Murgesha e shquar shqiptare Nënë Tereza pritet krahëhapur në Boston
Peter Prifti
Pashkët e vitit 1976 ishin të veçanta për disa shqiptarë në Boston (dhe më gjerë), përfshirë edhe gazetarin e shkrimit. Sepse në atë ditë, më 25 prill, saktësisht në orën 2 të pasdites, një nga tanët, Nënë Tereza e Kalkutës, përcolli një mesazh Pashke për dashurinë dhe përtëritjen përpara audiencës në Auditorin Civil Hynes, në Qendrën tregtare Prudential të Bostonit.
Ishte rastësi interesante që Nënë Tereza foli aty ndërkohë që bashkëkombësit e saj shqiptarë po festonin meshën e Pashkëve në kishat e tyre. Secili lartësonte Krishtin e ringjallur, ndonëse në vende dhe rrethana disi të ndryshme. Në të vërtetë, pak shqiptarë në zonën e Bostonit dukej se e dinin që ajo ndodhej aty.
Unë isha një nga të paktët fatlumë që, rastësisht, mësova për ardhjen e saj të pabujshme në qytet. Po them, fatlum, sepse kisha kohë që dëshiroja ta shihja dhe ta dëgjoja atë personalisht. Nuk mund të kisha kërkuar një dhuratë më të mirë për Pashkë. (Megjithëse unë nuk e takova, disa shqiptarë sipërmarrës nga Uster arritën ta takonin pas kuintave para dhe pasi mbajti fjalën e saj.)
Mijëra njerëz që erdhën për të dëgjuar Nënë Terezën e pritën me duartrokitje të ngrohta duke qëndruar në këmbë teksa ajo shoqërohej Kardinali Humberto Medeiros drejt foltores. Kryepeshkop i Bostonit Imzot Medeiros e prezantoi atë si “një grua të jashtëzakonshme dhe megjithatë jashtëzakonisht modeste“ dhe si “një grua të madhërishme të Zotit me një mesazh paqeje të thjeshtë, por shumë të ndjerë“. Ai tha se prania dhe mesazhi i saj ishin veçanërisht të rëndësishme për Bostonin në këtë kohë, duke pasur parasysh klimën e trazuar sociale që ka mbërthyer qytetin.
Nënë Tereza, emri i vajzërisë i së cilës është Agnes Gonxhe Bojaxhiu, është një grua shtatshkurtër, aq e vogël në fakt, saqë kur u ngrit për të folur, mezi i dukej pjesa e sipërme e kokës mbi foltore. Mirëpo ajo e gjeti zgjidhjen sakaq duke marrë mikrofonin në dorë dhe duke dalë përpara foltores për të folur. Nënë Tereza mbante në krye shaminë e bardhë të zakontë dhe një veshje të stilit oriental që ngjante me çitjane të derdhura. Sa herë që falënderonte publikun për duartrokitjet, ajo bashkonte duart përpara vetes në shenjë lutjeje, sipas traditës Hindu. Ishte një gjest me shumë hir.
Nënë Tereza është tani në të mesat e të gjashtëdhjetave, por e tillë është aureola e dritës dhe dashurisë që mbështjell qenien e saj, saqë ajo rrezaton imazhin e një vajze në lule të rinisë. Fliste një anglishte të shkëlqyer, dhe me një zë që ishte i jashtëzakonshëm për nga qartësia dhe qetësia. Zëri i saj, siç ndjeva unë, ishte si një pasqyrë e ideve dhe qenies së saj. Nuk kishte asgjë abstrakte ose të mësuar apo qoftë edhe “fetare” në fjalën e saj. Jo. Ajo fliste me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, sikur të mos i drejtohej një tubimi prej mijëra njerëzish, por sikur bisedonte me secilin prej tyre dhe komunikonte drejtpërdrejt me çdo të pranishëm. Tetorin e kaluar, The New York Times e quajti Nënë Terezën një shenjtore të gjallë. Kjo ndodhi kur ajo foli në Kombet e Bashkuara gjatë Konferencës së Samitit Shpirtëror të OKB-së. Dy muaj më vonë, në dhjetor 1975, revista Time e kishte atë në kopertinën e vet dhe botoi një shkrim ku e përshkruante si “të pashoqe” në botën e sotme të besimit fetar. Do të duhej shumë kohë për të renditur nderimet e shumta dhe njohjen mbarë-botërore që ajo ka fituar si themeluese dhe drejtuese e Misionareve të Bamirësisë. Por tani, që kam qenë në praninë e saj, e kuptoj arsyen për këtë. Ndoshta dëshmia më e mirë e respektit dhe entuziazmit që ajo ngjall te njerëzit erdhi në përfundim të fjalës së saj në Boston. Teksa po ecte përgjatë rreshtave, njerëzit u ngjeshën rreth saj për ta parë nga afër. Disa dukeshin të tunduar për të prekur cepin e rrobës ë saj. Nuk mund të mos mendoja për Jezu Krishtin dhe turmat e njerëzve që grumbulloheshin rreth tij kudo që shkonte, në tokën e Galilesë. “Një njeri i bukur,” dëgjova njerëzit të thoshin rreth meje. Pajtohem me shpirt.
Këndi i Kritikut, Dielli Boston, Mass, Maj 15, 1976, f. 3.
Falenderoj z. Bardhyl Prifti, nga i cili erdhi ideja për ta përkthyer shkrimin e Peter Priftit në shqip. Leandër Prifti uroj t’i pëlqej leximi në origjinal botuar te Gazeta Dielli në 1976 (në arkivin e familjes Prifti) shoqëruar me një shënim timin në 50-vjetorin e botimit në të njëjtën gazetë 2026 Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare. Jemi bërë 4 x Priftërinj këtu. Mirënjohje. Rafaela Prifti.