Reforma e re Territoriale e rrit, apo e zbeh demokracinë vendore?
PROF. DR. ARBEN MALAJ
Prof. Robert Dahl (1) qartësonte se: “Demokracia nuk është thjesht një formë qeverisjeje në majë; ajo është një mënyrë jetese në bazë. Nëse dëshironi të shihni nëse një vend është vërtet i lirë, mos shikoni vetëm parlamentin në kryeqytet, burimin e fuqisë që ka qytetari i zakonshëm mbi vendimet e lagjes dhe komunitetit të tij”. Kjo këshillë qartëson thelbin edhe të Reformës së re Territoriale. Reforma e re duhet të vlerësohet jo thjesht nga numri i institucioneve që redukton apo nga kursimet burokratike që premton, por nga aftësia për ta afruar pushtetin te qytetari, për të forcuar demokracinë vendore dhe për të rritur llogaridhënien publike.
Pikërisht, pas edhe konstatimeve të IBAR-it/të rishikuar, rezulton se demokracia vendore në vendin tonë është cenuar rëndë nga autokracia qendrore. Një rast tipik është Bashkia e Vlorës. Kryetarët e bashkive përzgjidhen, promovohen dhe shkarkohen publikisht edhe gjatë mandatit të tyre, sipas humorit personal të kryeministrit. 14 drejtorë të kadastrës, ku vlonjatët përballen me mohimin dhe shkeljen e të drejtave të pronës përzgjidhen, promovohen, shkarkohen dhe rigradohen vetëm sipas humorit të tij. 24 drejtorë të Bashkisë së Vlorës më 2026 kërcënohen të pushohen dhe pastaj largohen në të njëjtën ditë me urdhër të kryeministrit, edhe se ata janë pjesë e ligjit të administratës publike. Dhjetëra projekte strategjike nuk kanë asnjë konsultim real me banorët e Vlorës. Përballë këtij realiteti jodemokratik dhe që shkel në mënyrë të përsëritur demokracinë vendore, natyrshëm lind pyetja themelore: Reforma e re Territoriale synon vërtet rritje dhe konsolidim të demokracisë vendore, modernizimin strukturor të qeverisjes vendore, apo do të keqpërdoret për përqendrim të mëtejshëm të pushtetit abuzues?
Ky debat lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon demokracia vendore dhe me raportin midis qytetarit, pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore. Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014 kishte si argument kryesor se fragmentarizimi i pushtetit vendor në qindra komuna dhe bashki të vogla krijonte: (i) administrata joefikase, (ii) të paafta për të gjeneruar të ardhura dhe (iii) të varura pothuajse tërësisht nga transfertat e buxhetit qendror. Në teori, kjo reformë synonte rritjen e eficiencës administrative, uljen e kostove dhe krijimin e njësive më të mëdha me kapacitete më të forta financiare dhe administrative. Por rezultati më i dukshëm dhe dëmshëm ka qenë keqpërdorimi partiak. Pushteti vendor, në shumë raste, nuk funksionon si institucion autonom në shërbim të komunitetit, por si zgjatim administrativ dhe politik i qeverisë qendrore.
Një nga aspektet më problematike të reformës ishte shndërrimi i ish-komunave në njësi administrative pa përfaqësim të drejtpërdrejtë demokratik. Dikur, qytetarët zgjidhnin drejtuesit lokalë të komunave të tyre dhe kishin një lidhje më të afërt me pushtetin vendor. Sot administratorët lokalë emërohen nga kryetarët e bashkive dhe nuk mbajnë përgjegjësi direkte para komunitetit. Kjo ka larguar qytetarin nga vendimmarrja. Në shumë zona rurale, reforma ka sjellë jo vetëm largim institucional, por edhe largim fizik të shërbimeve. Kjo ka krijuar braktisje të komunave. Një problem tjetër serioz lidhet me funksionimin e këshillave bashkiakë. Sistemi i listave të mbyllura ka prodhuar këshilla të kontrolluara nga partitë politike dhe jo nga komunitetet. Qytetarët votojnë logon e partisë, jo individin që do t’i përfaqësojë. Për pasojë, shumë këshilltarë ndihen politikisht të detyruar ndaj drejtuesve partiakë dhe jo ndaj qytetarëve.
Kjo dobëson kontrollin demokratik dhe rrit përqendrimin e pushtetit në duart e një individi apo grupi të ngushtë politik. Një reformë thellësisht strukturore synon decentralizim real politik dhe fiskal; forcim të autonomisë vendore dhe rritje të pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje. Në një model të tillë, pushteti vendor nuk është vartës i qeverisë qendrore, por partner institucional me kompetenca të qarta dhe me burime financiare të garantuara me ligj. Reforma strukturore duhet të synojë: (i) rritje të të ardhurave të vetëgjeneruara nga bashkitë; (ii) ndarje më të drejtë dhe transparente të transfertave qendrore; (iii) sistem më përfaqësues për këshillat bashkiakë; (iv) forcim të rolit të komuniteteve lokale; si dhe (v) rritje të transparencës dhe llogaridhënies. Ndërsa reforma territoriale me objektiv thellësisht elektoral përdor territorin si instrument për kontroll politik. Bashkitë më të mëdha bëhen më të lehta për t’u kontrolluar përmes burimeve financiare dhe patronazhit politik. Në zgjedhjet e viteve 2013, 2017, 2021 dhe 2025, reforma e vitit 2014 për pushtetin vendor ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e fitores parlamentare të Rilindjes, aq sa në vitin 2025 ajo fitoi 83 mandate, çka i jep fuqi politike dhe ligjore për të imponuar reforma, edhe pushtete absolut vetëpërqendrues. Problemi nuk qëndron thjesht te numri i bashkive, por te mungesa e decentralizimit real.
Një demokraci funksionale nuk matet nga madhësia administrative e njësive vendore, por nga cilësia e përfaqësimit dhe nga afërsia e qytetarit me pushtetin. Për këtë arsye, shumë demokraci të konsoliduara evropiane ruajnë një numër të madh njësish të vogla vendore. Zvicra është një nga shembujt më domethënës. Ajo ka mijëra komuna me popullsi shumë të vogël, por me kompetenca të gjera dhe me demokraci të drejtpërdrejtë funksionale. Po kështu Austria apo vendet nordike kanë ndërtuar modele ku bashkëpunimi ndërkomunal përdoret për shërbime të përbashkëta, pa cenuar identitetin lokal dhe përfaqësimin demokratik. Modeli evropian ku duhet të mbështetet reforma e re territoriale nuk bazohet domosdoshmërish te shkrirja e njësive vendore, por te fuqizimi i tyre financiar dhe institucional. Në shumë raste, komunat bashkëpunojnë për menaxhimin e mbetjeve, ujësjellësit apo transportit, por ruajnë autonominë politike dhe përfaqësimin lokal. Në qendër të këtij debati qëndron parimi i subsidiaritetit, një nga shtyllat kryesore të demokracive moderne dhe të vetë Bashkimit Evropian. Ky parim kërkon që vendimet të merren sa më afër qytetarit dhe që niveli më i lartë i pushtetit të ndërhyjë vetëm kur niveli lokal nuk ka kapacitete të mjaftueshme. Kur ky parim shkelet dhe pushteti përqendrohet në qendër, demokracia dobësohet.
Qytetari ndihet më larg vendimmarrjes dhe rritet mosbesimi ndaj institucioneve. Pikërisht kjo është një nga sfidat më serioze të demokracisë shqiptare sot. Vendi ynë ka nevojë për një reformë që rikthen qytetarin në qendër të sistemit politik vendor. Reforma e re territoriale duhet të fuqizojë komunitetet lokale, të garantojë autonomi financiare, të forcojë kontrollin demokratik dhe të rritë pjesëmarrjen qytetare. Reforma e ardhshme Territoriale nqs mbetet peng i logjikës së kontrollit politik dhe i kalkulimeve elektorale, atëherë demokracia vendore rrezikohet të dobësohet edhe më tej. Pyetja mbetet kritike sa synon ta rritë pushtetin real të qytetarëve kjo reformë? Shqetësimi është nëse po synohet një reformë strukturore në shërbim të demokracisë, apo një projekt thellësisht në shërbim të autokracisë.
1 Profesor Robert Dahl (1915–2014) konsiderohet botërisht si “arkitekti” i teorisë moderne të demokracisë.
/Gazeta Panorama