjësitë, që gjënden edhe në natyrë: ritmi lidhet me ritmet biologjike dhe kozmike, harmonia me marrëdhëniet propocionale dhe melodia me organizimin e tingujve sipas rregullsive të perceptimit njerëzor.
Në Evropën mesjetare u shkruan notat muzikore moderne (Guido d’Arezzo, shek. i XI-të). Ottaviano Petrucci (shek. XV-të) ideoi një sistem shtypshkrimi të përshtatur për muzikën në pentagram, partitura, me të cilin filloi të botonte muzikë.
Shënim: Pas shekullit të XV-të, terminologjia e përdorur në muzikë dhe në mjekësi është latinishtja, duke patur shumë fjalë të përbashkëta!
Kompozitorët e mëdhenj të kohës si Vivaldi, Paganini, Bach, Verdi, Bethoveni, Vagner etj, filluan të shkruanin muzikë të ndryshme, pjesë vokale dhe instrumentale, opera, marshe, himne etj, që shërbenin si ushqim shpirtëror dhe frymëzues për njerëzit: me ndikim masiv kulturor, në sjellje, në stilin e jetesës dhe deri në revolucion si: “Va, Pensiero” nga opera Nabucco, “Odë e gëzimit” nga Simfonia Nr. 9,“Marsejeza”…
Pas viteve 1960, djaloshi Elvys Presli në Amerikë dhe grupi i djemve ‘Bitëllsat’ në Angli, me muzikën e tyre me rrymën muzikore Roch-Bluz shkaktuan lëvizje të fuqishme sociale mbarëbotërore, veçanërisht tek rinia, pa dallim race e kombësie.
Jim Morrison, vokalisti karizmatik dhe tekstshkruesi kryesor i grupit Rock Doors, thërret fort: -Një ditë edhe lufta do t’i përkulet tingujve të një kitareje-.
Në koncerte të mëdha me audiencë 40.000 – 70.000 pjesëmarrës, koncerti shkakton: frymëzim, emocion, gëzim, ëndërrim, shpresë, dashuri, afeksion, përjetim. Pjesëmarrësit, pa u njohur me njeri-tjetrin, bashkohen, “salla e elektrizuar”, lëvizje të duarve dhe të gjithë trupit, britma, klithma me ovacione pafund…deri në ekstazë, “histeri kolektive”.
Pyetjes, se çfarë efekti kanë koncertet Rock mbi turmat pjesëmarrëse?
Libri “Music and the Mind” i përgjigjet:
“Nuk ka asnjë dyshim se, duke u dhënë zjarr emocioneve të turmës dhe, duke bërë që, këto emocione të arrijnë kulmin sëbashku, muzika mund të ndikojë fuqishëm në humbjen e gjykimit të shëndoshë, në dorëzimin e verbër ndaj ndjenjave të çastit, gjë, që është një karakteristikë kaq e rrezikshme e sjelljes së turmave”.
Nëqoftëse, në këto çaste, pjesëmarrësve (audienca) do t’iu maten disa parametra mjekësorë si: analizat bio-kimike, rrahjet e pulsit, TA, EKG, EEG, MRI /RM, etj, do të vëmë re ndryshime të thella bio-mjekësore, elektro – fiziologjike dhe imazherike në organizmin e njeriut.
***
Nga buron fuqia universale e muzikës?
Elementet bazë të Muzikës janë: Melodia, Harmonia dhe Ritmi.
Melodia i jep muzikës identitetin emocional.
Harmonia i jep thellësi dhe ekuilibër.
Ritmi i jep lëvizje, puls dhe jetë.
Ritmi gjallëron dhe dinamizon marrëdhënien midis melodisë dhe harmonisë!
Melodia është më thelbësorja ndër elementet e muzikës.
Aftësia melodike është një dhunti (melosi) i krijuesit popullor ose kompozitorit që, “shpirtin”, frymëzimin, ndjenjat, emocionet i derdh në nota muzikore në pentagram.
Melodia është gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme në kohë dhe në hapësirë, me ngritje dhe ulje të tonalitetit, notat lartë, notat poshtë, “creshendo”, “pianissimo”, pauza….
Modaliteti, tonaliteti, polariteti në një pjesë muzikore janë elemente të përkohshme, ndërsa, ajo, që mbijeton është melodia.
Melodia e një pjese muzikore nuk zhduket dhe as nuk humbet, por transmetohet dhe transformohet, “përpunohet” nga një formë muzikore në tjetër, nga një zhanër muzikor në tjetër, nga brezi në brez, pa fundësisht…!
Në muzikë, harmonia është kombinimi i tingujve të ndryshëm për të krijuar ide të reja, të dallueshme muzikore si melodia, timbri dhe forma.
Stravinski (kompozitor rus, shek. XX-të) citon:
“Diapazoni harmonik i kozmosit” është LA minor. Kjo risi volumetrike na bën të kuptojmë se si “kozmosi e koncepton dhe e kupton muzikën” në një nivel më të lartë se ne, sepse, “nota”, që ai luan nuk është thjesht një notë, por një “akord” me një tonalitet të caktuar, atë minor. Ndërrimi i tonaliteteve minore dhe maxhore mund të krahasohet me lëvizjen e sistolës dhe diastolës, që animon dhe e bën të frymojë të gjithë universin-
Interesant! Akordimi i një instrumenti, p.sh. akordimi i pianos është tingulli La i diapazonit por, dhe gjithë instrumentat e orkestrës simfonike para koncertit, akordohen në bazë të notes La të violinës spalë!
Muzika nuk është vetëm tingull dhe melodi.
Muzika, me të gjithë elementet kryesorë të saj, si: Toni (melodia dhe harmonia) dhe Ritmi (tempo, metri, artikulimi, dinamika), është një ndërthurrje e brendshme e harmonisë me matematikën, fizikën dhe kiminë.
Pentagrami është i mirë organizuar me notat, masat dhe shenjat muzikore, me një përllogaritje matematikore shumë të saktë.
Në krye të pentagramit: çelësi muzikor (çelësi i solit, çelësi i basit, çelësi i altit), koha (4/4 – 1/16), tonaliteti maxhor, minor dhe, i pasuruar me simbolet: shenjat dinamike, shenjat e ngjyrimit, shenjat e shartimit (#, b), shenjat e përsëritjes, tempo, ritmi, metri, goditjet, theksi, sinkop, triolet, stakato, legato, vijat ndihmëse për notat lart dhe poshtë pentagramit etj.
Pentagrami është i ndarë në masa muzikore me ndarje të barabarta, me lëvizje të barabarta dhe, jo të barabarta.
Nota muzikore është njësia bazë e masës muzikore, siç është qeliza në organizmin e njeriut.
Nota muzikore në pentagram është e dukshme, shkruhet dhe lexohet, por, kur interpretohet në një instrument muzikor, nota prodhon tingull, i cili shndërrohet në valë zanore. Këto valë bartin energji mekanike dhe përhapen në mjedis si tingull muzikor.
Në aspektin e fizikës, tingulli muzikor është një valë mekanike, që përhapet me shpejtësi, duke vënë në lëvizje grimcat e mjedisit ku përhapet. Shpejtësia e valëve mekanike varet ekskluzivisht nga vetitë elastike dhe dendësia e atij mjedisi ku përhapet, p.sh. në organizmin e njeriut.
Energjia mekanike e tingullit, apo e tingujve muzikorë (akordit) është në vartësi të shpejtësisë së lëvizjes të grimcave në hapësirë dhe në kohën muzikore.
Energjia mekanike e tingullit, apo e tingujve muzikorë (akordit) është në vartësi nga shpejtësa apo ngadalësimi i ritmit muzikor në pjesën muzikore p.sh. “Allegro” energjia mekanike shtohet, kurse “Adagio” energjia ulet.
Ritmi muzikor (nën diktimin rigoroz të metronomit, dirigjentit), shumëfishon shpejtësinë apo ngadalësimin si, dhe, forcën e energjisë muzikore.
Shënim: Ritmi muzikor i orkestrës duhet të jetë në sinergji të plotë me ritmin kardiak të njeriut: zemra e njeriut rreh me një ritëm të caktuar, që mund të shprehet muzikalisht me kohën muzikore ¾.
Në substancën e muzikës qëndron Energjia muzikore.
Energjia muzikore lind nga bashkëveprimi i melodisë dhe harmonisë, ndërsa ritmi vepron si elementi dinamik, që e organizon dhe e fuqizon këtë ndërveprim.
Vetëm nga marrëdhëniet e ngushta dhe në ndërthurrjen organike midis melodisë, harmonisë dhe ritmit lind ajo forcë shprehëse e muzikës, që quhet Energji muzikore.
Energjinë muzikore, në ndërthurrjen organike midis melodisë, harmonisë dhe ritmit, në mënyrë metaforike, mund ta shprehim me formulën interpretative:
- Em = (m +h) x r
- Em² = (m +h + mlive) x r
Em = Energjia muzikore
m= melodia
h = harmonia
r = ritmi
mlive= muzikë live
Muzika live e dyfishon fuqinë e energjisë e muzikore (Em²)!
Shembulli më i mirë i marrëdhënieve perfekte të melodisë, harmonisë dhe ritmit në një pjesë muzikore, mendoj se, është “Bolero” (1928) e M. Ravel. “Bolero” ku, 8 masa muzikore përsëriten 18 herë rreth temës kryesore për 17 minuta, me alternime harmonike dhe orkestrale, duke kaluar nga tonaliteti maxhor në minor, me shumëngjyrësi të instrumentave muzikorë: nga një instrument frymor në tjetrin nën shoqërimin e tamburit.
***
Muzika në trupin e njeriut
Në aspektin filozofik, energjia muzikore nuk është një madhësi e matshme me instrumente, por një cilësi, që lind nga marrëdhënia midis veprës muzikore dhe ndërgjegjes njerëzore, që bën të mundur efektin terapeutik.
Trupi i njeriut gjeneron një shumëllojshmëri tingujsh, të cilët, nëqoftëse janë në harmoni të plotë dhe luajnë një “melodi të gjallë”: tregon se trupi është i shëndoshë. Nëqoftëse tingujt janë të stonuar, tregojnë që, diku, në “orkestrën” e trupit një “instrument” po luan i çakorduar: tregon se trupi është i sëmurë.
Në Kinën e lashtë, kinezët përdornin 100 lloje të Muzikoterapisë. Sipas tyre, një tingull muzikor ndikon në një organ të caktuar në trupin e njeriut.
P.sh. Nota “Do” ndikon tek zemra, nota “Re” tek mëlçia, nota “Mi” tek shpretka, nota “La” tek veshka, nota “Sol” tek mushkëria.
Nëse muzika është mjeti, atëhere, energjia muzikore është forca që e bën atë të veprojë terapeutikisht në organizmin e njeriut.
Valët mekanike të tingullit muzikor janë bartëse të energjisë fizike, ndërsa, në organizmin e njeriut kjo energji shndërrohet në procese neurobiologjike, biokimike dhe emocionale, duke u përjetuar si energji muzikore, që mund të ndikojnë në gjëndjen funsionale të organizmit.
Stravinski citon: “Muzika, si vibracioni i thellë, gjeneron gjithë qënien e organizmit të njeriut, si lidhje e pandashme midis energjisë dhe materies, në bazë të frekuencës së vibracionit dhe ritmit”.
Ndikimi i energjisë së tingullit muzikor në efektet biologjike, varet nga frekuenca, intesiteti, kohëzgjatja e ekspozimit dhe mënyra, se si, sistemi nervor i përpunon këto sinjale.
Në aspektin bio-kimik, energjia e tingullit muzikor nuk shndërohet drejtpërdrejt në energji kimike, por ndikon në proceset bio-kimike të organizmit.
Ajo vepron si një stimul biologjik që modulon aktivitetin nervor dhe proceset neurokimike të organizmit, duke ndikuar në gjëndjen emocionale, mendore dhe fiziologjike të njeriut.
Veshi (aparati dëgjimit) është organi i parë i trupit që, bie në kontakt me tingullin muzikor. Valët mekanike të tingullit përhapen në ajër dhe transferojnë energji mekanike te veshi.
Tingulli muzikor me anë të neuroreceptorëve dhe neurotransmetuesve dhe, me presionin e valëve mekanike, arrin në kokle (veshi i brendshëm) ku, qelizat me qime i shndërrojnë ato në impulse nervore.
Nga aparati i dëgjimit, nëpërmjet nervit të dëgjimit, valët mekanike të tingullit shndërrohen në sinjale bioelektrike, duke ngarkuar sistemin nervor qëndror dhe korteksin e trurit.
Truri është porta biologjike nga, e cila, hyjnë me presion sinjalet e tingullit muzikor nëpërmjet valëve mekanike.
Në të dy hemisferat e trurit ka rrjete të shumta nervore, që analizojnë impulset e valëve mekanike të tingujve muzikorë si melodi, harmoni, ritëm, timbër dhe ndjesi, dhe, informacioni i përpunuar, nëpërmjet neuroreceptorëve dhe neurotransmetuesve, shpërndahet në të gjithë trupin, duke i dhënë kështu muzikës fuqinë për të ndikuar në të gjitha sistemet e organizimit të njeriut: sistemi hormonal, neurovegjetativ, endokrin, kardiovaskular, muskular, etj.
Shpejtësia e tingujve muzikorë në trupin e njeriut është më e madhe se shpejtësia e tingujve në ambientin e jashtëm (ajër), sepse organizmi i njeriut përbëhet nga lëngje, inde, kocka.
P.sh. në ajër, në temperaturën rreth 20°C, shpejtësia e tingullit është afërsisht 343m/s, kurse në trupin e njeriut tingulli përhapet më shpejt në kocka (rreth 3500 – 4000 m/s), kurse në indet e buta dhe në lëngjet (si gjaku apo uji) shpejtësia është më e ulët (rreth 1450 – 1550 m/s).
Energjia muzikore dhe zemra.
Ndikimi i energjisë muzikore në ritmin e zemrës (për shembull takikardia ose ngadalësimi i rrahjeve) shprehet kryesisht përmes proceseve elektrofiziologjike.
Zemra punon fal impulsive elektrike, të cilat modulohen nga sistemi nervor autonom. Muzika mund të ndikojë në këtë sistem, duke ndyshuar frekuencën dhe ritmin e rrahjeve.
Energjia muzikore dhe hormonet.
Ndikimi i muzikës në sistemin hormonal realizohet kryesisht përmes proceseve biokimike.
Dëgjimi i muzikës mund të ndikojë në çlirimin e hormoneve të kënaqësisë dhe të lumturisë si: Endorfina, Dopamina, Oksitocina si dhe, Serotonina, që ndihmon në qetësinë, në kontrollin e trishtimit dhe të ankthit.
Këto janë ndyshime kimike në organizmin e njeriut.
Këto procese nuk janë të ndara plotësisht. Ndyshimet elektrofiziologjike, nervore dhe biokimike bashkëveprojnë vazhdimisht në organizëm.
Pikërisht, kjo e bën ndikimin e muzikës kaq kompleks dhe interesant!
Shënim. Tek adoleshentët, efekti i energjisë muzikore është zakonisht më i theksuar, sepse organizmi ndodhet në një fazë të zhvillimit intensiv neurobiologjik, hormonal dhe psikologjik. Për këtë arsye, muzika mund të ushtrojë një ndikim më të fortë në emocionet, ritmin e zemrës, aktivitetin e trurit dhe formimin e personalitetit.
Efektiviteti pozitiv apo negativ i energjisë muzikore në trupin e njeriut varet dhe nga performanca muzikore, e cila varet nga:
- Muzikanti: Energjia e tingullit muzikor “pasurohet” me teknikalitetin dhe me muzikalitetin, “ëmbëlsinë” e tingullit nga muzikanti.
- Pjesa muzikore: melodia, harmonia, ritmi, orkestracioni, niveli artistik instrumental/vokal i lojës së muzikantëve, teksti apo libreti i ndjerë, muzika live, akustika, skenografia, etj, p.sh. koncertet e përvitshme të Vjenës, koncertet me André Rieu, Céline Dion etj.
- Audienca:
- a. Shija estetike, e cila është tepër individuale, e trashëguar apo e kultivuar që në fëmini në ambientin familjar (“veshi muzikor”), në shoqëri, si dhe në kulturën tradicionale të një vendi për zhanret dhe rrymat e ndryshme muzikore
- b. Karakteri i njeriut: melankolik, flegmatik, kolerik, sanguin, si dhe hipersensibiliteti.
- P.sh. për personat melankolikë e hipersensibël: tonaliteti minor është tonaliteti më nostalgjik dhe romantik, kurse tonaliteti maxhor është tonaliteti i gjallë, i gëzuar, optimist.
- Mosha: Në vartësi të moshës së individitit, zhanret muzikore japin efekte të ndryshëm në shpejtësinë dhe në fuqinë e energjisë muzikore p.sh. tek moshat e reja shpejtësia e efektit të energjisë muzikore është shumë i shpejtë dhe i fuqishëm në emocione dhe në sjellje si, në zhanrin Rock Pop, Metallica.
Në mbyllje
Energjia muzikore lind nga bashkëveprimi i melodisë dhe harmonisë, ndërsa ritmi vepron si elementi dinamik, që e organizon dhe e fuqizon këtë ndërveprim. Energjia muzikore përbën bazën konceptuale të veprimit terapeutik të muzikës në organizmin e njeriut (Muzikoterapia).
Shpresoj që ky shkrim, të jetë një material plus për reflektim, debat dhe pasurim nga profesionistët: muzikologë, mjekë, filozofë, estetë, bio-fizikan, dhe studiues të artit.
Shpreh një falendrim të veçantë për Prof. Marenglen Spiro (fizikan, një nga figurat e shquara në fushën e shkencave natyrore, veçanërisht në bio-fizikë), për mendimet e vyera gjatë përgatitjes së këtij shkrimi!
YouTube
Andrea GUDHA: Triptik në mjekësi
Andrea GUDHA: Triptyque en medicine
Andrea GUDHA: Album muzikor
Andrea GUDHA: Këngë nga anketat muzikore
Andrea GUDHA: Këngë nga festivalet
***
Vlerësime për shkrimin e dr. Andrea Gudhës, publikuar në Albspirit, 22 gusht 2025
Zhuliana Jorganxhi, (poete, në redaksinë e muzikës RTSH)
Respekt të veçantë dhe përzemërsi pa kufi për mjekun shkencëtar dhe kompozitorin e mirënjohur e të apasionuar pas muzikës, mikun tim të dashur e të kahershëm, të nderuarin ANDREA GUDHA!
Me Andrean u njohëm në mes të viteve ’70. Për të më flste me shumë përzemërsi ose të them me një dashuri prej vëllai, mik im i shtrenjtë, kompozitori i rinisë, i NDRITUR KASTRIOT GJINI dhe mua më dukej se ata kishin po atë pasion për muzikën.
Andrea sa herë vinte në atë ish Redaksi të muzikës dhe incizimeve muzikore sillte tek unë si një diell të butë atë buzëqeshje plot dlirësi dhe brenda asaj buzëqeshjeje një lloj ndrojtjeje kur më tregonte tekstin.
Ishte një kohë që ai punoi shumë bukur me poetin e këngës të Madhin Arben Duka dhe patì këngë shumë të bukra që ia këndoi përveç këngëtarit Petrit Lulo dhe këngëtari atëhere, që sa kishte bërë emër KOZMA DUSHI!
Andrea krijoi shpejtë stilin e tij në muzikë. Pasioni i tij për muzikën, ai frymëzim mbi motivet popullore të Jugut, lirizmi i që ai kishte, i përshtatej natyrës së tij si Njeri, plot edukatë e etikë qytetare, që të bënte të krijoje shumë shpejt adhurim për të.
Ai me atë zërin e tij të ngrohtë e të ulët të bënte ta ndjeje mik të sinqertë e të diskutoje me të sinqerisht.
Kompozitor i ri atëhere Andrea kërkonte fjalën e bukur dhe ajo e frymëzonte të krijonte këngë të bukura që merreshin shpejt në buzë nga artdashësit tanë. I uroj shëndet të plotë, mbarësi, pasion, frymëzim, e suksese, mikut tim të dashur e të kahershëm, Njeriut të rrallë, mjekut shkencëtar, të apasionuar pas tingullit të muzikës, që u bë një jetë paralele për atë si mjek i shkëlqyer dhe kompozitor i tingujve të Arte!
Gazmend Mullahi (kompozitor në redaksinë e muzikës RTSH)
Analizë mahnitëse. Njeri i rrallë Andrea plot mirësi, inteligjencë, buzëqeshje, fisnikëri e plot e plot nga tiparet më të mira njerëzore.
I apasionuar pas muzikës, madje i dashuruar pas saj, madje-madje “i çmendur” pas saj saqë, ai demostroi që herët se ishte jo vetëm “konsumator i muzikës” i një kalibri të lartë por dhe shkruante muzikë kryesisht këngë, madje me një origjinalitet habitës sepse përdorte tingëllim popullor. Preferonte gjithmonë që këngëtar të ishte Petrit Lulo, gjirokastriti mahnitës i këtyre interpretimeve.
E vërtetonte më së miri me të gjitha tiparet që ai paraqitej se Muzika për të ishte “horizont i madh” edukimi e formatimi njerëzor nga ku mori fort prej saj.
Kam dhuratë dhe sot prej tij një stetoskop i bërë me mjete rrethanore me tuba gome që nguleshin në vesh, përdorur që kur ishte student të cilën ma dhuroi një ditë kur mësoi nga unë se një nga pasionet dhe ëndrrat e mia ishte mjekësia, shumë dekada më parë.
Roland Çene: Urime për shkrimin, i dashur Andrea!