Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Malaj: Përse banorët e Zvërnecit kanë plotësisht të drejtë?

Qeveria u ka bllokuar atyre pronësinë për 35 vite me radhë. Nocioni i pronës “debabaden” është në thelb antikushtetues, veçanërisht kur përdoret si pretekst për t’u vjedhur pronën banorëve të Zvërnecit, të cilët e kanë përfituar atë me ligj – ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë në ish-ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore.

Nëse qenka kështu, përse shteti nuk i shpronëson të gjithë shqiptarët për të kthyer “pronën debabaden”, por e zbaton këtë koncept vetëm aty ku përzgjedh dhe vendos vetë?

Ky koncept nuk është vetëm një analfabetizëm mbi të drejtat e pronësisë, por edhe një provë e qartë e anarkisë juridike që mbretëron në një autokraci antidemokratike.

I. Detyrimi Kushtetues i Shtetit dhe “Vjedhja” përmes Mosveprimit

Shteti ka një detyrim ligjor dhe moral të sqarojë se përse banorët e Zvërnecit, për 35 vite me radhë, nuk kanë arritur të marrin dot pronën e tyre si pjesa tjetër e qytetarëve.

Mosdhënia e pronës, në thelb, përbën një tjetërsim apo “vjedhje” të saj përmes mosveprimit institucional.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton qartë se shteti ka detyrimin parësor të mbrojë të drejtat themelore të njeriut.

Pas të drejtës për jetën, “mbrojtja e pronës private është shtylla e dytë kushtetuese” që garanton lirinë dhe sigurinë e individit në një shoqëri demokratike.

Kur institucionet dështojnë të njohin këtë të drejtë për dekada, ato cenojnë drejtpërdrejt këtë mandat kushtetues.

III. Bllokimi i Qëllimshëm dhe Kolapsi Menaxhues i Kadastrës së Vlorës

Në këtë zonë ndodhemi përpara një bllokimi pothuajse të qëllimshëm të me gëzimit juridik të pronës private.

Banorët shpesh zotërojnë dokumentet fillestare (historike ose të ndarjes së tokës), por gjenden të bllokuar në hallkat burokratike për të marrë dokumentin përfundimtar të pronësisë (çertifikatën).

Kjo shkelje e rende kushtetuese shpjegohet me paqëndrueshmërinë e skajshme dhe keqmenaxhimin e qëllimshëm institucional. Fakti që në krye të zyrës së Kadastrës së Vlorës janë emëruar, dorëhequr, pushuar apo rikthyer rreth 14 drejtorë,

tregon se ky institucion është përdorur si një instrument presioni dhe kontrolli, duke krijuar një terren të paqartë ku fshihen interesat mbi trojet e lakmueshme bregdetare.

III. Roli i Shtetit në një Pronë Private: Çfarë Pjesëmarrësi është Ai?

Nëse një pronë është private, lind pyetja : Çfarë pjesëmarrësi është shteti në një projekt zhvillimi?

Në një ekonomi tregu të shëndetshme, shteti nuk mund të veprojë si pronar apo sekuestrues i pronës private për t’ia kaluar atë investitorëve të tretë. Roli i shtetit duhet të jetë ekskluzivisht:

Rregullator dhe Lehtësues: Të garantojë që projekti respekton planet urbanistike dhe mjedisore.

Garant i Ligjit: Të sigurojë që çdo palë shpërblehet sipas vlerës reale të tregut nëse bëhet fjalë për interes publik të mirëfilltë, dhe jo të bëhet palë me interesa klienteliste në dëm të banorëve vendas.

IV. Mungesa e Transparencës dhe e Drejta e Protestës

Një projekt që prek interesat jetikë të një komuniteti nuk mund të ketë sukses pa minimumin e transparencës publike.

Në rastin e Zvërnecit, mungesa e konsultimeve dhe e qartësisë e ka vënë shtetin përballë qytetarëve të vet.

Banorët e kësaj zone kanë çdo të drejtë legjitime të protestojnë. Protesta e tyre është një reagim i drejtë kundër dy fenomeneve:

1. Grabitjes së pronëspërmes mos-regjistrimit dhe tjetërsimit të trojeve të tyre stërgjyshore.

2. Mungesës absolute të transparencës, ku vendimet për të ardhmen e tokës së tyre merren në zyra të mbyllura, pa pjesëmarrjen e tyre.

Integriteti dhe qëndresa e protestuesve të Zvërnecit meritojnë respekt të plotë institucional, pasi ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa triumfin e të drejtës së tyre kushtetuese mbi arbitraritetin administrativ.

Në Kushtetutën e Republikës Shqiptare, e drejta e jetës dhe e drejta e pronës private konsiderohen si dy nga shtyllat më themelore të lirive të njeriut dhe të rendit demokratik e ekonomik. Më poshtë janë nenet konkrete që i saktësojnë dhe i mbrojnë këto dy të drejta:

1. E Drejta e Jetës

E drejta e jetës mbrohet në mënyrë absolute në Nenin 21 të Kushtetutës, i cili ndodhet në Kapitullin e dytë Liritë dhe të drejtat vetjake”.

Neni 21

Jeta e personit mbrohet me ligj. Ndalohet dënimi me vdekje.”

2. E Drejta e Pronës Private

E drejta e pronës private dhe garantimi i saj rregullohen në mënyrë të detajuar në Nenin 41 të Kushtetutës.

Neni 41

1. E drejta e pronës private është e garantuar.

2. Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.

3. Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.

4. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm kundrejt një shpërblimi të drejtë.

5. Për mosmarrëveshjet lidhur me masën e shpërblimit mund të bëhet ankim në gjykatë.*

Saktësime dhe Kufizimet Ligjore (Shpronësimi:

1. Interesi Publik: Ndërhyrja duhet të bëhet vetëm për interes të përgjithshëm të shoqërisë, jo për interesa privatë të oligarkëve apo kompanive të caktuara.

2. Shpërblimi i Drejtë: Pronari duhet të dëmshpërblehet financiarisht me vlerën reale të tregut të pronës së tij.

3. Kontrolli Gjyqësor:

Nëse qytetari nuk është dakord me vlerën e shpërblimit që i ofron shteti, ai ka të drejtë kushtetuese ta dërgojë çështjen në gjykatë për të kërkuar vlerën e saktë.

Ndërlidhja me parimin e Sigurisë Juridike

Të dyja këto nene plotësohen nga Neni 17 i Kushtetutës, i cili përcakton se liritë dhe të drejtat e njeriut (përfshirë pronën) mund të kufizohen *vetëm me ligj* dhe *vetëm në përpjesëtim me situatën që e ka diktuar atë*, duke mos cenuar në asnjë rast thelbin e së drejtës.

Kjo do të thotë që asnjë qeveri apo vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) nuk mund të dalë mbi këto parime kushtetuese pa respektuar procedurat e blinduara ligjore.