Albspirit

Media/News/Publishing

Aladin Stafa: Zhvillim për komunitetin apo zhvillim për kapitalin?

Në teori zhvillimi sjell prosperitet dhe shpresë, por në praktikë cuarja përpara e tij ndesh logjikisht edhe pengesa. Shqipëria, si një vend i tillë, me rastin e Zvërnecit na paraqet një konflikt tipik bashkëkohor midis zhvillimit ekonomik, mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtës së pronës private. Ndërtimet turistike dhe projektet e investimeve në zonën e Nartës kanë nxjerrë ditët e fundit në pah një tension të thellë mes kapitalit privat, komuniteteve lokale dhe aktorëve mjedisorë të cilët kërkojnë ruajtjen e aksesit publik dhe ekosistemit.

Ky rast, përtej të parit nga prizmi juridik mbi pronësinë gjë që e ngushton shumë konfliktin, ka nevojë për një analizë më të gjerë ekonomiko-politike. Dhe sot teoria e ekonomistit francez Thomas Piketty mbi ndarjen e pasurisë dhe praktikat europiane të qeverisjes japin një kuadër më të gjerë interpretimi. Një model më të qartë se si shtetet mund të ndërhyjnë për të zbutur pabarazinë ekstreme duke mbrojtur edhe kohezionin social. Teoria e Piketty-t dhe praktikat evropiane japin një model alternativ të kapitalizmit, i njohur si “Modeli Social Evropian”.

Sipas Piketty-t, kapitalizmi ka një tendencë për ta përqëndruar pasurinë në pak duar, aq më tepër kur kthimi apo përfitimi nga investimi i bërë e tejkalon rritjen ekonomike. Me fjalë të tjera, ata që zotërojnë një tokë, prona apo investime kanë mundësi për të akumuluar më shumë pasuri sesa ata që mënyrën e jetesës së tyre e mbështësin tek puna. Kjo situatë e krijuar con padyshim në një shpërndarje të zhvillimit ekonomik të pabarabartë. Dhe nuk ka pse kjo të na habisë, sepse jemi po ne që kemi “luftuar“ për këtë neo-liberalizëm.

Në rastin e Zvërnecit, pikërisht toka dhe bregdeti transformohen në kapital ekonomik përmes turizmit dhe investimeve, duke ngritur pyetjen: po kush përfiton vërtet nga ky projekt?

Nga ana tjetër, një nga keqkuptimet kryesore në debatet publike është ideja se prona private është absolute. Por e vërteta është se, prona private është e kufizuar vetëm nga interesi publik. Dhe është pikërisht shteti, ai i cili këtu mbart një rol, atë të ruajtjes së kompetencave thelbësore përmes planifikimit territorial, legjislacionit mjedisor, sistemit të lejeve të ndërtimit apo dhe mbrojtjes së zonave të ndjeshme ekologjike.

Pra, konflikti në Zvërnec nuk është thjesht një konflikt mes shtetit dhe privatit, por një cështje se si shteti arrin të rregullojë përdorimin e kapitalit privat në hapësira me rëndësi publike.

E meqë Shqipëria prej dekadash i ka pasur sytë nga Europa, e tanimë është edhe më afër se kurrë më parë, modeli europian duhet të shihet si një shembull premtues për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Pika kyce e BE-së është zhvillimi i qëndrueshëm dhe në bazë të tij duhet të rrjedhë dhe zhvillimi territorial. Ekzaktësisht, balancimi i tre dimensioneve: ekonomik, social dhe mjedisor. Në këtë kuadër, edhe kur toka është private, zhvillimi urban I saj nuk lejohet pa konsultime publike, vlerësime të ndikimit mjedisor dhe planifikim rajonal.

Kështu Europa nuk na tregon medoemos vetëm se shteti nuk ka kontroll mbi pronën, por se ajo duhet të jetë kontrolluese e logjikës së përdorimit të saj.

Problemi kryesor në raste si Zvërneci nuk është mungesa e ligjit mbi pronën private, por aplikimi i tij dhe planifikimi afatgjatë. Shqipëria ka vuajtur jashtëzakonisht nga mosplanifikimi infrastrukturor, ku ndërrimi i sistemeve u shoqërua me një kaos kolektiv e ku më shumë prevalonte ligji i “xhunglës“ sesa ai institucional. Bashkëngjitur me fragmentarizimin e vendimarrjes publike dhe mungesës së transparencës nga institucionet, kapitali privat ka lëvizur shumë më shpejt e fuqishëm sesa rregullimi publik duke sjellë pikërisht këtë cekuilibër strukturor midis interesit ekonomik dhe publik.

Por kush përfiton nga zhvillimi?

Një nga skenarët e mundshëm, pa rënë pre e paragjykimit, mund të jetë se fitimet e projektit mund edhe të përqendrohen tek pronarët dhe investitorët, ndërkohë që komuniteti lokal përfiton fare pak nga rritja ekonomike. Atëherë këtu vlen të sjellim ndërmend pikërisht teorinë e Thomas Piketty; frika prej një zhvillimi të pabarabartë ekonomik.

Kjo, nuk do të thotë patjetër se investimet janë gabim në një shoqëri në zhvillim, por përqëndrimi i pasurisë që ato sjellin duhet të fokusohet tek mënyra se si ajo shpërndahet. Tek përfitimet dhe kostot e zhvillimit.

Rasti i Zvërnecit nuk është thjesht një debat mbi ndërtimet në bregdet, por një plagë e thellë e vendit tonë që ka krijuar tension mes kapitalit privat, shtetit dhe interesit publik. Teoria e Th. Piketty-t na ndihmon të kuptojmë mbi përqëndrimin e pasurisë, ndërsa modeli europian bashkëngjitur tij, na tregon se zgjidhja nuk qëndron te kufizimi i pronës private, por tek forcimi i institucioneve me orientim drejt interesit publik.

Në fund, pyetja nuk është nëse duhet të ketë një pronë zhvillim, por si mund të kontrollohet ky zhvillim që të mos përqëndrohet vetëm në disa duar. Dhe kjo mos të cojë asesi në humbje të së mirës publike.