Joni Shanaj: Kur universi pluralist vritet në Shqipëri
“Universi pluralist” është koncepti bazë i të sotmes ku përvoja të ndryshme kërkohet të bashkëjetojnë pa u detyruar të shkrihen në një (1) të vërtetë uniformë.
Kjo ide e William James është ndoshta një nga konceptet më thelbësisht amerikane e cila do të jetë e do të mbetet motto e zhvillimit për çdo Botë dhe kohe të Re: Unitet pa uniformitet.
Fatkeqësisht, në Shqipërinë e viteve të fundit, kinematografia jonë është detyruar të ecë në drejtimin krejtësisht të kundërt.
Metodat e propozuara dhe të imponuara nga zyrtarët kulturorë gjatë më shumë se një dekade kanë vrarë sistematikisht pikërisht këtë pluralitet dhe larmishmëri.
Në vend të një universi krijues ku mund të bashkëjetojnë stile, zhanre, metoda pune dhe vizionet artistike të ndryshme, ne kemi marrë një model uniform, të ngurtë dhe të njëanshëm, që synon të formësojë të gjithë kinematografinë shqiptare sipas shijes dhe interesit të një grushti të vogël njerëzish.
Problemi kryesor me “projektligjin” nuk është Ligji, por uniformiteti nga i cili e ka kaq të vështirë të shkëputet vendi dhe që i qëndron si ‘shpata e Damokleut’ mbi kokë Shqipërisë.
Ligji aktual për Kinematografinë në fuqi lejon hapësira të plota për zhvillimin e filmit, ashtu si ka bërë deri më sot, si për bashkëproduksione ashtu edhe për prodhime vendase, duke lënë hapur të gjitha mundësitë për lëvrimin e Filmit dhe Kinematografisë në të gjitha gjinitë, zhanret, metodat e punës dhe ‘outputin’ më të larmishëm plot jetë.
Problemi i kinematografisë shqiptare nuk qëndron tek “Ligji për Kinematografinë”, por tek Statuti në fuqi i QKK-së – një akt i habitshëm i krijuar nga Ministritë e Kulturës në vite, në bashkëpunim me ish-kryetarët e QKK-së të emëruar nga qeveritë.
Ndërhyrjet e bëra në Statut, që mund të jenë të njëjta që nga viti 2003 por janë ndryshuar në vitin 2015, kanë imponuar një stil dhe një metodë të vetme e të caktuar pune, si dhe ndarje pronësie mbi veprën kinematografike të zhvilluar me fonde publike shqiptare. Kjo është implementuar shkel e shko çdo vit të ushtrimit të detyrës nga QKK.
Në vite, eksperimentet e filmit artistik të metrazhit të gjatë me buxhete nën çdo nivel normal e njerëzor, duke përfshirë shkeljen konsekuente të çdo minimumi page dhe minimumi jetik për autorët dhe punonjësit e industrisë, dështuan.
Nuk dihet sa filma kanë përfunduar prej qindra e qindra projekteve të aprovuar nga QKK në vitet 2014–2019, sa prej tyre i përmbushën pritshmëritë e autorëve dhe, mbi të gjitha, cila është gjendja shëndetësore, situata e shëndetit fizik, psikologjik, profesional dhe shoqëror e atyre qindra autorëve të vjetër e të rinj që u hodhën në prodhim për përfundimin e qindra projekteve filmike të nënfinancuara në mënyrë të papërgjegjshme gjatë viteve 2014–2019.
Gjatë atij mandati, QKK dhe Ministria e Kulturës ndryshuan statutin e institucionit duke hapur rrugën e mbështetjes për bashkëproduksionet në minorancë: 55–70 milionë lekë (të vjetra) për kompani shqiptare që bashkohen me produksione nga çdo anë e Ballkanit apo botës, duke kontribuar zakonisht me rreth 5% të buxhetit total.
Preferencë e vazhdueshme politikash bizarre kulturore në dëm dhe diskriminuese ndaj autorëve të rinj shqiptarë, buxheteve të akorduara pêr projektet e tyre të filmit të shkurtër por gjithashtu edhe buxheteve të filmave të metrazhit të gjatë të autorëve të karrierës në zhanret e filmit fiksion, dokumentar art dhe atij të animuar.
Por problemi më i madh real, vrastar për kinematografinë shqiptare gjatë 12 viteve të fundit (të paktën nga viti 2015 e deri sot), është detyrimi i uniformizimit të metodës së zhvillimit të projekteve dhe punës krijuese sipas modelit dhe interesit të një grushti konkurentësh në industri.
Detajet mbeten teknike, por QKK gradualisht u tentua të administrohej si një fond ndërkombëtar filmi, në kohën kur mbeti dhe ende mbetet Qendra Kombëtare e Kinematografisë më e nënfinancuar në Europë dhe në rajon.
Pra, nga njëra anë buxhetet e filmave erdhën gjithnjë e më në ulje, nga ana tjetër pjesa e përgjithshme e fondit për filmin shqiptar, e parashikuar nga Ligji për Kinematografinë, qarkulloi gjithnjë e më tepër drejt produksioneve me autorë jo shqiptarë.
Detyrimi anti-ligjor i keqinterpretimit të Ligjit dhe i interpretimit të tij në Statut si detyrim për bashkëproduksion – sikur Shqipëria duhej të ishte vendi i vetëm në Europë që financon vetëm bashkëproduksione ndërkombëtare – bëri që filmi i krijuar prej autorësh vendas të detyrohej të hynte në një kalvar të stërgjatë kërkimi fondesh dhe bashkëproduksionesh nga vende të tjera.
Nga njëra anë me mundësinë e një financimi pothuaj të papërfillshëm nga vendi i gjenezës, nga ana tjetër pa pasur as të garantuar financimin.
Kushtëzimi më agresiv dhe më anti-industri e anti-biznes mund të quhet detyrimi ndaj shtëpive filmike shqiptare për ndarjen e pronësisë së filmit që marrin përsipër të prodhojnë, me çfarëdo kompanie të regjistruar në një vend tjetër nga Shqipëria.
Kjo edhe pse kompanitë dhe shtëpitë filmike shqiptare sot e gjithë ditën gëzojnë ekspertizë dhe përvojë për të menaxhuar dhe krijuar gjithçka të mundshme në fushën e audiovizualit në Shqipëri – falë revolucionit dixhital dhe aftësive në rritje të djemve e vajzave të dedikuar profesionalisht këtij sektori.
Problemi kryesor për autorin shqiptar ishte dhe mbetet vonesa e tejskajshme në përfundimin e filmave. Kjo ka qenë dhe mbetet vrasja reale e vijueshmërisë së punës së autorëve shqiptarë dhe, mbi të gjitha, faktori kryesor i humbjes së kontaktit të tyre me audiencën tonë.
Sot, me autorë të alienuar nga publiku (që përtej sukseseve personale në ecurinë profesionale mbeten të panjohur nga çdo publik), producentët vendas e kanë më të favorshme të shfrytëzojnë fondin publik për të ofruar shërbime ndaj filmave dhe produksioneve ndërkombëtare që mund të përdorin hapësirat tona për xhirime të çfarëdo lloji ambicieje dhe cilësie.
Tashmë producenti shqiptar, me ndihmën e qeverisë, nuk ka më nevojë të vrasë mendjen apo të mbajë përgjegjësi për kualitetin artistik, impaktin, temën apo trajtimin estetik të filmit për të cilin punon, pasi fondi do të përdoret vetëm për shërbime.
“Shpëton” pra me këtë rast producenti shqiptar nga çdo përgjegjësi dhe peshë që mban dhe mbart në vetvete vepra artistike.
Me këtë rast, Shqipëria u bë vendi i parë europian që detyroi kinematografinë e vet në mënyrë të jashtëligjshme të financohej me fond publik vetëm nëse krijonte prodhime në bashkëpronësi/bashkëproduksione, duke firmosur kështu ‘de facto’ me dorën e saj vdekjen e autorit.
Patjetër që do të gjenden kuislingët e rastit si skuadra pushkatimi që do të brohorasin këtë shpikje të re e të pazakontë të Shqipërisë, por shpresa ime personale dhe e vetme në këtë rast mbetet tek Kryeministri i vendit, i cili, në dijeninë dhe përvojën time personale, nuk mendoj se ka lidhje dhe është i informuar saktë me çfarë është gatuar nën hijen e tij.
Mbi këtë temë, shumë më tepër në vijim…