Ismet Hajrullahu: Pse Vatikani nuk e njeh Kosovën?
Njëanshmëria e Vatikanit bie ndesh me vetë parimet e Zotit!
Pavarësia e Kosovës është njohur nga mbi njëqind shtete, përfshirë fuqitë më të mëdha të botës, por Selia e Shenjtë ende nuk e ka bërë këtë hap. Ky qëndrim i saj është një padrejtësi ndaj popullit të Kosovës, e njëkohësisht edhe ndaj shenjtores shqiptare Nënë Terezës.
Papa Gjon Pali II, në dialog me ambasadorin serb Darko Tanaskoviq, pyeti: “A ndihen shqiptarët më shumë si shqiptarë apo si myslimanë”? Kjo tregon se për Vatikanin, Kosova nuk është vetëm një çështje politike, por edhe fetare, ndaj trajtohet si problem i ndërlikuar.
Por Papa do te duhej ta dinte se shqiptarët kanë qenë ndër përhapësit e hershëm të krishterimit. Shën Pali dëshmon: “Nga Jerusalemi e deri në Iliri kam predikuar fenë e Krishtit”. Këto troje, këto hapësira, ishin ndër vendet e para që përqafuan besimin e krishterë.
Historikisht, shqiptarët kanë dhënë papë që kanë udhëhequr Kishën Katolike:
Shën Eleutherius (175–189), nga Nikopoli i Epirit, përhapës i gjerë i mesazhit të Biblës.
Shën Caius (283–296), që vendosi hierarkitë e para mes peshkopëve dhe vdiq si martir.
Papa John IV (640–642), nga Dalmacia, që ndihmoi bashkatdhetarët e tij duke liruar skllevërit nga sllavët dhe avarët.
Papa Clement XI (1700–1721), nga familja Albani, mbështetës i Kuvendit të Arbrit dhe i rilindjes politike e fetare të shqiptarëve.
Këta papë ishin personalitete fetare, udhëheqës që dhanë ndihma konkrete për bashkësitë e tyre: përhapën fenë, mbrojtën doktrinën, liruan skllevër, forcuan strukturën e Kishës dhe mbështetën rilindjen kombëtare.
Sot, Kardinali Ernest Simoni përfaqëson shqiptarët në Vatikan, pas dekadave të persekutimit, duke u bërë simbol i besimit dhe qëndresës. Kosova ka dhënë martirë si Shën Flori dhe Shën Lauri, nga Ulpiana e Dardanisë, të cilët u ekzekutuan për besimin e tyre. Trashëgimia e tyre vazhdon të nderohet duke emërtuar një rrugë në Lipjan.
Shenjtorja Nënë Tereza, ambasadorja morale e Kosovës, sensibilizoi botën për vuajtjet e popullit shqiptar. Përmes autoritetit të saj shpirtëror dhe respektit global ndaj sajë, ajo e bëri çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare.
Ndërsa SHBA-ja ka qenë faktori vendimtar për lirinë e Kosovës, duke lobuar dhe vepruar konkretisht për pavarësinë e saj.
Ky kontrast e bën të pakuptimtë mosnjohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë. Për shumë shqiptarë, ky qëndrim shihet si një përkulje ndaj interesave serbo-ruse, duke e vendosur Selinë e Shenjtë në një pozitë të papranueshme morale dhe historike.
Edhe Shqipëria dhe Kroacia kanë kërkuar publikisht njohjen e Kosovës, por Selia e Shenjtë ka zgjedhur të heshtë. Mosnjohja e Kosovës, pavarësisht kërkesave të përsëritura, shihet si pasojë e ndikimit serbo-rus në diplomacinë e Vatikanit.
Mosnjohja është thjesht një izolim diplomatik, dhe një padrejtësi e madhe ndaj shqiptarëve, të cilët kanë kaluar shekuj nën robëri osmane dhe serbe. Sot Kosova është e lirë dhe ka ndërtuar një demokraci ndër më liberale në rajon. Ky realitet e bën edhe më të pakuptimtë njëanshmërinë e Vatikanit, sepse shqiptarët kanë luftuar dhe sakrifikuar për liri e pavarësi, vlera që janë themeli i vetë krishterimit dhe i drejtësisë universale.
Tradita e Kishës Katolike e lidhur me pushtetin politik që nga Edikti i Milanos (313), kur perandori Konstantin i Madh legalizoi krishterimin, e ka bërë Vatikanin të kujdesshëm në vendimet e tij. Por sot, ky kujdes nuk mund të justifikojë mosnjohjen e Kosovës. Kardinali Pietro Parolin ka paralajmëruar se po jetojmë “Luftën e Tretë Botërore në fragmente”.
Papa Françesku ka theksuar se “dialogu nuk do të thotë të anulosh dallimet, por t’i pranosh ato si pjesë të historisë”. Ky vizion e vendos Kosovën në një mozaik më të gjerë të marrëdhënieve ndërfetare dhe politike.
Por sot ka një fakt të ri që nuk mund të injorohet: raportet e jashtëzakonshme mes Kosovës dhe Kroacisë, të konsoliduar në një aleancë ushtarake me Shqipërinë. Ky realitet tregon se Kosova është pjesë e arkitekturës së re të sigurisë europiane.
Mosnjohja e Kosovës është, pra, një mospërputhje morale, historike dhe politike. Selia e Shenjtë duhet ta njohë Kosovën e Nënë Terezës, Shën Laurit, Shën Florit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe papëve me origjinë shqiptare që kanë udhëhequr vetë Kishën Katolike.