Bliri i qyteteve, burim ekonomik që mund të shfrytëzohet
Besnik Fishta

Çdo fund pranvere dhe fillim vere, qytetet tona mbushen me aromën karakteristike të blirit në lulëzim. Në shumë rrugë të Tiranës, por edhe në qytete të tjera të vendit Shkodër, Peshkopi etj, qindra pemë bliri shndërrohen për disa javë në një nga bukuritë më të veçanta të peizazhit urban. Era e ëmbël e luleve të tij krijon një ndjesi qetësie dhe freskie, ndërsa qytetarët kalojnë nën hijen e tyre shpesh pa menduar se mbi kokat e tyre ndodhet edhe një pasuri me vlera të njohura mjekësore e ekonomike. Por, sapo mbaron lulëzimi, përsëritet një pamje e zakonshme, lulet bien në tokë, përzihen me pluhurin dhe mbetjet urbane dhe zhduken pa lënë gjurmë. Ajo që në vende të tjera do të konsiderohej një burim natyror i administrueshëm, tek ne trajtohet si diçka që duhet lënë të humbasë.
Lulja e blirit nuk është thjesht aromë apo zbukurim qyteti. Ajo njihet prej shekujsh në mjekësinë popullore dhe fitoterapi si bimë me veti qetësuese, djersitëse dhe ndihmëse në gjendje virale, temperaturë, kollë, gjendje ankthi dhe pagjumësie. Çaji i blirit mbetet ndër produktet natyrore më të përdorura në familjet shqiptare. Tregu farmaceutik e dëshmon qartë vlerën e tij: sot rreth 40 gram lule të thata bliri kushtojnë afërsisht 150 leke, një çmim që tregon se kemi të bëjmë me një produkt me kërkesë reale tregu dhe jo me një vlerë simbolike. Nëse vetëm në Tiranë numërohen me qindra pemë bliri, lind natyrshëm pyetja: sa qindra kilogramë lule humbasin çdo vit pa asnjë përpjekje për t’u administruar? A mund të quhet normale që një burim me vlerë të njohur tregtare dhe shëndetësore të lihet të kalbet në trotuare?
Sigurisht, dikush mund të thotë se pemët ndodhen në hapësira publike dhe qytetarët nuk mund të ndërhyjnë sipas dëshirës. Kjo është e kuptueshme. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia duhet parë tek pushteti vendor, i cili administron hapësirat e gjelbra urbane. Bashkitë mund të ndërmarrin programe të organizuara sezonale për mbledhjen e luleve të blirit, duke angazhuar punonjës sezonalë, të rinj, pensionistë aktivë apo familje në nevojë. Me mjete të thjeshta pune, shkallë profesionale, gërshërë të posaçme dhe pajisje mbrojtëse, lulja mund të mblidhet pa dëmtuar degët apo vetë pemën. Një organizim i tillë do të sillte të paktën tri përfitime të prekshme.
Së pari, do të shmangej humbja e një pasurie natyrore që sot lihet pa vlerë.
Së dyti, do të krijoheshin mundësi punësimi sezonal dhe të ardhurash të ndershme për shtresa të ndryshme të popullsisë.
Së treti, produkti i grumbulluar mund të shërbente jo vetëm për tregun vendas farmaceutik, por edhe për eksport, përmes rrjeteve të grumbulluesve të bimëve mjekësore, një sektor që Shqipëria tashmë e njeh dhe ku ka përvojë.
Megjithatë, çdo diskutim serioz duhet të pranojë edhe sfidat. Jo çdo lule bliri e mbledhur në qytet mund të konsiderohet automatikisht e sigurt për përdorim medicinal, për shkak të ndotjes nga trafiku, pluhuri urban apo substancat ndotëse. Por kjo nuk është arsye për të hequr dorë. Përkundrazi, është argument për administrim me standard duke bere përzgjedhje të pemëve në zona më pak të ndotura, ne zonat paqarkullim makinash(pedonale), te kete analiza laboratorike periodike dhe tharje në kushte higjienike.
Në vende të ndryshme europiane ekzistojnë modele që mund të shërbejnë si frymëzim. Në Gjermani dhe Austri, praktika e mbledhjes së kontrolluar të bimëve urbane (“urban foraging”) pranohet në forma të caktuara dhe qytetarët orientohen se çfarë mund të mblidhet pa dëmtuar mjedisin. Në disa qytete të Zvicrës, pemët frutore publike administrohen në mënyrë që produkti të mos humbasë, ndërsa në Francë janë zhvilluar nisma të tilla, ku hapësirat urbane nuk konsiderohen vetëm dekorative, por edhe funksionale për komunitetin. Edhe në vende të Europës Lindore, si Polonia, Bullgaria apo Rumania, lulja e blirit mblidhet gjerësisht për treg medicinal dhe eksport.
Atëherë, pse Shqipëria duhet të vazhdojë të humbasë çdo vit këtë mundësi? A është vendi ynë aq i pasur sa të lejojë shpërdorimin e një burimi natyror me vlerë ekonomike, shëndetësore dhe sociale? Apo ndoshta ka ardhur koha që pushteti vendor ta shohë më ndryshe këtë pasuri të heshtur, që sot bie në tokë bashkë me aromën e saj? Bliri i qyteteve nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim aromash të bukura për disa javë vere. Me pak organizim, vullnet dhe përgjegjësi, ai mund të kthehet në një model të vogël, por domethënës, të ekonomisë së gjelbër dhe të menaxhimit të mençur të pasurive urbane.