POEZIA E ILIRIAN ZHUPËS-SI PËRGJEGJËSI NDAJ FJALËS SË ZGJEDHUR ARTISTIKE
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Emri i poetit Ilirian Zhupa u shfaq në horizontin letrar, në vitet ’80 të shek. XX, kur ai, së bashku edhe me poetë të tjerë si: Petrit Ruka, Qazim Sheme në Jug, apo Hamit Aliaj, Skënder Buçpapa në Tropojë, Visar Zhiti në Lushnje, sapo kishin kryer studimet e larta, në Institutin Pedagogjik të Shkencës dhe atë të Tiranës.
Krijimtaria e tij poetike e begatë përfshin në gjirin e vet vëllimet poetike: “Diell mbi kaskadë” 1978, “Poezi” 1985, “Mos më pyet ku kam qenë” 1988, “Pema e ëndrrës” 1990, etj, por edhe mjaft cikle poetike të botuara në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, revistën “Nëntori”, por edhe në Prishtinë, Shkup, Ulqin e Tetovë.
Ashtu si poezia e poetëve tanë të shquar, Migjeni, Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, por edhe ajo e Xhevahir Spahiut, Ndoc Gjetjes, Bardhyl Londos e Hiqmet Meçes, edhe poezia e Ilirian Zhupës dhe brezit të vet, u bë vazhduese e këtij moderniteti, duke sjellë një frymë ekzistenciale për poezinë bashkëkohore shqipe.
Ilirian Zhupa është një zë origjinal në poezinë bashkëkohore shqipe, me një vetëdije estetike të hollë dhe vargu i tij është i qëruar nga tepritë, një varg i derdhur, i gdhendur, i cili reflekton edhe një strukturë të ngjeshur të poezisë së tij. Poezia e tij sjell në spikamë gjithashtu, një kujdes të natyrshëm për fjalën e mençur, e cila ngjiz vargun me fuqinë e saj që ndihet menjëherë. Ilirian Zhupa nuk e tepron me kërkime formaliste, ai gjithmonë formën e shikon si përsosmëri të fjalës dhe të strukturës së vjershës, ndaj poezia e tij bie në sy menjëherë, duke na treguar një poet të pjekur që nuk e tepron, qoftë edhe me sasinë e botimeve të tij, të cilat nuk janë të shumta, po të llogarisim një periudhë të gjatë mbi dyzetvjeçare që ai shkruan.
Ky kujdes dhe kjo mosngutje nuk është e re në poezinë tonë. Mjeda dhe Lasgushi nuk u ngutën të botonin, përveçse një apo dy libra, ata ishin ekzigjentë ndaj artit, ndaj fjalës poetike dhe ndoshta kishin parimin se cilësia mbetet sasi dhe jo e kundërta. Në këtë klasifikim poetësh, hyn edhe emri i poetit Ilirian Zhupa, i cili është kujdesur në dekada të botojë pak, por të mbetet një emër me peshë në poezinë e sotme shqipe. Ky refleksion të imponohet menjëherë teksa lexon edhe vëllimin e tij “Mos më pyet ku kam qenë”-një libër prej 130 faqesh.
Libri i çdo poeti është në njëfarë mënyre edhe një pasqyrë ku shihet jeta e tij, karakteri, përvoja, mençuria, formimi apo prirjet e tij intuitive. Ilirian Zhupa, si poet i viteve ’80, siç e thotë vetë, i shpëtoi “morsës së socrealizmit”, duke iu bindur vetëm zërit të brendshëm të tij dhe duke e pasur të qartë se poezi e mirë nuk mbetet poezia e rrethanave apo e jehonave të kohës ideologjike, por poezia që i këndon atdheut, dashurisë, lumit, detit, natyrës, njeriut, bukurisë së shpirtit njerëzor, pasi modat e kohërave ndryshojnë, por vetëm këto fjalë nuk vishen me modë, ato vishen vetëm me hijeshinë e shpirtit dhe filozofinë e zbërthimit të kuptimit të jetës, që e mbartin vetiu në indin e tyre.
“Mos më pyet ku kam qenë” është një titull provokues, ai mbart vetiu bredhjen e poetit nëpër zonat e bukura të imagjinatës, faktin e krijimit të poezisë në një kohë, në të cilën ajo u krijua, dhe ja, poezia mbetet krenare se, pavarësisht nga koha kur u krijua, ai mundi ta ruajë identifikimin e saj human dhe estetik në pëlqyeshmërinë e këndshme të kohës së mëvonshme. Për poezinë e Ilirian Zhupës, Sadedin Mezuraj, shprehet: “Subjekti lirik zbulon identitetin e tij” (Gazeta ExLibris-21 shkurt 2026). Po në të vërtetë, si vjen dhe materializohet lirika në poezinë e Ilirian Zhupës, kjo të bën me dije faktin se ai ndërton një filozofi të jetës përmes ndjeshmërisë dhe fjalës së zgjedhur e të mençur. Kjo në këndvështrime të holla dhe në zbulime detajesh shpërfaqet si rezultat i përvojës poetike dhe intuitës artistike të poetit.
Siç e kanë theksuar kritikë dhe studiues të tjerë, poeti Ilirian Zhupa është një krijues i kërkimeve ekzistenciale dhe kjo, përcakton një fakt të dukshëm, që vetiu i imponohet çdo lexuesi apo studiuesi, që merret me poezinë e tij. Ai e vendos qenien e njeriut (të tij) në raport me atdheun, me vendlindjen (Baladë për Vjosën dhe për vete), me njeriun e punës, me rritjen (kalimin e kohës si proces), me dashurinë. Qenia që zbërthehet nëpërmjet vargjeve të tij dhe njëkohësisht trajtësohet e përmbajtësohet, është një qenie që vazhdimisht mbushet me dashuri dhe admirim ndaj atdheut, ndaj dashurisë, fëmijërisë, ndaj bukurisë së vajzës, me vlerat e fjalës.
Kjo botë perceptuese e poetit është e gjallë, e fortë, e butë, e përmbajtur, e arsyetuar pa rënë në cerebralizëm dhe ftohtësi, duke shpalosur aspekte të të përmbajturit shpreh tek ky poet autofrenimin e lavdërueshëm për të mos thënë gjëra pa vlerë. Duke e parë botën me sytë e poetit, ai lartëson të bukurën e saj, por edhe evidenton përmes këtij syri atë çfarë nuk shkon, çfarë është e ftohtë, e zgavërt, jo njerëzore, jo përfshirëse siç është, për shembull, poezia antologjike “Manekinët”.
Si poet me një un poetik të thellë e me fjalë të kulturuar, ai kërkon kuptime të ndryshme për të ngritur lart ato vlera të njeriut që e lidhin atë me të bukurën, me botën, me njerëzit, sepse asgjë njerëzore nuk mbetet e huaj për poetët, veçmas për poetët e mirë. Për të, fjala ka shumë rëndësi, ajo nuk humbet kur evidentohet saktësisht, ajo shpërdorohet kur lëshohet rastësisht, prandaj, në rrjedhën e kësaj aksiome, këtë poet mund ta quajmë poet të fjalës.
Poezia e Ilirian Zhupës: “Besomë dhe urremë te fjala” mund të merret si kredo e fortë poetike, estetike, kredo që nuk është tronditur nga rendja dhe mania për t’u bërë interesant nëpërmjet zhurmës a lojës së fjalës. Si një gur i gdhendur, i vendosur në qoshe të rrugës së mendimit, ajo i bëhet pengesë këtij mendimi që të përmblidhet te forca e tij dhe të mbahet mend: “Nëse pe në të shkëndijën e zjarrit/kur nata s’ka yje dhe drita përreth/nëse t’u shfaq te mugullimi i barit/dhe pemën e ëndrrës ta veshi me gjeth,/besomë te fjala”. Po kështu, te poema “Qielli im”, duke gdhendur me mjeshtëri fjalën, poeti shpreh një botë të thellë poetike ekzistenciale, e cila tashmë zë vend të nderuar në poezinë shqipe.
Fjala në poezinë e Zhupës nuk është vetëm njësi leksikore-semantike, por siç shihet në këto vargje, ajo mban në përbrendësi: gjallëri, identitet, rrezatim mirësie, njomësi natyre, begati, shpresë, afrim e shumë të tjera, të cilat duke u shprehur përmes zgjedhjes së saj shkojnë deri te përkufizimi i artit të fjalës. Zhupa është një poet që e peshon fjalën mirë, sepse ia di rëndësinë dhe kjo prirje dhe ky kujdes ndihet gjithandej në poezinë e tij të ngjeshur me mendim dhe të skalitur në gdhendje të fjalës, e cila rri komode në folenë kuptimore dhe ndiesore të saj.
Poezia e Ilirian Zhupës dallohet për përzgjedhjen elegante të elementeve të peizazhit. Natyra në poezinë e tij nuk përshkruhet siç shihet, por siç ndjehet, kuptohet, përmes një ndjeshmërie të hollë: “Kaloj nëpër fusha e marr blerimin e qumësht të kallëzës/kaloj në shtigje e marr shëmbëllesën e gurit dhe cfakës/kaloj nëpër mbrëmje e marr fërgëllimën e shtatit të vajzës/që dridhet si gjuhëza e flakës”. Poeti më tepër merr efektin e elementëve peizazhorë, jo si qëllim për t’i evidentuar ato, por si mundësi për të krijuar paralelizma figurativë që krijojnë gjendje.
Kështu këto elemente çojnë pastaj në mundësi për të krijuar asosacione apo për ta përhapur imagjinatën në shenjëzime të caktuara, që nganjëherë arrijnë të krijojnë ngjeshje sintetike si kjo: “Një shpend këlthet nëpër erë/nuk është shpend, është njeri/ a s’jemi të gjithë nga pak/në klithmën dhe vrullin e tij?”. Kjo natyrë me pamjet e saj të zgjedhura me kujdes, me detajet, etydet, duket sidomos e superaktivizuar poetikisht në poemën “Lumi im”, poemë që përmbyll librin, ku natyra dhe lumi shndërrohet në rrjedhën kohore të nisjes, të ecjes dhe të rikthimit herë pas here, dhe lumi apostrofizohet heshturazi pa thirrje të hapura, duke rrjedhur damarëve të kujtesës. Lumi bëhet një tejbartje trandeshente, që përcjell vazhdimisht nevojën për reflektim. Një reflektim i thellë me qasje të ndryshme, të ëmbla dhe të bukura, duke sjellë paralelisht në këtë qasje edhe ecjen e njeriut.
Si poet i dashurisë dhe brishtësisë njerëzore, krijuesi e shikon dashurinë edhe përmes perceptimit të shëndetshëm moral të saj, edhe si mësim, por më shumë si ndjesi. Dashuria për poetin mbetet e përjetshme, pavarësisht nga mosha, dhe është mosha ajo që na shmang nga rreziqet e saj. Ajo vjen si mall, si nevojë për afrim, (Më thonë të nis një letër e dashur), herë si mungesë (Dhe ç’kishte mbetur në Shëngjin nga dashuria), herë si hapësirë e madhe apo humbje të vëmendjes ndaj saj, që të fut në borxh, poezia “Borxhet e dashurisë”.
Dashuria në poezinë e Ilirian Zhupës përmbajtësohet estetikisht, duke u poetizuar me elemente të jetës së përditshme, ajo nuk është konkrete – sensuale, as ekstazore, por më tepër si një përjetim personal me tentim të fuqishëm filozofik, duke gjykuar edhe unin, edhe dashurinë, pastaj paradokset e jetës që krijojnë vetiu distancë me të. Poeti i jep poezisë së tij një përmasë filozofike të natyrshme. Krahas manifestimit të hijshëm të ndjenjës së bukur, ai gjykon estetikisht raportet njerëzore me këtë ndjenjë, çastet e kaluara apo ato të ndodhura në të tashmen dhe çfarë e bën të bukur njeriun në vazhdimësi.
Poeti, në tërë krijimtarinë e vet, vendos raporte të caktuara me sende të thjeshta, me objekte apo njerëz që njeh dhe në këto raporte ndjesore -medituese, ai zbërthen kuptime të ndryshme, duke përcjellë frymën poetike të tyre. Për krijuesin e vargjeve, jeta është e bukur kur është e thjeshtë, ai nuk rend të veçojë e thotë gjëra të mëdha, por, nga kuptimet e thjeshta, zbulon madhështinë e jetës. Dhe ana më madhështore e thjeshtësisë është shqetësimi për njeriun, për realizimin e tij përmes kodit të së bukurës, që poezia e Ilirian Zhupës ta jep përmes vargjeve të ngjeshura me mendim e të njomura me ndjenjë. Poezia e tij nuk i përket një intimiteti të ngushtë, por një intimiteti të hapur e të ngrohtë, që kuptimësohet nga mendimi i pjekur.
Gjuha poetike e Ilirian Zhupës është e zgjedhur, e kursyer, apo siç thuhet, ekonomike. Poeti rend më tepër drejt mendimit të kulturuar e të mençur dhe e materializon atë artistikisht, por kjo nuk do të thotë se mungon figura, e cila në poezinë e tij është e pranishme në mënyrë të natyrshme. Metaforat, paralelizmat, personifikimet e të tjera figura, një shumësi e duhur efektive, të bëjnë të besosh se ato dhe vetëm ato janë të mundura në ato pozicione kuptimore. Struktura organike e poezisë së tij nuk mundëson heqje apo shtim, ajo është ndërtuar me mendje mjeshtërore, por kjo teknikë nuk e bën poezinë e tij të ftohtë, përkundrazi, verbi i tij mbart një energji ndiesore të thellë dhe të ngroh me dashurinë për vendlindjen, për jetën e për njeriun.
Krijimtaria e tij ndërton një tempull kujtese, që është fjala, imazhi i saj që ajo vetiu e ndërton, burimet shtresore kuptimor që përhap, duke u gjeneruar nga akti krijues si dhunti e autorit. Ilirian Zhupa di t’i ndërtojë e t’i mbajë ekuilibrat e duhura të krijimit. Poezia e tij lirike-meditative me sqimën e fjalës së zgjedhur dhe vetëpërmbajtjen e mosgjatjes, nuk e përjashton spontanitetin dhe natyrshmërinë. Poezia e këtij autori është një vlerë e rëndësishme e identitetit të tij intelektual dhe e njeriut të ndershëm e të ndjeshëm, që e di nga vjen dhe, me këmbë në tokë, e di ku shkon, me një mision që nuk ia ka ngarkuar kush, përveç vetëdijes së tij dhe intuitës së lindur artistike e talentit të spikatur, për ta bërë fjalën më të bukur, më të ngjeshur dhe lexuesin ta kthejë vështrimin me respekt ndaj emrit dhe poezisë së tij të arrirë me nivel artistik dhe estetik të admirueshëm.