Albspirit

Media/News/Publishing

POEZIA SI UNIVERSIALITET I NDJENJËS DHE UNIT LIRIK TË SULEJMAN MATOS

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

I lindur në Fterrë të Bregut të Detit, qysh në vitin 1967, Sulejman Mato, me botimin e librit të tij të parë poetik “Shtegu i blertë” e më pas “S’kam kohë”, ai botoi një varg veprash poetike, tregime, romane, drama, publicistikë, si dhe studime letrare e kulturore, u bë një zë i njohur dhe i fuqishëm në letërsinë bashkëkohore shqipe.

Siç vënë në dukje edhe poetët e shquar të poezisë shqipe, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Moikom Zeqo etj, poezia e Sulejman Matos, mbart mbi supet e veta dhe të kohës, një botë të pasur tematike dhe motivore, me një horizont të gjerë Shqipërie, që shpërfaq një humanizëm të thellë, lirizëm brilant, frymë të ngrohtë, detaje e tablo, që këngëtojnë njerëzit dhe natyrën, si dhe botën mesdhetare të tyre.

Në botën e gjerë poetike të Sulejman Matos, krahas vëllimeve të para përfshihen edhe vëllimet: “Nën diellin e Jugut” 1969, “Mbi glob fryjnë erëra” 1972, “Dallga e Jonit” 1977, “Mesi i jetës” 1981, “Jeta në dy kohë” 1983, “Fjalët” 1989, “Balada e vetmisë” 1998, “Kitara e Jugut” 2007, ku ngjizet fryma e tij meditative, raportet e thellësive lirike, lidhjet me detin, natyrën dhe brigjet e Jonit.

Sulejman Mato është një poet me ndjeshmëri njerëzore, një poet lirik me tonalitet filozofik dhe prirje të vazhdueshme për të sjellë këtë ndjeshmëri në nivelin e një perceptimi të qartë dhe me elegancë dhe ëmbëlsi stili. Gjuha e thjeshtë e poezisë së tij i ngjan një komunikimi të vazhdueshëm, të drejtpërdrejtë, sepse poezia e Matos synon që gjithçka që thuhet dhe formëzohet në varg, duhet të përcillet sa më mirë, sa më bukur e në mënyrën më të mundshme të sinqertë.

Për poetin, akti i krijimit nuk është një nisje apo proces i kryer. Bukuria e jetës dhe e njeriut sugjeron gjithmonë mundësi për ta shpalosur e përsosur atë me gjuhën e artit, me vargun poetik dhe nëpërmjet vargjeve “asgjë s’është thënë plotësisht, shpesh “kanë mbetur shumë gjëra pa u thënë”. Në botën e tij poetike, poeti shpall kredon e tij të hershme, por edhe të vazhdueshme për të sjellë artistikisht dhe për ta përvijuar estetikisht magjinë e jetës, të vendlindjes, të kujtesës për njerëzit, të fatit dhe të kërkimeve ekzistenciale e të domethënieve kohore, sjellje kjo, plotësisht e arrirë që e bën poezinë e Matos të interceptueshme përmes diskursit të saj plot ndjenjë dhe mendim.

Motivi i vendlindjes mbetet një motiv i preferuar në poezinë e tij. Dhe kjo preferencë poetike nuk vjen si rastësi, thjesht për të përmbushur kuadrin tematik të një libri, përkundrazi, ky parapëlqim është i natyrshëm dhe kjo nuk është e gjitha, sepse poeti ka ditur dhe ka mundur me një vërtetësi gati intuitive, ta sjellë Fterrën e tij dhe imazhe të Bregut të Detit Jonian, me një ndjeshmëri të pastër, të qetë dhe ngrohtë.

Jo më kot në poezinë me titull “Fterra, Fterra”, ai e përsërit dy herë këtë emër të vendlindjes, siç na ndodh të belbëzojmë përmallshëm një emër që kemi frikë se mos na largohet dhe duam të mos na ikë asnjëherë nga mendja e nga buza: “Tingëllojnë zilet e dhive në male/tutje deti psherëtin/tinguj resh trokasin në xhamet e heshtur/të shtëpisë sime të vjetër”.

Poezia e vendlindjes, siç zë vend edhe në vëllimin më të fundit “Poezi e poema”, është gjithashtu një poezi kujtese për të, kuptohet, kjo kujtesë vjen në një kohë tjetër, në moshën madhore të autorit, por kjo poezi i ka ruajtur aq të freskëta imazhet e vendlindjes, aq të natyrshme, sa të duket se koha asgjë nuk ka mundur ta humbasë në ndjesitë fillestare të autorit, për fëmijërinë, peizazhet, njerëzit, mbrëmjet, agimet, ngjyrat e detit, ylberet, era e portokalleve, sepse “në lëkurën e portokalleve ka erë jodi”, aty ku ndodhet vendlindja e tij dhe e vendeve të Shqipërisë e vjen si një motiv që përmbajtësohet nëpërmjet imazheve lirike të gjalla e plot jetë.

Poeti shijehollë Sulejman Mato, i sjell në objektin e kamerës së tij poetike këto vende, duke kapur çaste të ndryshme jo si vëzhgues i rastësishëm, por si vëzhgues i ndjeshëm dhe i zgjuar. Borshin ai e shikon: “Det qielli/qiell deti”, një imazh ku gjithçka humbet dhe përvijohet në një bukuri të rrallë. Mjafton këto detaje për të dhënë tiparin kryesor të një vendi.

Janë disa poezi të shkruara në vitet 1963, 1965, të cilat e ruajnë gjithkohësinë e perceptimit si të freskëta. Poezi të tilla si “Mbrëmje në fushë”, “Mbresës suaj”, “Muzg”, “Ushtarit H. Zenuni”: Hekuran, Hekuran/ thirrën shokët mes dëbore/ti i mbuluar me savan/si në këngët popullore, “Kujtime të hershme” etj, dallohen për ritmin e ëmbël dhe tejpashmërinë e imazhit lirik shprehur me një këndellje ndjenje, ku reflektohet dashuria e autorit për jetën dhe njerëzit.

Përkitazi me poezinë e vendlindjes dhe vendeve, lidhet edhe përshkrimi i peizazhit bregdetar, i cili në poezinë e Sulejman Matos është i zgjedhur, funksional dhe i shërben ndjesisë. Muza e poetit që buron nga bukuria e natyrës lidhet me nxjerrjen në pah të këtij ndikimi. Peizazhi vjen si ndikim nga kujtesa ose një çast që e bën poetin të ndalet dhe kurdoherë ai priret natyrshëm të zbulojë përmes tij e të shprehë ndjenjën e jetës, të bukurisë së saj.

Poeti shpesh zgjedh pak fjalë me përshkrim sintetik, ai nxjerr nga peizazhi ato detaje që janë më shprehëse, që i shërbejnë ndjenjës së mahnitjes dhe të ripërtëritjes së jetës. “Shi i butë i tejdukshëm ajror/ky shi tingull gjelbërt/ky shi gazmor” ose: “unë humba midis dallgëve blu-blu të Jonit/nëpër kumin e artë, ndanë brigjeve humba/duke mbajtur mbi kurriz/diellin e zjarrtë të jugut”-Mjaftojnë këto vargje për të treguar se ndjenja e fuqishme e përthith peizazhin në një mënyrë të tillë sikur do të shkrihet me të.

Poeti Sulejman Mato është ndër krijuesit peizazhistë të vetvetishëm, ai me ndonjë etyd apo pikasje të çastit, arrin të krijojë tablo të gjera të jetës që hapen në kujtesë ose në interpretim. Përqendrimi emocional në realizimin e vargjeve të kursyera mbetet një veçori kryesore e stilit të tij në vlerësimin e situatave ndiesore poetike, ku muza ndihet komode në një shpirt të butë dhe të paqtë, i cili nuk pushon së adhuruari jetën dhe bukurinë e saj. “Natyra-siç thonë studiuesit nga Kosova, Mikel Gojani dhe Prend Buzhala-është pjesë e brendshme e përjetimeve të tij” (Veçanti rreth krijimtarisë së Sulejman Matos” Buzuku, 2026, f. 105).

Me fjalë të tjera, poeti nuk e kundron këtë peizazh së jashtmi apo si ndihmë për të shëruar e çlodhur ndonjë brengë, por duket sikur e rikrijon vetë, megjithëse ai është aty, por kjo varet nga syri që e vëzhgon dhe e zbulon. Mund të sillnim me dhjetëra e qindra raste të vargjeve të këndshme të Sulejman Matos në ndihmë të përforcimit të këtij mendimi për të vazhduar më tej në mënyrën se si ai e ndan nga ana tematike këtë peizazh: në rural dhe në atë urban: “Në qytetin e mbuluar me plloça guri/erdhe ti, Dino, si Dedali i lashtësisë” e të tjera detaje që vijnë e shfaqen shkurt e saktë, por që lënë mbresë.

Poezitë e viteve 1970 përbëjnë një hap tjetër cilësor në krijimtarinë e Sulejman Matos parë në këtë vëllim, por ardhur kjo edhe si vijimësi nga krijimtaria e tij e mëparshme. Poeti në këtë kohë, por edhe në vitet ’80, e zgjeron optikën e tij tematike-motivore. Ai vijon t’i thellojë deduksionet e tij filozofike, duke ruajtur gjithnjë brishtësinë e mëparshme dhe duke vijuar të shkruajë po në këtë frymë lirike me ndjenja të brishta dhe këndellëse. Në poezinë e tij zënë vend shqetësime të përditshmërisë, tek-tuk, ndonjë motiv social, motivet e Kosovës, jeta e Bregut të Detit dhe peizazhet, motivet e dashurisë.

Poezia e Sulejman Matos fillon të kërkojë edhe motive ekzistenciale, të cilat sillen gjithnjë në kërkimin sa më të mundshëm të lirisë së qenies, e cila shpërfaq përqendrim në ato yshtje apo qasje për të cilat poeti mendon se ia vlen të qëndrojë. Për poetin: “Dhe vjen një moshë që botën shikojmë/me buzëqeshjen e Xhokondës në buzë”, është pikërisht kjo moshë kur ai e thellon më së shumti aspektin e përqendrimit te bukuria e jetës, te vlerat e saj. Poezi të tilla si: “Si vdes njeriu, pa kuptuar”, “Nis një letër për tek ty”, “Ajo në telefon më mori”, “Sa kushton një poezi”, “Më erdhi keq për një shok”, “Kanë ndodhur shumë gjëra” etj etj, flasin për një nxitje të kërkimeve ekzistenciale të raportit të poetit me të tjerët dhe me botën.

Prirja e poetit për t’u thelluar tek uni i tij poetik fillon dhe merr një rrugëtim, duke kërkuar gjithnjë mundësi të një daljeje të butë nga një ankth i lehtë që e kaplon atë. Poeti kërkon që ndjenja e tij të mos zihet ngushtë, ajo të dalë gjithnjë e paprekur nga gjëra të rëndomta siç është meskiniteti dhe të japë mundësi për të përjetuar sa më pastër të bukurën dhe të mirën.

Poeti në mjaft frymëzime nuk e harron dhe s’mundet assesi, unin e tij lirik. Ky un është i gatuar dhe i ngjizur me çastet e bukura të jetës dhe të shqetësimeve të tij tematike: “Jam në mesin e jetës/para meje, imazhet e atyre që s’janë më/para meje, imazhet e atyre që priten të vijnë”. Kështu motivet jetësore bëhen për të, motive, të cilat shihen të ndërlidhura për ta kristalizuar ndjenjën dhe për ta lënë mendimin të lirë.

Poezia e viteve 1970 mori një kah të natyrshëm në thellimin e subjektit lirik, ajo u afrua më shumë ndaj njeriut, ndaj brengave dhe shqetësimeve të tij, por duhet thënë, se këtë prirje Sulejman Mato e ka pasur që në fillim, duke u shfaqur si poet që do vendlindjen, natyrën, njerëzit, si një poet me ndjesi dhe përjetime personale. Edhe kur ai kap ndonjë motiv që vjen nga trysnia tematike motivore e kohës me një standard të caktuar ideologjik të imponuar, poeti e shikon atë në planin njerëzor, pa u futur në skemën e thatë të retorikës bërtitëse dhe triumfuese.

Pas viteve 1990, me rënien e sistemit totalitar, mbeten një tjetër fazë kohore kur poezia e Sulejman Matos nuk resht së krijuari. Është një epokë kur vijnë të tjera prirje në poezi dhe në art, por poeti nuk e harron paktin e vjetër që ka bërë me poezinë e tij. Tanimë poezia çlirohet nga imponimet tematike, të cilat Sulejman Mato nuk ka dashur t’i njohë dhe vijon të mbetet po ai poet lirik me tendencën e natyrshme për t’u thelluar në meditime.

Krijuesi e quan kohën si kohë poetike dhe jo si kohë ngjarjesh, të cilat duhen reflektuar në poezi për t’i bërë jehonë asaj, kjo, sepse ai ndalet dhe u rri besnik motiveve të tij që kanë të bëjnë me kujtesën, fatin, kërkimet ekzistenciale, por edhe nuk është indiferent ndaj ngjarjeve apo atyre që ndodhin, veçse ato reflektohen tërthorazi në poezinë e tij.

Poeti nuk kërkon lavdi sepse: “Për mua lavdia/është një nul, një hiç/lavdinë Jezuesi/e gjeti në Kryq”. Pas vitet nëntëdhjetë sollën një kohë shprese por edhe dalldisjesh amorfe, një kohë rendje drejt gjërave të njohura dhe të panjohura, por poeti nuk e humb toruan. Ai e di se poezia gjithnjë do të qëndrojë në bastionin e saj për ta luftuar të keqen, duke mëtuar për të sjellë sadopak njeriun drejt të vërtetave të tij të përjetshme, që kanë të bëjnë me dashurinë dhe vlerën universale të ndjenjës.

Në këtë periudhë thellohet më shumë prirja ekzistenciale për t’u zhytur në kuptime të gjetjes së hapësirave të vetvetes dhe të kohës. Poeti e shikon veten në këtë raport. Shumë poezi të tij valëviten si flamuj shprese në detin e shqetësimit të kohës apo si udhërrëfyese ndjesore për ta kuptuar të mirën e harruar prej kësaj kohe. Poeti nuk e humb toruan, ai mbetet i tillë, siç ka qenë: lirik, i butë me vargun e tij ndjellës dhe të prirë nga e mira, në gjetjen e bukurive të harruara të jetës.

Për të, poeti Moikom Zeqo do të shprehet: “Sulejman Mato nuk kërkon të çuditë,ai na përkthen çuditë”-një thënie mjaft e gjetur për të treguar dhe shpjeguar se poezia e këtij poeti të talentuar vjen në mënyrë të pabujshme, e thjeshtë, organike me fytyrën e saj të realizimit origjinal, çka e bën këtë poet një zë autentik që sjell në vargje ngrohtësinë e diellit të jugut pasuruar me imazhe të ngjyrave e nuancave të tyre të peizazheve të jugut shqiptar.

Edhe në këtë periudhë, dhe në vazhdim, sepse ky poet ende vijon të krijojë, poezia e tij mbetet një krijim i freskët, i çastit dhe një kujtesë dridhëse e kohës dhe e njeriut, duke dëshmuar kështu realizimin e një profili poetik me zë origjinal dhe të veçanësuar në poezinë bashkëkohore shqiptare. Poezia e tij rrok tema të thjeshta, por edhe ato madhore, veçse duhet thënë se temat madhore, ky poet, nuk i afishon artistikisht me iluzione ideologjike apo me standardizimin e një propagande të thatë, veçse i shikon në planin njerëzor se çfarë sjellin dhe çfarë shkaktojnë ato tek njeriu i thjeshtë. Uni i tij nuk i përjashton ato, por as nuk i merr siç janë,. Ai i reflekton artistikisht sipas botëkuptimit njerëzor të poetit. Prandaj, poezia e tij mbetet njerëzore, me një brishtësi që krijon forcë përjetimi dhe qëndrimi të hapur, pa mëdyshje.

Sulejman Mato hyn në poezinë shqiptare pa ndrojtje, duke sjellë ndrojtjen dhe brishtësinë e një vargu elegant, i cili pasurohet me ritmin dhe figurën e natyrshme, pa sforco, çka tregon se ai është i vetvetishëm dhe poezia e tij ka ardhur burueshëm dhe me gjallërinë e një muze që ai, në krijimtarinë e tij të gjatë, nuk e ka tradhtuar kurrë. Poezia e tij është një organ ndijimi dhe perceptimi bio, larg çdo artificialiteti dhe manière për të bërë modë, një poezi origjinale me parametra të duhura estetikë.

Poeti, në përgjithësi në krijimtarinë e tij poetike, gjithnjë ka kërkuar bukurinë e jetës njerëzore dhe dashurinë për njeriun dhe e ka gjetur atë midis tyre, çka do të thotë se poezia e tij është njerëzore dhe ndjenja lirike mbetet e përjetshme. Poezia e tij vjen me një varg të shkathët, të liruar nga forma e ngurtë dhe vargjet e tij e ruajnë gjatësinë sipas diktimit të natyrshëm që u jep mendimi, por ato nuk dalin asnjëherë nga parimet e rrepta të strukturës tërësore të poezisë.

Poeti nuk eksperimenton thjesht për të eksperimentuar, por në poezinë e tij sjell edhe risi, hetohen edhe kërkime në formë për ta bërë leximin sa më interesant dhe për të sjellë forma të reja të shprehjes poetike. Poet me interesa të gjera kulturore, ai në poezinë e tij nuk e sjell kulturën si dekoracion të jashtëm, por vargu i tij përpunohet prej një kulture që ndihet tërthorazi nga shprehja e tij elegante.

Vëllimi me përmbledhje vjershash dhe poemash nga krijimtaria e tij krijon një oaz qetësues, i mbushur me shqetësime dhe përjetime të thella, krijon gjithashtu vetiu edhe shëmbëllimin e poezisë së mirë, lirike, të këndshme, njerëzore, me tejpashmëri imazhesh dhe thellësi mendimesh, që vijnë nga kontekste dhe çaste të ndryshme, të ndodhura e të reflektuara në universalitetin e ndjenjës, përcjellë me origjinalitet dhe freski.