Anomali: frenat e botës në duar pleqsh
Çapajev Gjokutaj
1.
Po të gjykosh me logjikë të thjeshtë dhe i ndikuar nga filozofia Iluministe, herët a vonë del tek koncepti i progresit linear. Sipas tij, institucionet demokratike dhe rendi liberal, të formësuara dhe të konsoliduara kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore, duhej të kalonin në një proces të pandërprerë vetëkorrigjimi e përmirësimi, që do të sillte jetësimin e një bote gjithnjë e më racionale.
Dinamikat e dekadave të fundit po dëshmojnë një hendek të thellë midis qasjes iluministe dhe realitetit gjeopolitik. Në vend të një konsolidimi institucional, skena globale po përballet me një tendencë të qartë regresi: degradim të normave demokratike, rritje të strukturave autoritare dhe shfaqje të reja të nacionalizmit përjashtues apo racizmit kulturor. Institucionet që dikur garantonin ekuilibrin, sot gjenden shpesh të paralizuara ose të anashkaluara nga faktorë të fuqisë së pastër.
Kësaj situate prapavajtëse vjen e i shtohet edhe fakti që liderët e shteteve më me peshë në zhvillimet gjeopolitike janë të moshuar, të gjithë 70 e kacafiu. Në njërën anë shpërfillen institucionet dhe traktatet e rritet autoritarizmi, në anën tjetër ata që marrin vendime të rëndësishme, shpesh edhe delikate për fatet e botës, janë në moshë pensioni.
2.
Bota e sotme, me një moshë mesatare që luhatet te të 30-at, qeveriset në një pjesë të mirë të rasteve nga pleq. Për të mos humbur në labirintin e shifrave të të gjithë rruzullit, mjafton të kthejmë sytë nga pesë shtetet që peshojnë rëndë në fatet e globit: ShBA, Kina, Rusia, India dhe Brazili. Nëse i shqyrtojmë me radhë, shohim se sundimi i të moshuarve nuk njeh dallim sistemesh politike apo pozicioni gjeografik.
Në Shtetet e Bashkuara, rikthimi i Donald Trumpit, (80 vjeç) dëshmon se edhe demokracia më e madhe perëndimore po i dorëzohet stilit të udhëheqjes së personalizuar, ku vullneti i liderit shpesh peshon më shumë se filtrat institucionalë. Në krahun tjetër, në Kinë dhe Rusi, Xi Jinping (73 vjeç) dhe Vladimir Putin, (72 vjeç) kanë blinduar një kontroll absolut mbi ekzekutivin, duke projektuar një pushtet që lidhet vetëm me personin e tyre, pa lënë hapësirë për institucionet, madje as për pasardhës.
Kjo frymë nuk kursen as gjigantin në ngjitje të Azisë Jugore, Indinë. Nën drejtimin e Narendra Modit (75 vjeç) ky vend po rrëshqet me shpejtësi drejt një autoritarizmi zgjedhor, ku vota popullore përdoret për të ushqyer një nacionalizëm të fortë kulturor e fetar.
Edhe në Brazil, rikthimi në pushtet i Luiz Inacio Lulës (80 vjeç) tregon se kjo prirje është transversale; ajo prek si të djathtën, ashtu edhe të majtën. Ndonëse qeveris brenda një kuadri kushtetues, Lula mishëron një hiper-personalizim të pushtetit, ku e gjithë alternativa politike e një vendi gjigant varet nga karizma dhe fati biologjik i një njeriu të vetëm, pa lënë hapësirë për institucione që gjenerojnë liderë të rinj.
Kur llogarit peshën e këtyre pesë shteteve, rezultati statistikor është sa befasues, aq edhe i frikshëm: ata përfaqësojnë rreth 45% të popullsisë globale. Praktikisht, pothuajse gjysma e njerëzimit sot qeveriset nga udhëheqës që e kanë kaluar pragun e të 70-ve, moshë kur vërsnikët e tyre thuajse në gjithë botën gëzojnë pensionin. Problemi bëhet shumë më i mprehtë kur kujton se ky grup shtetesh kontrollon gati gjysmën (rreth 48%) të prodhimit dhe të konsumit ekonomik global.
3.
Liderët e moshuar që porsa përmendëm, nuk kanë në duar thjesht fatin e ekonomisë apo të politikave të ditës, por kanë rol parësor edhe mbi vendimmarrjen strategjike më të skajshme: përdorimin e armëve bërthamore.
Në një botë ku traktatet e vjetra të kontrollit të armëve po prishen ose po injorohen, rreziku i një shkatërrimi në masë nuk mbrohet më aq nga institucionet apo marrëveshjet ndërkombëtare, por përherë e më shumë po varet nga vullneti i njëshit. Shifrat këtu bëhen shqetësuese. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kontrollojnë së bashku afërsisht 89 deri në 90% të të gjithë arsenalit bërthamor në botë. Nëse kësaj llogarie i shtohet edhe Kina, rezulton se ky grup i ngushtë liderësh udhëheq shtetet që zotërojnë mbi 95% të armëve atomike në glob.
Kur institucionet dobësohen dhe rregullat ndërkombëtare bien, pesha e vendimit zhvendoset tërësisht te njeriu. Në këtë mënyrë, siguria dhe mbijetesa e botës nuk varen më nga stabiliteti dhe parashikueshmëria e sistemeve, por nga stabiliteti psikologjik individual i një grushti udhëheqësish të moshuar.
Kriza aktuale me Iranin shërben si ilustrim manualesh të asaj që ndodh kur vendime ekzistenciale mbyllen brenda mureve të një zyre duke i lenë hapsirë të pakontrolluar një individi. Vendimi për fillimin e konfliktit dhe eliminimin e udhëheqësit suprem u mor nga presidenti Trump në fshehtësi, pas konsultimit me vetëm një grusht njerëzish të ekzekutivit dhe duke anashkaluar plotësisht Senatin. I ushqyer nga euforia e suksesit të mëparshëm me Maduron në Venezuelë dhe i nxitur nga informacionet e Netanjahut, pa i konsultuar me institucionet e inteligjencës amerikane, Trump veproi mbi hamendësimin emocional se regjimi iranian do të shembej në pak ditë.
Kjo vendimmarrje e gabuar mban sot peng botën: çmimet e naftës kanë fluturuar nga 75 para fillimit të krizës në mbi 100 dollarë për fuçi, ndërkohë që kërcënimi për bllokimin e ngushticës së Hormuzit dhe rrugëve detare, rrezikon të paralizojë furnizimin global. Kemi të bëjmë me një provë të freskët se si një vendim impulsiv, i marrë kryesisht nga një lider i vetëm, mund të shkaktojë një krizë me përmasa planetare.
4.
Zhvendosja e peshës së vendimeve nga institucionet te njeriu merr një dritë edhe më dramatike nëse llogarisim kufizimet kognitive dhe psikologjike që natyrshëm sjell moshimi. Kur frenat e botës gjenden në duart e njerëzve që po konsumojnë kapitullin e fundit të jetës, stili i qeverisjes transformohet nën presionin e një ore biologjike që punon më shpejt se ajo e historisë.
Në radhë të parë, shfaqet prirja që mund ta quajmë “sindroma e trashëgimisë finale” ose nxitimi për të lënë gjurmë. Një lider i ri në moshë mund të operojë me plane afatgjata, duke llogaritur pasojat e vendimeve të tij në dy apo tri dekadat e ardhshme. Një udhëheqës në të 70-at apo të 80-at, i ndodhur para një horizonti kohor biologjikisht të kufizuar, priret të rrëmbehet nga dëshira për të përmbushur “misionin e tij historik” brenda pak viteve që i mbeten. Ky nxitim për të shkruar emrin në librat e historisë rrit në mënyrë të frikshme gatishmërinë për të ndërmarrë rreziqe të larta strategjike, përfshirë këtu konflikte të armatosura apo thyerje radikale të ekuilibrave globalë.
Veç kësaj, pleqëria sjell me vete një lloj ngurtësimi të mënyrës së mendimit. Udhëheqësit e sotëm të moshuar janë formësuar intelektualisht dhe politikisht gjatë shekullit të kaluar, në kohën e Luftës së Ftohtë dhe të ndarjeve të prera ideologjike. Sot, ata tentojnë të projektojnë po ato modele të vjetra mendore mbi një realitet modern që funksionon me të tjera kode. Bota e sotme karakterizohet nga një kompleksitet i jashtëzakonshëm teknologjik, nga inteligjenca artificiale, rrjetet digjitale dhe luftërat kibernetike, dukuri që kërkojnë fleksibilitet kognitiv dhe përshtatje të shpejtë, dy cilësi që me kalimin e moshës koha ua zvetënon edhe mendjeve më të ndritura.
Ky problem ndërlikohet edhe nga dinamika e brendshme që krijohet rreth një pushteti të tillë. Me kalimin e viteve, rrethi i ngushtë vendimmarrës rreth një udhëheqësi të moshuar pëson një lloj erozioni. Filtrat kritikë dhe mekanizmat e kontrollit dhe balancës brenda pallateve të pushtetit fillojnë e bien. Njerëzit që e rrethojnë liderin shpesh kthehen në një grup konformist, ku dëgjohet vetëm jehona e dëshirave të tij. Ky izolim krijon një rrezik të dyfishtë: jo vetëm që udhëheqësi e humb kontaktin e vërtetë me realitetin e kohës, por asnjë prej vartësve nuk guxon më të vendosë në pikëpyetje vendimet e tij, qofshin këto edhe me pasoja katastrofike në rrafsh global.
5.
Dalja në krye e udhëheqësve shtatëdhjetë apo tetëdhjetëvjeçarë në shtetet më të fuqishme të globit nuk mund të shpjegohet si një koinçidencë e thjeshtë biologjike apo një lojë e fatit historik. Është prirje që kushtëzohet nga disa faktorë që lidhen me psikologjinë sociale, demografinë dhe strukturën e sotme të pushtetit.
Faktori i parë ndikues ka të bëjë me përdorimin e nostalgjisë si armë politike. Në kohë krizash të shpeshta, kur e ardhmja perceptohet si e frikshme apo e pasigurt (qoftë për shkak të zhvillimit marramendës të inteligjencës artificiale, ndryshimeve klimatike apo thjesht humbjes së vendeve të punës), shoqëritë tentojnë të mos shikojnë përpara, por të kthehen pas. Në këtë kontekst, liderët e moshuar përfaqësojnë, si biologjikisht ashtu edhe politikisht, një lloj “ankore” stabiliteti. Ata personifikojnë atë që në psikologjinë kolektive shihet si idealizim i së shkuarës.
Slloganet politike si ai për rikthimin e madhështisë së Amerikës, apo thirrjet e Putinit dhe Xi Jinpingut për ringjalljen e lavdisë së perandorive të shkuara, shërbejnë si ilaç qetësues për njerëzit e trembur nga zhvillimet aktuale. Imazhet e të kaluarës së idealizuar gjithnjë kanë shërbyer për të ngopur njerëzit me lugë bosh. Mosha e shtyrë e liderëve është një faktor ndihmës për t’i bërë lavditë e shkuara më bindëse.
Dalja në krye e shtatëdhjetë e kusur vjeçarëve mbështetet fort edhe te demografia e votuesve. Pjesa më e madhe e vendeve që përcaktojnë fatet e botës po përballen me një plakje të dukshme të popullsisë. Në të njëjtën kohë, statistikat e pjesëmarrjes në zgjedhje tregojnë se votuesit më të disiplinuar, ata që shkojnë rregullisht te kutitë e votimit, janë mosha e mesme dhe pleqtë.
Kjo masë e madhe elektorale natyrshëm priret të zgjedhë udhëheqës që u ngjajnë, që ndajnë të njëjtat frikëra, të njëjtat kode kulturore dhe të njëjtën gjuhë. Një lider shtatëdhjetë e pesë vjeçar arrin të flasë në të njëjtën valë emocionale me një elektorat që shpesh ndihet i huaj ose i lënë pas dore në botën dinamike të të rinjve.
Së fundi, ekziston një faktor i ftohtë pragmatik: përqendrimi i kapitalit dhe i pushtetit mediatik. Për të arritur dhe për të qëndruar në majat e politikës së madhe sot, kërkohen burime financiare kolosale, rrjete influence të ndërtuara me durim përgjatë dekadave dhe një kontroll i fortë mbi makineritë partiake.
Ky lloj pushteti nuk mund të ngrihet brenda pak viteve. Sistemi i sotëm politik dhe ekonomik favorizon pashmangshmërisht ata aktorë që kanë qenë pjesë e lojës për dyzet apo pesëdhjetë vjet. Për brezin e ri, thyerja e këtyre strukturave të mbyllura oligarkike dhe partiake është pothuajse e pamundur, duke bërë që frenat e botës të mbeten po në të njëjtat duar.
Me sa duket është një reagim i sforcuar dhe irracional i një njerëzimi të trallisur nga shpejtësia e ndryshimit. Kur bota ecën shumë shpejt, njerëzit kapen pas timonierëve më të vjetër që, ashtu si sojliu i Mançës, premtojnë të ndalojnë kohën ose ta kthejnë atë pas. Ky është absurdi racional i kohës sonë.