Ruzhdi Gole: PE DHE GJILPËRË
(prozë)
Fillikati jeton me të tjerë. Gjysmënate fjeti paqtë.
Pasmesnatës psherëtiu e u kollit, tështiu e u zgjua shpesh.
Përgjumsh veshi pandoflat, shkoi në tualet, derdhi ujët e
hollë. Lau pëllëmbët, i hodhi një grusht ujë syve. Doli
në ballkon. Errët, gjysma errët. Dritat e portit buzagaz i njera –
tjetrës. Errësira më tej, e gjitha përhitur. Si përgjumsh.
Fillikati fle pak. Kur ia do qejfi fle tumbulla. Edhe sikur gjyle
të bien nga ai krah që shtrihet nga ai krah do ngrihet kur t’ia
thotë mendja, kur t’i çel syri. Fillikati zgjohet herët në ag. Si
peshqit.
(-Shtyhu, o shushaqe, se plasa vape)!
Fillikati u mbështet tek pervazi i ballkonit. Gjithandej, gjer
afër tij, fluturuan e u shpërndanë fletushka bardhzi. Atij
vetëtimthi iu shfaq hamendja se shumë të vetmuar, po
niseshin përtej bote. Disa nga përcjellësit e tyre lotonin
ngashërimesh, disa me pika vese. Ndonjeri ose dy-tre vinin
buzët në gaz. Hutoheshin pse ecnin me të tjerët. Sillnin
ndërmend qesënditë nga jeta e njeri-tjetrit. Ndonjë sy i shihte
rreptë. Ata, ulnin zërin e kryet pendese. Shakaja shpejt
mbyllte buzët. Vetëm vdekja nuk pendohet asnjëherë.
Ndoshta, pa ia thënë kujt, ajo lëndohet e pendohet vetëm
kur përcjell matanë fëmijë. Ajo, ndonse kaq e fuqishme në
triumfin e saj, nuk e vë buzën në gaz.
Gjysma tjetër e hamendjes e trazoi filikatin me nxitim sikur
ata të përtejmit po ktheheshin për një kafe. Nga padurimi
dhe të mërzitur thellë, ngaqë të afërmit e tyre, më të afërmit
gratë e fëmijtë, ua kishin kthyer shpinën vorreve të tyre. Nuk
u pa qartë se cilat duar i fluturuan përpjetë fletët bardhzi, nuk
dukej qartë se cilat duar i mblidhnin ato aq shpejt sa të dukej
sikur n’ajri për herë të parë, ndoshta dhe të fundme,
shfaqeshin gishtrinj përthithës.
Plasën ujërat?
Plasën nekrologjitë?
(-O, shushkë, akoma po gërhet? – belbëzoi fillikati duke kthyer
kokën nga dhoma e fjetjes. Kujt i foli?)
Përsëri nisi të shihte përjashta. Ajri merr frymë i qetë,
shpenguar. Asnjë prej fletushkave bardhzi nuk i hyn në gojë
e në veshë. Mushkëritë ajrore gufojnë gjithandej plot aroma
të këndshme dhe pleh. Feneri mbi kodër fërkon lehtë-lehtë
syrin e vetëm dhe fatlum, pa u merakosur, ngaqë i këqyr të
plota në horizont pamjet me retinën e tij.
Ora e madhe sikur i humbi akrepat, gjithë numrat. Aty
nisën të shfaqeshin e të mplekseshin fytyra të shëndetshme e
shëndetliga.
(M’u hiq sysh, bythkë, moj shkretëtirë! – përsëdyti fillikati. Kujt
i foli? Orës, një fytyre të njohur që ia behu aty? Zëri i tij ky, i
një tjetri?)
Fletushkat ende fluturonin përpjetë, luhateshin e l’piheshin
lehtë-lehte mbi pervazin e ballkonit nga ku fillikati, jo aq
fillikat, shihte gjithçka përjashta. Tani shihte shtiza për të
thurrur, shtiza aq të mëdhaja sa me to mund të thurrje qilimin
më të madh fluturues me mjegull e me plot re. Shihte daulle
të rrjepura nga festivali i tymit dhe i rrëmujës plot proletarë
hanxhinj, oxhakëfshirës kacavjerrës. Ca tespije grindeshin tek
pellgu më qelbanik poshtë ballkonit.
Gjersa shihte e dëgjonte përreth si mund të ishte fillikati
fillikat?
Lum si ai! Zgjohet pa bori ushtarake, nuk
vesh këpucë të rënda, nuk i picërrojnë
sytë tek gaveta e ditës. Lufta e përpin
shpejt njeriun, Ai e paguan shtrenjtë. Ajo
e paguan pak, fare pak.
Fillikati sheh me një sy, dëgjon me një
vesh. Plot pamje i afrohen, i
anashkalojnë. I ndizen reflekse, ndoshta
jo aq të spikatura. Veshi i tij i rrëmben
ca tinguj rrugës dhe ia përplas pa të keq
timpanit.
Njeriu ushqehet me mjerim. Mjerimi paguhet lirë. Ai e
paguan shtrenjtë gjithçka.
Plaç o botë pa fillikatë! Botë e
kokolepsur keq prej fateve: rrofsh!
Rrofsh e plaç?
Pra, jetohet edhe në fije të perit? Jetohet
por jo pa perin në gjilpërë, jetohet edhe
një hap, por jo pa gjurmën ngulur mbi
gur. Nuk jetohet pa vetëtimën
shkuar në brez.
Mbathi këpucët fillikati im! Dil në rrugë!
Mos t’i marr marria mendttë dhe i bie
shkurt nga ballkoni?! Ftillohu, pra,
ftillohu! Mos ki frikë nga vetja! Nga
vetja paç përhera frikë e droje!
Mos të zënte nata më e gjatë në shtrat!
Mbathja, mbathja sa të mundesh, o
fillikat! Një hap, një gjysmë hapi prej
njeriu jo fillikati.
Përtërihen grunjërat, hardhitë, përqafjet…?