Albspirit

Media/News/Publishing

Kontributi i vllaznisë Dizdari të fisit të Hotit në mbrojtjen e Atdheut

Besnik Fishta

(Mbresa nga libri i Sherif S. Dizdarit)
Në një kohë kur botimet historike dhe genealogjike kërkojnë jo vetëm pasion, por edhe durim të jashtëzakonshëm kërkimor, tregut të librit shqip iu shtua së fundmi një vepër me vlera të veçanta dokumentare e identitare: “Genealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” e autorit Sherif S. Dizdari. Ky botim nuk është thjesht një përmbledhje emrash, lidhjesh farefisnore apo kujtimesh familjare, por një punim i mirëfilltë që shtrihet në kufijtë e historisë lokale, antropologjisë kulturore, kujtesës kolektive dhe dokumentimit të trashëgimisë së një treve me peshë në historinë shqiptare.
Qysh në shfletimin e parë, libri lë mbresa të veçanta. Pasuria e informacionit, dendësia e të dhënave, serioziteti i qasjes dhe gjuha e kujdesshme e autorit e bëjnë lexuesin të kuptojë se kemi të bëjmë me një punë shumëvjeçare, të mbështetur në kërkim të vazhdueshëm, në dokumente, kujtesë familjare dhe referenca të shumta. Në parathënien me titull domethënës “Dora e Zotit dhe pushka e Hotit”, autori 85 vjeçar Sherif S. Dizdari e përgatit lexuesin për përmasën shpirtërore dhe historike të kësaj vepre.
Vetë titulli parathënies bart simbolikën e dy shtyllave mbi të cilat janë ngritur trevat veriore shqiptare, besimi tek Zoti dhe qëndresa përmes pushkës, si mjet i mbrojtjes fisit, familjes e atdheut nga pushtuesit e huaj. Autori, me maturinë e moshës dhe përvojën jetësore, shpjegon burimet e shumta të referimit, duke i dhënë librit besueshmëri dhe seriozitet shkencor. Struktura e librit është ndërtuar me logjikë dhe kujdes metodologjik. Fillimisht paraqiten pozitat gjeografike të mjedisit ku shtrihet treva e Berbatit, duke krijuar kuadrin natyror e historik ku është zhvilluar jeta e kësaj vllaznieje. Më tej, autori ndalet në genealogjinë e vllaznisë Dizdari në fshatin Berbat, për ta zgjeruar më pas vështrimin edhe në trevat e Kosovës, ku degë të kësaj vllaznieje kanë vijuar jetën, duke ruajtur lidhjet shpirtërore e identitare me vendorigjinën.
Një rëndësi të veçantë merr trajtimi i arsimit në Malësinë e Gjakovës, një tregues i emancipimit dhe i ndërgjegjes kombëtare në një trevë që shpesh është identifikuar vetëm me luftën dhe trimërinë. Në të vërtetë, historia e Malësisë së Gjakovës dëshmon se krahas pushkës ka bashkëjetuar edhe dija, fjala e shkruar dhe dëshira për arsimim, si pjesë e identitetit kombëtar shqiptar. Vlerë e shtuar e këtij botimi është përfshirja e toponimeve kryesore të bjeshkëve të Berbatit, të cilat nuk kanë vetëm karakter gjeografik, por përfaqësojnë një arkiv të gjallë të memories historike. Çdo emër vendi bart histori, ngjarje, kujtime dhe episode të trashëguara brez pas brezi. Në këtë këndvështrim, libri merr edhe karakterin e një dokumenti etnografik, duke ruajtur elementë që rrezikojnë të humbasin nga harresa ose transformimet e kohës moderne. Po aq të rëndësishme janë edhe dokumentet austro-hungareze të përfshira në vepër, të cilat pasurojnë bazën burimore të saj dhe i japin lexuesit mundësinë të kuptojë më qartë rrethanat historike të zhvillimeve në këto treva. Përdorimi i dokumentacionit arkivor e largon librin nga subjektivizmi i kujtimeve të thjeshta familjare dhe e afron atë me standardet e një pune serioze kërkimore. Në fund të librit, autori paraqet me korrektësi një bibliografi prej 32 referencash, dëshmi e një pune të gjatë dhe të ndërgjegjshme. Kjo bibliografi afirmon qartë se kemi të bëjmë me një studim të mbështetur në burime të shumta dhe jo me një rrëfim spontan kujtimesh. Mjaft domethënëse është edhe galeria fotografike, e cila shërben tashmë si një dokumentar vizual i historisë së kësaj vllaznieje. Fotot e brezave, figurave familjare, mjediseve dhe episodeve të jetës krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke e bërë historinë më njerëzore dhe më të prekshme.
Por rëndësia e këtij libri shkon përtej historisë së një vllaznieje. Përmes faqeve te këtij libri lexuesi njeh edhe epopenë historike dhe luftërat shekullore të Fisit Hotit, për mbrojtjen e atdheut, të trojeve shqiptare nga pushtuesit, otoman , serb e malazë, duke për disa shekuj me radhë vatër e qëndresës kombëtare. Fisi i Hotit dhe Malësia e Gjakovës kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në fundin e shekullit XIX, burrat e këtyre anëve morën pjesë në përpjekjet për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, në kuadër të rezistencës shqiptare kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, të vitit 1913 dhe pretendimeve malazeze, duke u bërë pjesë e epopesë së njohur të qëndresës shqiptare. Po kështu, gjatë kryengritjeve të viteve 1910–1912, malësorët e këtyre trevave u përballën me ekspeditat ndëshkimore osmane të udhëhequra nga Turgut Pasha, duke dëshmuar edhe një herë shpirtin e pamposhtur të lirisë.
Luftimet e zhvilluara në zonat malore të Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës mbeten pjesë e memories historike të kësaj treve. Edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, këto troje nuk mbetën të heshtura. Në vitin 1943, në Gjakovë e Pejë, pati qëndresë kundër forcave pushtuese italiane, ndërsa vetë treva e Tropojës u përfshi në organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare.
Sakrificat e vllaznisë ,Dizdari,vazhduan për shekuj me radhë, duke ku dhanë jetën në luftë për mbrojtjen e Atdheut 7 dëshmorë vetem nga kjo vllazni, të cilët nuk kursyen jetën e tyre për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtuesve të huaj .
Libri i Sherif S. Dizdarit nuk harron të evidentojë edhe kontributin për UÇK-në dhe pavarësinë e Kosovës, një kapitull që dëshmon vijimësinë e ndjenjës kombëtare në mbrojtj të trojeve shqiptare, ku në luftën e UҪK, viteve 1998-1999, ra dëshmorë edhe biri i vllaznisë Dizdari, Mehmet Ram Dizdari.
Në thelb, kjo vepër përfaqëson më shumë se historinë e një vllaznieje. Ajo është histori rrënjësh, kujtese dhe identiteti të Fisit Hotit. Në një epokë globalizimi, ku shpesh rrezikohet humbja e lidhjes me origjinën, libra të tillë na kujtojnë se kombi nuk ndërtohet vetëm mbi ngjarjet e mëdha politike, por edhe mbi historitë e familjeve, të vllaznive dhe të bashkësive që, brez pas brezi, kanë ruajtur gjuhën, zakonet, nderin dhe atdhedashurinë. Prandaj, “Genealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” meriton të vlerësohet jo vetëm si një botim i rrallë në llojin e vet, por edhe si një kontribut me rëndësi për kujtesën historike shqiptare. Ajo dëshmon se rrënjët e forta të një vllaznieje mund të bëhen pasqyrë e virtyteve, sakrificave dhe vlerave më të mira të kombit shqiptar.