Albspirit

Media/News/Publishing

EDMOND BRAHIMAJ, KRYEGJYSH BOTËROR, MISIONAR I DENJË I BEKTASHIZMIT

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Edmond Brahimajn e kam njohur rreth viteve ’80, kur ishte student ushtarak në ish-Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Ai ishte në B3K dhe unë në B2K. Ishim në të njëjtën godinë, por ai në katin e tretë dhe unë në të dytin. Jeta në atë kohë kishte një ritëm të veçantë, ku disiplina dhe rinia bashkëjetonin e harmonizoheshin, me imponim, brenda mureve të këtij institucioni të madh, ku studionin mbi dy mijë studentë dhe jepnin mësim rreth 320 pedagogë. Dita niste me zgjimin nga boria, me rreshtime pa fund, me rregull, por edhe me shumë zhurmë kambalesh. Sheshi gjigant i shkollës ishte vendi ku rreshtoheshim; aty uniformat e gjelbra, hapat e sinkronizuar dhe zëri i komandantëve e komisarëve ishin ligj dhe krijonin një atmosferë që të sillte ndër mend se po formoheshin oficerët e ardhshëm të vendit, të gatshëm për mbrojtje dhe deri në sakrifikim, “deri në pikën e fundit të gjakut” për atdheun.

Përtej rigorozitetit ushtarak, shkolla ishte edhe një botë e gjallë rinore, me hove dhe vrulle të rinisë. Në auditorë zhvilloheshin leksione të ngarkuara me dije profesionale ushtarake. Pedagogët, me përvojën dhe përkushtimin e tyre, përpiqeshin të formonin jo vetëm kuadro të aftë, por edhe karaktere të forta dhe, mbi të gjitha, disiplinë. Studentët vinin nga çdo krahinë e Shqipërisë, duke sjellë me vete zakone, kujtime, kulturë dhe ëndrra të ndryshme.

Stërvitjet në terren, marshimet e gjata dhe orët e edukimit fizik ishin pjesë e pandarë e jetës së përditshme gjatë gjithë viteve të studimeve. Stërvitja dimërore në Feken dhe ajo verore në Karpen të Kavajës ishin të përbashkëta, ku shiheshim e vraponim në dimër, mes erërave, baltës, stërvitjeve në Tufinë e jo vetëm, ku provonim veprimet taktike, qitjet në poligon, studimin, provimet teorike e praktike, të cilat natyrshëm krijonin edhe miqësi që mbeteshin të pashlyeshme për gjithë jetën.

Edhe kur përfunduam shkollën, ëndrrat ishin “në dorë të urdhrit”. Planet për të ardhmen i vuloste urdhri, disiplina e hekurt dhe detyra sublime: “Mbrojtja e Atdheut, detyrë mbi detyrat”. Në kujtesën tonë, periudha e studimeve ka qenë e mbushur me sakrifica, me formim fizik e profesional, por edhe me një shoqëri të sinqertë. Për këtë periudhë ka shkruar më bukur Baba Mondi në intervistat e shumta të tij, por edhe në botime librash.

Vitet kaluan. Burgosja e besimeve përfundoi bashkë me regjimin. Edmond Brahimaj shërbeu pak vite në strukturat e ushtrisë, ndërsa në shpirtin e tij, në pritje, jetonte tradita e të parëve. Bektashizmi po rilindte nën një epokë të re. Në një ditë plot diell e dritë, erdhi në Arkivin e Ushtrisë Baba Mondi, me veshjen e bardhë që e bënte të ndriçonte edhe vetë vendin, për të marrë një dokument arkivor nga Arkivi Ushtarak Shqiptar, me qëllim vijimin e studimeve master në qytetin e Tetovës, ku edhe shërbente në atë kohë. Edhe Arkivi dukej sikur u mbush me bekime dhe ishte nder t’i shërbeje Baba Mondit, i cili që prej 11 qershorit 2011 është kreu i tarikatit bektashi dhe që shërben me dinjitet për të sotmen dhe të ardhmen e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Në Librin e Nderit të AQFA-së, Baba Mondi shkroi: “Tiranë, më 8.12.2009. Unë, Baba Edmond Brahimaj, ish-ushtarak (skënderbegas) dhe ish-student i Shkollës së Lartë të Bashkuar, kam ardhur të marr dëftesën e shkollës së mesme dhe të shkollës së lartë për të vazhduar studimet pasuniversitare dhe jam befasuar… Falënderoj drejtorin dhe punonjësit e Arkivit për pritjen dhe shërbimin korrekt… Me respekt e dashuri, Zoti ju bekoftë të gjithëve. Baba Edmond Brahimaj.”

Jeta do të vijonte dhe Baba Mondi do të ngrihej si rrallë ndonjë klerik në vend. Fakt është se në mjaft aktivitete pranë tij, në Kryegjyshatë dhe në teqetë bektashiane, të cilat janë të hapura për të gjithë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të rëndësishëm të botës akademike shqiptare e më gjerë, për atë çka ai përfaqëson dhe për mirësinë njerëzore që rrezaton.

Kryegjyshi Botëror që e shndërroi Shqipërinë në qendër të dialogut shpirtëror ndërkombëtar

Është fakt se në historinë e kombeve ka momente kur figura të caktuara arrijnë të tejkalojnë kufijtë e funksioneve që mbajnë dhe shndërrohen në simbole të identitetit, kulturës dhe përfaqësimit ndërkombëtar të vendit të tyre. Në Shqipërinë e tranzicionit postkomunist, një prej këtyre figurave më të njohura, pas Baba Reshat Bardhit, është pa dyshim Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur gjerësisht si Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve dhe udhëheqësi më i lartë i një prej traditave më të vjetra mistike të Islamit. Rrugëtimi i tij ndër dekada përmbledh në vetvete një histori të veçantë shqiptare: nga formimi si oficer i ushtrisë në vitet e regjimit komunist deri te udhëheqja shpirtërore e një komuniteti besimtar me shtrirje ndërkombëtare, selia botërore e të cilit ndodhet në Tiranë. Pak figura të besimit në Europën moderne kanë përjetuar një transformim kaq domethënës personal e institucional, ndërsa edhe më të rralla janë ato që kanë arritur ta lidhin misionin fetar me përfaqësimin kulturor dhe kombëtar.

Bektashizmi, tashmë mjaft i njohur, i themeluar mbi mësimet e Haxhi Bektash Veliut në shekullin XIII, përfaqëson një traditë që ndër shekuj ka predikuar urtësinë, dashurinë për njeriun, tolerancën dhe bashkëjetesën. Pas ndalimit të urdhrave sufistë në Turqi nga reformat e Ataturkut, qendra botërore e këtij urdhri u vendos në Shqipëri në vitin 1930, duke i dhënë vendit tonë një rol unik në historinë e besimeve botërore. Që prej asaj kohe, Tirana është bërë kryeqendra shpirtërore e bektashinjve në mbarë botën. Megjithatë, rruga e këtij komuniteti nuk ka qenë e lehtë. Përndjekjet gjatë periudhave të ndryshme historike, shpërndarja e komuniteteve në Ballkan dhe ndalimi total i fesë gjatë diktaturës në vitin 1967 e vunë në provë ekzistencën e të gjitha besimeve dhe urdhrave fetarë. Teqetë u mbyllën, bibliotekat u shkatërruan, klerikët u internuan e u persekutuan, por tradita mistike bektashiane u ruajt në zemrën e popullit dhe mbijetoi në kujtesën e besimtarëve dhe në trashëgiminë shpirtërore të familjeve shqiptare.

Rikthimi i lirisë fetare pas vitit 1990 hapi një kapitull të ri. Pikërisht në këtë moment historik del në pah figura e Edmond Brahimajt. Duke lënë pas karrierën ushtarake, ai iu përkushtua ringritjes së komunitetit bektashian, duke u bërë pjesë e brezit të klerikëve që rindërtuan nga themelet institucionet e shkatërruara nga ateizmi shtetëror. Brenda pak vitesh, ai u ngjit në hierarkinë bektashiane dhe, në vitin 2011, u zgjodh Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, pas ndarjes nga jeta të Kryegjyshit Reshat Bardhi. Nën drejtimin e tij, Kryegjyshata Botërore në Tiranë ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetin ndërkombëtar. Takimet me liderë fetarë e politikë, pjesëmarrja në konferenca globale të dialogut ndërfetar dhe promovimi i modelit shqiptar të harmonisë fetare kanë bërë që emri i Shqipërisë të përmendet shpesh në forume ndërkombëtare si shembull i bashkëjetesës mes feve. Në një epokë kur bota përballet me konflikte identitare, ekstremizëm dhe përplasje kulturore, mesazhi i Baba Mondit ka qenë i pandryshueshëm: “Besimi është dhe duhet të jetë urë komunikimi, e jo mur ndarjeje”. Aktualisht, përtej rolit të tij drejtues fetar, Baba Mondi konsiderohet një prej ambasadorëve më të rëndësishëm të diplomacisë shpirtërore shqiptare, duke përfaqësuar një traditë me miliona ndjekës e simpatizantë në botë dhe që e ka qendrën e saj në Tiranë, një fakt me peshë të veçantë historike e kulturore për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Në thelb të filozofisë së tij qëndron një devizë që e ka identifikuar prej kohësh komunitetin bektashian shqiptar: “Pa Atdhe nuk ka fe”. Kjo thënie nuk përbën vetëm një moto fetare, por një koncept që lidh besimin me përgjegjësinë qytetare, me shpirtin dhe identitetin kombëtar, si edhe me shërbimin ndaj Zotit dhe njerëzve. Për këtë arsye, figura e Baba Mondit nuk mund të shihet vetëm si ajo e një udhëheqësi fetar. Ajo përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare, një histori ku Shqipëria, përmes bektashizmit dhe udhëheqjes së Kryegjyshit të saj Botëror, vazhdon të projektojë në arenën ndërkombëtare vlerat e tolerancës, paqes dhe dialogut mes qytetërimeve.

Nga radhët e ish-Ushtrisë Popullore te Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve

Figura e Baba Edmond Brahimajt përfaqëson sot, pa dyshim, një nga personalitetet më të rëndësishme fetare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ai është mjaft i njohur nga besimtarët dhe opinioni publik, të cilët e thërrasin me emrin “Baba Mondi”, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, udhëheqësi më i lartë i këtij komuniteti, i cili prej vitit 1930 ka selinë botërore në Tiranë.

Edmond Brahimaj ka lindur më 19 maj 1959 në Tiranë, në një familje me tradita të hershme e të fuqishme bektashiane, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Fëmijëria dhe rinia e tij kaluan gjatë periudhës së regjimit komunist, kur besimi fetar ishte ndaluar me ligj, por nuk mundi të shuhej asnjëherë. Në mënyrë kronologjike, jeta e Baba Mondit ka vijuar kështu: pas përfundimit të shkollës tetëvjeçare, ai ndoqi studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas studimet e larta në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”. Nga viti 1982 deri në vitin 1990 shërbeu në funksione të ndryshme ushtarake në Burrel dhe Peshkopi.

Me ringjalljen e besimit bektashian në fillim të viteve ’90, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, mori pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij, u lirua nga detyra ushtarake, duke marrë përsipër barrën e organizimit dhe ringritjes së Komunitetit Bektashian. Në kushtet më të vështira, atëherë kur ushtrimi i besimit në Shqipëri ishte ndaluar me një nen të veçantë të Kushtetutës, shtëpia e prindërve të tij në Tiranë shërbeu për mbajtjen gjallë të traditës bektashiane, duke rrezikuar shumë përballë një regjimi që nuk falte. Më 2 janar 1992 mori dorë nga udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi, dhe nga Baba Bajram Mahmutaj, duke u inkuadruar përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur Haxhi Bektash Veliut. Këtu zë fill edhe karriera e tij fetare. Më 16 maj 1996 u konsakrua me urdhrin “Dervish” dhe menjëherë u ngarkua me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Korçës, në Teqenë e Turanit. Puna e tij e palodhur për vazhdimësinë dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë bëri që, më 13 prill 1997, të dekretohej me titullin “Baba”. Pas kalimit nga kjo jetë të Baba Bajram Mahmutajt, ai u caktua zëvendësi i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në vitin 2004 kreu pelegrinazhin e Haxhit në Mekë, duke marrë titullin Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në vitin 2006 u emërua drejtues i Teqesë së njohur Harabati Baba në Tetovë, një prej qendrave historike të bektashizmit në Ballkan. Më 11 qershor 2011 u zgjodh Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, pas ndarjes nga jeta të Kryegjyshit Reshat Bardhi. Ai është Kryegjyshi i tetë Botëror i periudhës shqiptare të bektashizmit.

Prej më shumë se një dekade e gjysmë ai drejton Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me qendër në Tiranë dhe përfaqëson komunitetin në aktivitetet më të rëndësishme ndërfetare ndërkombëtare.

Nëse kthehemi pas në kohë, rënia e sistemit komunist dhe rikthimi i lirisë fetare në fillim të viteve ’90 shënuan kthesën më të madhe dhe më domethënëse në jetën e Baba Mondit. Ai braktisi karrierën ushtarake për t’iu përkushtuar rrugës shpirtërore të bektashizmit. Në vitin 1992 filloi studimet dhe formimin e tij fetar në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Pas viteve të përgatitjes dhe përkushtimit, ai mori gradat e larta të hierarkisë bektashiane, duke u bërë dervish, baba dhe më pas një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryegjyshit Reshat Bardhi.

Pas ndarjes nga jeta të Reshat Bardhit, më 11 qershor 2011, Këshilli i Baballarëve e zgjodhi Edmond Brahimajn Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Që prej asaj dite, ai është kthyer në simbol të vazhdimësisë së traditës bektashiane dhe të përfaqësimit të saj në nivel ndërkombëtar. Udhëheqja e tij karakterizohet nga mesazhet e paqes, tolerancës fetare, dialogut ndërkulturor, respektit për kombin shqiptar, si dhe respektit për kombet e tjera. Motoja e njohur e bektashinjve lidhet para së gjithash me unitetin e Atdheut dhe besimit dhe përbën një nga shtyllat kryesore të filozofisë së tij. Në shumë veprimtari ai ka theksuar se besimi dhe dashuria për Atdheun nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri, duke e parë kombin si shtëpinë shpirtërore të çdo besimtari shqiptar.

Tradita bektashiane në rritje në Shqipëri, nga Haxhi Bektash Veliu deri në ditët tona

Si çdo besim, edhe bektashizmi ka historinë dhe traditën e tij, e cila lidhet me figurën e Haxhi Bektash Veliut, mistikut të madh të shekullit XIII, i cili predikoi një Islam të mbështetur në dashurinë njerëzore, urtësinë, tolerancën dhe respektin ndaj njeriut. Mësimet e tij u përhapën fillimisht në Anadoll dhe më pas në Ballkan, duke krijuar një traditë të veçantë shpirtërore, e cila vijon fuqishëm edhe në ditët tona. Në trojet shqiptare, bektashizmi gjeti terren të përshtatshëm falë karakterit të hapur dhe tolerant të popullsisë. Teqetë bektashiane u shndërruan jo vetëm në qendra fetare, por edhe në institucione kulturore dhe kombëtare. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shumë patriotë shqiptarë gjetën mbështetje në teqetë bektashiane, ku ruhej gjuha shqipe dhe përhapej ideja e lirisë kombëtare.

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, pas luftërave të gjata dhe reformave të ndërmarra nga shteti i ri kemalist i Ataturkut, aktiviteti i urdhrit bektashian në Turqi u kufizua. Për këtë arsye, në vitin 1930, qendra botërore e bektashizmit u vendos përfundimisht në Shqipëri, duke e kthyer Tiranën në kryeqendrën shpirtërore të bektashinjve të mbarë botës.

Regjimi komunist nuk goditi vetëm bektashinjtë, por rëndësoi jetën e të gjitha komuniteteve fetare. Në vitin 1967 u mbyllën të gjitha institucionet e besimit, përfshirë edhe teqetë bektashiane. Kjo u shoqërua me përndjekje, me mbylljen e objekteve të kultit, me shkatërrime dhe, në shumë raste, me shndërrimin e tyre në magazina apo institucione shtetërore. Megjithatë, këto objekte, edhe pse të mbyllura, mbetën në kujtesën dhe ndërgjegjen e besimtarëve. Kështu, tradita bektashiane mbijetoi në kujtesën e tyre dhe në shtëpitë shqiptare vazhduan të festoheshin Sulltan Nevruzi dhe ritet e tjera bektashiane. Pas kësaj periudhe izolimi erdhi koha e ringritjes dhe e rigjallërimit. Kryegjyshata Botërore rifilloi veprimtarinë e saj, u hapën teqe të reja dhe u rikthyen ritualet tradicionale. Sot, bektashizmi përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë shpirtërore shqiptare dhe një model të rrallë të bashkëjetesës fetare në botë.

Rikthimi i lirisë fetare shënoi fillimin e një epoke të re për komunitetin bektashian. Shumë teqe dhe tyrbe, që kishin mbetur të rrënuara gjatë komunizmit, nisën të restaurohen ose të rindërtohen nga themelet, një proces që vazhdon edhe sot dhe pritet të vijojë edhe në të ardhmen.

Natyrisht, në këtë proces një rol të veçantë kanë luajtur Kryegjyshata Botërore dhe drejtuesit e saj. Fillimisht nën udhëheqjen e Kryegjyshit Reshat Bardhi dhe më pas të Baba Edmond Brahimajt, u ndërmorën projekte të shumta restaurimi në të gjithë Shqipërinë. Ndër objektet më të njohura janë teqetë historike në Krujë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Korçë, Elbasan, Mallakastër dhe në zona të tjera ku bektashizmi ka pasur rrënjë të hershme.

Krahas restaurimit fizik, rëndësi të veçantë mori edhe rikthimi i jetës fetare, edukimi i brezave të rinj dhe organizimi i pelegrinazheve tradicionale. Një ndër qendrat më të rëndësishme mbetet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, e cila sot është jo vetëm qendër administrative fetare, por edhe një institucion që promovon dialogun ndërfetar dhe vlerat universale të paqes. Ringritja e objekteve të kultit nuk ka pasur vetëm një dimension fetar. Ajo ka kontribuar edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, në zhvillimin e turizmit kulturor dhe në forcimin e identitetit historik të komuniteteve lokale. Në shumë zona, teqetë janë kthyer në pika referimi për jetën sociale dhe kulturore të banorëve. Nuk është rastësi që Baba Mondi ua kujtoi besimtarëve, pak ditë më parë, shprehjen e njohur popullore: “Pse teqe u bëmë këtu?”. Në fakt, teqetë janë ndër të paktat institucione që kanë qenë gjithmonë me derën e hapur për këdo, me zemër të hapur dhe me bukë për mikun. Kjo përbën një nga vlerat më të veçanta dhe më fisnike të traditës bektashiane.

Bektashinjtë në botë nën drejtimin e Baba Edmond Brahimajt

Në fillim të shekullit XXI, komuniteti bektashian u përball me sfida të reja globale, si identiteti fetar, organizimi institucional në diasporë dhe përfaqësimi ndërkombëtar i një tradite disa-shekullore. Në këtë periudhë, drejtimi i Kryegjyshit Botëror, Baba Edmond Brahimaj, shënoi një fazë të re konsolidimi dhe zgjerimi të pranisë bektashiane në botë.

Ndërkohë, Qendra Botërore e Bektashinjve në Tiranë përfaqëson sot selinë më të rëndësishme të këtij komuniteti fetar, një status që Shqipëria e mban prej 96 vitesh, pra që prej vitit 1930, kur udhëheqja botërore e urdhrit u transferua nga Turqia në Shqipëri nga shenjtori Haxhi Njazi Dede.

Ky fakt historik e ka bërë vendin tonë jo vetëm një qendër kombëtare të bektashizmit, por edhe një pikë referimi ndërkombëtare për miliona besimtarë dhe simpatizantë të traditës sufiste bektashiane. Sot, komunitetet bektashiane gjenden në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Turqi, Bullgari, Greqi, Bosnje-Hercegovinë, Rumani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në disa vende të Evropës Perëndimore. Në shumë prej këtyre vendeve funksionojnë teqe, qendra kulturore, organizata fetare dhe shoqata që ruajnë traditat e urdhrit.

Nën drejtimin e Baba Mondit janë intensifikuar marrëdhëniet me komunitetet bektashiane jashtë Shqipërisë. Janë organizuar konferenca ndërkombëtare, takime me studiues të religjioneve, forume dialogu ndërfetar dhe vizita të shumta në qendrat historike të bektashizmit në Ballkan dhe Anadoll. Një nga karakteristikat kryesore të kësaj periudhe është përpjekja për ta paraqitur bektashizmin si një model të Islamit tolerant, humanist dhe paqësor. Në një kohë kur bota është përballur me radikalizmin fetar dhe konfliktet identitare, Kryegjyshata Botërore ka promovuar vazhdimisht mesazhin se feja duhet të shërbejë si urë bashkimi dhe jo si instrument përçarjeje.

Ndikimi ndërkombëtar i këtij komuniteti u vu re edhe në debatet e viteve të fundit mbi statusin e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, e cila është konsideruar nga personalitete politike evropiane dhe botërore si një simbol unik i bashkëjetesës fetare. Shqipëria vazhdon të përmendet shpesh si një nga modelet më të suksesshme të harmonisë ndërfetare në Evropë, dhe bektashizmi përbën një nga shtyllat kryesore të këtij modeli.

Veprimtaria kombëtare dhe ndërkombëtare e Baba Edmond Brahimajt në zhvillimin e mëtejshëm të bektashizmit lidhet mbi të gjitha me reflektimin mbi virtytet, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Në imazhin njerëzor, Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i referohet shpesh Haxhi Bektashit dhe shprehjes së tij të mirënjohur: “Ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij”. Që nga zgjedhja e tij në krye të Kryegjyshatës Botërore 15 vite më parë, Baba Edmond Brahimaj ka zhvilluar një aktivitet të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar në funksion të forcimit institucional të komunitetit bektashian. Prioritet kryesor i tij ka qenë restaurimi dhe zgjerimi i infrastrukturës fetare. Në Shqipëri janë rindërtuar, restauruar ose rikonstruktuar dhjetëra teqe, tyrbe dhe qendra komunitare. Ndërkohë, janë rritur investimet në arkivat historike, bibliotekat dhe ruajtjen e trashëgimisë dokumentare të urdhrit.

Selia Botërore në Tiranë disponon sot muze, bibliotekë, fonde të rëndësishme dokumentare arkivore dhe hapësira të posaçme studimore që përdoren nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Kjo e ka kthyer Kryegjyshatën jo vetëm në institucion besimi, por edhe në një qendër kërkimi për historinë e bektashizmit dhe kulturës shqiptare. Është mjaft e njohur se, në nivel ndërkombëtar, Baba Mondi ka zhvilluar takime me udhëheqës fetarë të krishterë, myslimanë, hebrenj dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë në forume për dialogun e qytetërimeve, tolerancën fetare dhe paqen globale, duke e paraqitur Shqipërinë si shembull të bashkëjetesës harmonike.

Në mjedisin mediatik dhe publik shpesh përmenden shifra të ndryshme të besimtarëve që identifikohen me traditën bektashiane në botë. Megjithatë, studiuesit kombëtarë dhe ndërkombëtarë japin vlerësime më të kujdesshme enciklopedike dhe akademike për miliona besimtarë e simpatizantë në shkallë planetare. Këto komunitete shtrihen në disa kontinente dhe vazhdojnë të ruajnë lidhje shpirtërore me qendrën botërore në Tiranë. Por Baba Mondi, me maturi, kërkon që të ketë njohje të thellë, të organizuar dhe të regjistruar. Nga ana tjetër, një moment historik për rëndësinë ndërkombëtare të komunitetit ishte diskutimi i nisur dy vite më parë për njohjen e një statusi të veçantë të Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, sipas modelit simbolik të Vatikanit. Ky zhvillim tërhoqi vëmendjen e mediave më të mëdha botërore dhe e vendosi edhe një herë Baba Mondin në qendër të debatit ndërkombëtar mbi rolin e besimit, por edhe në promovimin e paqes dhe tolerancës ndërfetare.

Në veprimtarinë publike, Kryegjyshi Botëror ka theksuar vazhdimisht se bektashizmi nuk është thjesht një institucion fetar, por një shkollë shpirtërore që mbështetet në dashurinë për njeriun, respektin për tjetrin, lirinë e ndërgjegjes dhe atdhedashurinë. Pikërisht për këtë arsye, motoja e unitetit “Atdhe-Fe” vijon të mbetet një nga identifikimet më të forta të komunitetit.

Vlerësimet, nderimet dhe dekorimet për Baba Edmond Brahimajn në Shqipëri dhe në botë

Figura e Baba Edmond Brahimajt ka fituar gjatë viteve respekt jo vetëm brenda komunitetit bektashian, por edhe në qarqet akademike, diplomatike dhe institucionale shqiptare e ndërkombëtare. Ai është vlerësuar nga institucione shtetërore, organizata kulturore, bashki, universitete dhe shoqata të ndryshme për kontributin në forcimin e harmonisë fetare, ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe promovimin e paqes. Këtu nuk synohet të bëhet një listim i tyre, por të theksohen vlerat që i shtohen institucionit. Në Shqipëri, Baba Mondi konsiderohet një nga zërat më të rëndësishëm të dialogut ndërfetar. Pjesëmarrja e tij në aktivitetet kombëtare përkujtimore, festimet shtetërore dhe ceremonitë ndërfetare e ka bërë një figurë të njohur në jetën publike shqiptare. Në shumë raste ai ka marrë mirënjohje dhe tituj nderi nga institucione lokale dhe organizata të shoqërisë civile.

Në arenën ndërkombëtare, ai është pritur nga liderë politikë, diplomatë, përfaqësues fetarë dhe studiues të religjioneve. Mesazhet e tij për tolerancën dhe bashkëjetesën janë cituar në konferenca ndërkombëtare dhe aktivitete kushtuar paqes globale. Një nga vlerësimet më të mëdha që i bëhet sot figurës së tij është fakti se ai drejton qendrën botërore të një tradite fetare me histori mbi tetë shekuj, e cila ka mbijetuar përmes persekutimeve, ndalimeve dhe transformimeve të mëdha historike. Vetë ekzistenca e Selisë Botërore në Tiranë konsiderohet nga studiuesit, analistët dhe profesorët si një ndër sukseset më domethënëse të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore shqiptare në nivel ndërkombëtar.

Historiani i njohur shqiptar Kristo Frashëri, në studimet mbi Rilindjen Kombëtare, ka evidentuar vazhdimisht rolin e teqeve bektashiane si qendra të ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Studiuesi Robert Elsie i konsideronte institucionet bektashiane pjesë të trashëgimisë më të rëndësishme kulturore dhe shpirtërore shqiptare. Ndërsa profesorja Nathalie Clayer, një prej albanologeve më të njohura franceze, ka trajtuar në studimet e saj ndikimin e bektashizmit në formimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe lidhjen e tij me proceset politike të shekujve XIX–XX. Historiani britanik Miranda Vickers ka theksuar se urdhri bektashian luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e nacionalizmit shqiptar dhe në përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe.

Në këtë traditë historike pozicionohet edhe drejtimi i Baba Mondit, i cili e ka orientuar komunitetin drejt dialogut ndërkombëtar dhe diplomacisë shpirtërore. Studiuesit e religjioneve e konsiderojnë bektashizmin një traditë mistike me karakter të veçantë humanist, e cila ndër shekuj ka promovuar tolerancën, urtësinë, respektin ndaj njeriut dhe bashkëjetesën mes komuniteteve të ndryshme fetare.

Sipas studiuesve të Encyclopaedia Britannica, urdhri bektashian u formësua në Anadoll mbi bazën e mësimeve të Haxhi Bektash Veliut dhe më pas u përhap në Ballkan gjatë periudhës osmane. Që prej asaj periudhe, historia ka bërë të vetën, për të ardhur në ditët tona, kur drejtimin e bektashizmit e ka në dorë Baba Mondi. Figura e Haxhi Dede Edmond Brahimajt përfaqëson sot një nga personalitetet më të rëndësishme të jetës shpirtërore shqiptare, pasi ai është udhëheqësi botëror i bektashizmit. Rrugëtimi i tij është një reflektim i transformimeve të mëdha historike që ka kaluar vetë Shqipëria gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Mund të thuhet se, nëse shekulli XIX njohu figurat e mëdha bektashiane të Rilindjes Kombëtare, shekulli XX përjetoi përndjekjen dhe mbijetesën e komunitetit, ndërsa fillimi i shekullit XXI po identifikohet gjithnjë e më shumë me përpjekjen e Baba Mondit për ta paraqitur Shqipërinë si një qendër ndërkombëtare të paqes fetare, tolerancës dhe dialogut mes qytetërimeve dhe civilizimeve.

Aktualisht, emri i Baba Edmond Brahimajt lidhet ngushtë me përpjekjen për ta paraqitur Shqipërinë si një vend të paqes fetare dhe të dialogut mes qytetërimeve. Në një epokë tensionesh globale, ai mbetet një nga figurat më përfaqësuese të diplomacisë shpirtërore shqiptare. Rrugëtimi i tij është domethënës, pasi nga oficer i ushtrisë u bë Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, një transformim i pazakontë njerëzor dhe institucional.

Ky rrugëtim dëshmon qartë se besimi, kultura dhe Atdheu bashkohen në një mision të vetëm në shërbim të njeriut, paqes dhe kombit. Në këtë aspekt, Baba Edmond Brahimaj ka qenë dhe mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të besimit shqiptar të kohës sonë dhe një nga përfaqësuesit më të njohur të Shqipërisë në arenën shpirtërore ndërkombëtare.