Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: “Njeriu-xhungël”, elipsa letrare e Ylli Pangos

Në interpretimet sociologjike të jetës shoqërore të qyteteve, prof. Ylli Pango, përdor me shumë sukses elipsën letrare, jo thjesht për të kursyer kohë dhe për për të shmangur përsëritjet, por për të dhënë më shumë dinamizëm e shprehësi. “Njeriu-xhungël” titullohet pjesa refleksive, me valencë fejtonistike dhe me karakter socio-semantik, e sapopublikuar në rrjetin social facebook, e cila nxjerr kuptime për jetën dhe realitetin përreth. Interpretimet e një teksti, ndonëse të kufizuara nga zakonet socio-kulturore, janë gjithnjë hipotetike. Për të kuptuar këtë tekst nuk jam nisur vetëm nga leximi kritik, por edhe nga raporti komunikues që realizon me lexuesin. Nuk është e thënë që, si autori, si lexuesit, t’i miratojnë kuturisjet e mia.

Ky përshkrim gjenerativ, reflektim i kohës jetëshkurtër, vlerësim i detajit të jetuar, është rivlerësim i estezisë, pra riaktualizim i një kontakti shqisor me botën, që metaforizon ndjesinë e dekadencës morale të shoqërisë, ku neurozat ndjekin njëra-tjetërn, ku mbrohet apologjia e forcës së zhveshur dhe cënohet qytetaria dhe dinjiteti njerëzor.

Mbështetur në një “armaturë” të mitit urban të performancës së “të fortëve”, të shkapërdredhjes së rregullave sociale të bashkëjetesës, modele të ngritura që nuk përputhen a priori me asnjë realitet sociologjik a psikologjik, krijimi i prof. Pangos mund të vëzhgohet si dëshmi dhe evokim i përvojës shqisore mbi botën, mbi bazën e perceptimeve konkrete. Në krijime të tilla nuk është i rëndësishëm niveli figurativ, pasi elementë të tjerë të çojnë te perceptimi. Semiotika plastike shkon drejt një ligjërimi të brendashkruar, ku i shenjuari, “Njeriu -xhungël”, me një fashë karakteristikash heterogjene, që i kalon kufijtë për nga psikopatologjia, është ankoruar fort tek organizimi i planit të shprehjes. Autori, me në përvojë të gjatë receptimi, përshkruan semiotikisht gjendjet shpirtërore dhe gjendjet faktike, si një subjekt ndjesor i patemizuar, me një stil intensiv dhe aspak moralizues. Psikologjikisht autori është vetë nënvetëdija, në të cilën nuk ka asnjë tip digotomie. Pango priret të dallojë aksiologjinë estetike nga etikja dhe epistemikja, tri “zonjat e mëdha” që mbajnë në këmbë jetën tonë dhe i japin kuptim ekzistencës sonë.

Duke marrë në konsideratë edhe parametrat antropologjikë, mendoj se ekzistojnë tri rrokje të ndryshme të gjeneruara në këtë tekst: rrokja morale, që mbështetet në dijen sociologjike, rrokja semantike që është interpretim i asaj që thotë teksti, dhe rrokja mbresore, raporti ndjesor mes tekstit dhe shoqërisë.

NJERIU-XHUNGËL…

…Ti je përpara… ti nget makinën tënde: tank… luks… fuori… vringëllimë…

e vargu të vjen pas… lëviz si procesion varrimi… se ti po flet në telefon, këndon… frenon kur të do qejfi, ndalon… po flet me një bos tjetër… si-vëlla përbri… me krahun jashtë makine… si ti… i fortë edhe ai…

…ti rrugën tënden ke, private, të pushtuar… gjithçka vjen pas… të presë… se bosi është në pronë të tij… kush s’pret a ka urgjencë… edhe të vdesë…

…ti biesh pak borisë… të lutesh të lirosh pak rrugën… të ecësh pak më shpejt… ti të shpërfill… të shan… edhe të vret… kur me kërkesa e tepron… nuk e le bosin në biznes të vet… ti gjen ç’kërkon…

… por kur rastis e xhipi, fuori, klasi jot, është pas… e ti natyrshëm, siç të takon… si sërë e klas… kërkon, bërtet, gjëmon, të ecësh shpejt… të dalësh para, të të hapet rruga dhe kur s’hapet…

…ti të shurdhon… të shpon në veshë-daulle me bori… të gjuan e godet dhe me makinë nga pas… të thyen shtyllë-kurrizi… të le sakat… pa le të jetë ai përpara me shpejtësi normale… ti po kërkon të hapë rrugë, të ecësh me 200 në orë… në rrugë-lavdinë tënde, në rrugën personale, në rrugën e shpejtësisë skëterrë… të filmit “Tmerr”… aty ku ti ç’të duash merr…

…edhe kur nuk mundet kush… se vargu s’kërcen dot mbi varg makine… ti gjen një rast e të del anash, të sheh mu në profil, të shan, të kërcënon…shënjon…

…”ke për ta parë”, “i mjeri ti”… “me kë më je përzi…”

…dhe prapë në krye ti kalon…

…një ditë një tjetër…të del ty përpara, pas, anash…të shënjon…një më i ri se ti…një më i fortë…më drogaxhi…s’i hape rrugën…ty të shan,

( edhe kë?!…po mend nuk ve…se është më qen se ti),

…të kërcënon, godet…dikur të vret…

…ke zgjedhur xhunglën…jo veç të duash…mendon ke lindur të jesh mbret…të bëhesh e vdeç mbret…

…po ku?…aty ku s’ka frymor që s’ndjehet mbret…e ligj i saj, ligji pa ligj i xhunglës…dhe ty të vret…

———-

…;Të vret nga pas, të vret ti dalësh para…të pret me presë anash se i ze pamjen anash…ngado të pret-të vret…)

(jo thjesht, për të fortët e rrugës, për makinat…)