Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Kur poetja e merr Atdheun me vete në emigrim

Pas viteve ’90, me rënien e sistemit totalitar, mjaft intelektualë e poetë shtegtuan në emigrimin biblik në Evropë dhe vendet e largëta përtej Oqeanit Paqësor. Kam lexuar shpesh krijimtarinë e tyre letrare, kur vihet re një pamje e re e konceptit poetik, por edhe e mallit përvëlues për rrënjët e tyre.

E tillë është edhe poetja Armenida Qyqja, e cila në disa vëllime poetike, krahas këtyre motiveve e përsiatjeve, e mban mendimin e vet poetit pezull mbi supet e Atdheut. Në mjaft poezi, theksat e muzës së saj të duket se e kanë marrë Atdheun me vete, larg, në Kanada, ku ajo jeton prej vitesh.

Poezia e Armenida Qyqes në vëllimin poetik “Mos ma zgjoni Dodonën” me një titull sinjifikativ të orakullit pellazgjik, mbart në tërësinë e saj parathënien e gjërave ekzistenciale, të cilat parakuptojnë shqetësimet e qenies, që përbëhet nga konstatime, mendime të lëna në gjysmë, ankth dhe kërkim të vazhdueshëm mbi atë që ndodh dhe nuk ndodh. Poetja kërkon të mbajë në drejtpeshim një raport, në një ekuilibër të caktuar, por ky raport lëkundet dhe atëherë në këtë poezi ndihet dramaciteti si përftesë intelektuale.

Poezia e Armenidës është një poezi mendimi, me një vetëpërmbajtje që buron nga prirja për t’u thelluar në një meditacion të fuqishëm, kështu, ajo krijon një frymë, e cila përcillet në atmosferën e një vargu të gdhendur mirë, që të imponohet në një lexim të kujdesshëm. Për ta gjykuar një poezi, së pari nisemi nga motivet, dhe motivet e këtij vëllimi shpërfaqen, zbulohen e dalin në dritë nga mendimi, që shkon dhe gjen fillesën e tyre. Pastaj, ato, përmes mendimit e nëpërmjet tij, marrin sendërtimin dhe shkojnë në plotninë e realizimit estetik. Janë disa konvencione që nga lashtësia që zënë vend në poezinë e Armenidës, si: (Homeri, Enea, Ankizi, Diogjeni, Aulona, Amantia, Dyrrahu, Mesia, duke ardhur më vonë Makbethi, në të cilat del hija e atdheut.

Motivi i atdheut është një motiv transsubstancial që shkrihet e jetësohet sërish në një ëndërr -dhimbje. Atdheu është i humbur dhe i gjetur, një përmasë shpirtërore që rritet vazhdimisht dhe krijon vlerën e qenies përmes lirisë së tij, rrjedhimisht duke ndikuar në lirinë e qenies. “Ku ta vë atdheun tim të prehet, ku/një grusht dhe mbaj në grushtin e përgjakur/dhe tymin, përzhitjen e zjarrit/mbi trup, mbi flokë”– këngëton poetja te poezia “Enea”.

Motivi i lirisë vjen si një shtysë tjetër shpirtërore që sjell në vargjet e Armenidës perceptime e realizime ideore të vlerta: “Erë të helmët tradhtie kanë kudo rrugët/dhe çdo udhëkryq e ka një Judë/kullat lartojnë përbri skamjes së heshtur/që, zë të klithë s’ka më…” (poezia “Liri e vjedhur”). Konceptin e fjalës “liri” këtu, nuk është e vështirë ta kuptosh pasi ajo merr konotacione sociale me kontraste drithëruese, siç duken edhe në këto vargje: “Në sheshet ku shtypet liria jam/me gaze lotsjellës dhe dhunë/jam fjala që udhën nga gjoksi juaj çan/kur me presione ju bëjnë të rrini urtë”.

Liria vjen si liri e brendshme- ajo vjen nga mungesat si: dëshira të mbetura përgjysmë, si ëndrrat të trembura që kërkojnë të mos i dorëzohen frikës, si kërkim i mbushjes së vetes nga prania e tjetrit. Liria është edhe një shfrim ndjenjash pa pengesë, ku poetja shpreh një lirizëm elegant dhe të infiltruar nga një mendim i hollë: “Thuaji asaj pemës me gjethe të arta/t’i mbajë dhe ca ditë, t’i shtrëngojë më fort/dielli të më ruajë një tufë rrezesh të zjarrta/se unë udhën kam marrë, po vij”.

Poetja ecën nëpër rrugëtimin e dashurisë për jetën, për njerëzit e dashur, me kujtimet e hijen e tyre në vërtitjen e një vorbulle të lehtë malli dhe ëndrre. Ajo vazhdimisht kërkon kuptime ekzistenciale dhe mishëron përmes tyre ide, të cilat e shprehin qenien. Motivi i kohës-koha në poezinë e saj është kohë universale, ajo zgjat aq sa zgjatin ëndrrat e njeriut- ajo kalon në përtejkohë, në universalitetin e saj. Por koha shpesh spërdridhet, koketëron, e herë përplaset në brigjet e kuptimeve të vërteta të hidhura, duke u munduar t’i shërojë ato me gënjeshtra: “Vlojnë reklamat ekraneve të sheshta/pasarelat, trupat e zhveshur mbi takat e larta/moda më e fundit, e para këtu”. (Poezia “Kohë e fasadave”).

Koha e vetvetes dhe koha që shket prej teje për të shkuar në duar të tjera, është një paradoks i hidhur, ku njeriu shikon se si dëshirat e tij dhe nevoja për realizim kthehet në një rendje të përhershme. Poetja mendon se koha gjithmonë duhet ta vështrojë atë, poetin, ai e këshillon, por ajo nuk dëgjon se vazhdimisht e mban një sy të verbër. Por poeti nuk pushon, ai thur vargje dhe vargjet e tij vijnë si balsam i shekujve mbi plagët e kohës, por koha nuk vetëdiagnostifikohet- ata që diagnostifikojnë kohën janë poetët. Kjo na sjell ndërmend disa vargje të Azem Shkrelit: “Mësojeni kohës mos t’i hajë të vetët/Ç’u shemb shëmtie do ta ndreqin poetët”.

Poeti nuk heq dorë, nuk përkulet as tërhiqet. Ai mbetet gjithnjë me njerëzit e vuajtur. Ai e ndërton unin e tij poetik jo duke u zgavruar në vetvete për të kërkuar e nxjerrë nga qenia e tij dridhmat më të fundit të saj, por duke e pasur këtë ego të ndjeshme në dashurinë për njerëzit, në dëshirën për t’u mbushur me kohë: “Këpucë të shqyera më dha koha për të veshur/dhe rend më tha, me fshikullimën e egër/që vijëza të përgjakura na la/përjetësisht si tatuazhe në shpirt”.

Ajo që përbën majanë ose tharmin më të çmueshëm të poezisë së Armenidës është poezia e intimitetit lirik, ku poetja evidenton duke nxjerrë në pah ndjenja të thella, të pastra e të shëndetshme. Poezi të tilla si “Kthime të zbrazëta”: “Mes vajtjesh dhe ardhjesh plaket malli/dhe gardhi shembet çdo ditë nën peshë/nga pas më vjen heshturazi rënkimi/dhe zëri yt në çdo hap që hesht”, tregojnë se ndjenja e saj rrok thellësinë e gjërave të jetuara në kohë, të cilat humbasin për shkak të kalendarit të viteve. Sa më shumë ikin vitet, aq më tepër ato afrohen të rrokura nga një ndjenjë e fuqishme që përjetohet me një emocion të përmbajtur.

Në poezinë e Armenida Qyqes nuk kemi shfrime lirike të hapura, por të përmbajtura, të ruajtura në kujtesë dhe në thellësi të zemrës, ku dimensioni i largësisë gjithnjë humbet diçka e përherë drejt tij rendjen e mendimit dhe përjetimin e ndjenjës, një ndjenjë e qetë, luksoze dhe e përmbajtur.

Në poezinë e saj ruhet thelbi njerëzor dhe estetik, kjo poezi harmonizon emocionin, ritmin që ngadalësohet hijshëm nga thellësia e mendimit dhe nga tentimi për të medituar përmes njohjes së vetëdijshme dhe intuitive. Ritmi i saj është një muzikalitet i brendshëm me tingëllime si thyerja e kristaleve në heshtje pa zhurmë. Ai siguron një lëvizje pa zhurmë, ku ndjenja dhe mendimi lëvizin krah për krah pa e penguar njëri-tjetrin ndaj organizimi strofik dhe strukturor, përbëjnë kujdesin që poezia të ndjehet komode në këtë harmonizim.

Poezia e saj është organike, duke sjellë ndijime të heshtura për të shprehur emocionin, kujtesën, dhimbjet, përjetimet e tjera, mallin, brengën, marrëdhënien e saj me njerëzit, me ata që janë e nuk janë, mallin e heshtur. Kjo mënyrë stilistike e procedimit poetik, e vlerësimit të situatave ndjesore dhe mendimore, të fton vetiu që poezinë e saj ta lexosh me kujdes dhe ta shijosh heshturazi, duke u zhytur në fluksin mesazhor të saj dhe në trille të befta.

Poezia e mallit vjen përmes një vjershërimi, ku butësia e ndjenjës krijon herë-herë iluzionin e pranisë së dikujt që është larg. Si një poete që jeton larg atdheut, në Kanada, kjo është e natyrshme: “Me mallin për ty/dimensionet e kujtesës humbën”-shprehet ajo në poezinë “Përhumbje”, duke treguar me këto vargje se malli nganjëherë është aq i madh dhe aq përjetues sa e kthen njeriun në një përhumbje të ëmbël e të hidhur. Por ajo sërish e gjen vetveten për t’i hipur kalit të baladës: “I hipa kalit të baladës/tek ti i dashur të vija dhe një herë”, shkruan ajo në poezinë “I hipa kalit të baladës” dhe ky “i dashur” bëhet një fjalë kyçe në poezinë e saj, që si emër përmendet rrallë, por nënkuptohet në kontekstin ku konturohet dhe merr formë kjo poezi, ku realiteti dhe virtualiteti ndërkëmbehen pa u ndjerë.

Aventura shkrimore-si aventurë mendimi dhe ndjenje, vjen edhe prej pritjes edhe prej besimit, pasi rikthimi i gjërave të shenjta do të ndodhë përmes besimit, se ato do të kthehen, ose të paktën, duhet besuar se do kthehen. Motivi i ikjeve dhe i rikthimit bëhet gjithashtu një indicje për të mos e lënë imagjinatën të qetë, e gjitha kjo, sjell një shkëndijim dhe një përvijim përfytyrimesh të heshtura dhe pa bujë në poezinë e kësaj poeteje. Ky motiv kthehet e merr jetë nëpër udhë të largëta që nuk e harrojnë nisjen.

Në këtë vëllimin poetik nuk kemi një motiv që mbetet i veçuar, se pothuajse të gjithë motivet shkrihen dhe harmonizohen me njëri-tjetrin, duke përcjellë një trandeshencë që krijon atmosferën e përgjithshme poetike të krijimtarisë së poetes.

Poezia e Armenidës e imponon vetiu këtë frymë, këtë atmosferë që infiltrohet nga një mendim i mençur, i hollë dhe filozofik. Ky mendim të përcjell vetiu një perceptim ndiesor dhe mendimor, se orakulli i fatit i paska parathënë disa ndodhi të individit shqiptar të pas viteve ’90, si: ikja nga atdheu dhe rikthimi në të e, midis këtyre dy shenjëzimeve, ky individ njeh më mirë botën, historinë, mërgimin, duke mbajtur gjithnjë peshën e mallit për atdheun. Midis këtyre dy shenjave, ai po njeh më mirë lirinë sociale, politike, lirinë e qenies së vet (dhe këtu poezia e saj merr një prirje ekzistenciale), dëshirat e realizuara, pengjet dhe brengën e mosrealizimit të tyre në kohën e duhur.

Poezia e Armenida Qyqes ka një fjalësi të pasur që e bën gjuhën një dëshmi të fuqishme të aktit krijues. Kjo poezi vjen si një përjetim i brendshëm, që pastaj e gjen materializimin e duhur përmes e nëpërmjet fjalës së zgjedhur. Ndjenja e fortë e përjetimit intelektual dhe personal e poetes përcillet me një varg të punuar plot domethënie mesazhore dhe ky varg vjen lirshëm dhe godet fort imagjinatën e lexuesit të poezisë. Kjo ndjenjë nuk është e kërkuar dhe as mendimet nuk vijnë të sforcuara, përkundrazi, kemi një poezi me një verb origjinal, gjë mjaft e rëndësishme për ta renditur këtë poete në radhën e poeteve -femra nga më të talentuarat dhe që, edhe me botimet e mëparshme, edhe me këtë libër, gjithnjë e më tepër brenda natyrës së kërkimit të motiveve dhe të realizimeve artistike të saj, po e thellon botëndijimin e recepturën dhe po e konturon më tepër profilin e saj si krijuese me zë të veçantë, në poezinë bashkëkohore shqipe.

Vlorë-Tiranë, qershor 2026.