Rudolf Marku: Dorëheqja e një kryeministri në Downing Street, nr.10
Me shprehinë për të ndjekur lajmet, shoh se të gjithë kanalet televizive më të njohura të Britanisë së Madhe japin pak a shumë këtë pamje: Kryeministri i vendit, Keir Starmer, përpara Shtëpisë Kryeministriore të Anglisë, jep një deklaratë të pritur prej disa ditësh, deklaratën e dorëheqjes nga posti më i lartë i qeverisë. Bashkëshortja e tij qëndron pranë kryeministrit. Të dy bashkëshortët duket se janë, po t’i besojmë një gazetareje të BBC, ‘shumë të emocionuar’.
Paralelisht me këtë pamja, në gjysmën tjetër të ekranit shfaqet stacioni më i madh hekurudhor i Londrës, Victoria Station, me pamjen e rrëmujshme të qindra pasagjerëve që nxitojnë të kapin trenat. Kamera përqëndrohet tek një pasagjer rreth të pesëdhjetave, me pantallona xhins, T-shirt në ngjyrë të errët, me syze optike, që ka veshur sneakers/atlete dhe që tërheq një valixhe të vogël me rrota. Ka udhëtuar me trenin e Manchesterit dhe shoqërohet nga katër a pesë njerëz të afërm… Një njeri nga turma përballë duket se e njeh dhe e pyet: – Do bësh garë apo do të kuroëzohesh?… Pasagjeri i sapo zbritur, si i zënë në faj, përgjigjet: – Më fal, se nxitoj…
Pasagjeri i ardhur nga Manchester është Kryetari i Bashkisë së qytetit metropolitan të Manchester. Quhet Andy Burnham dhe ka ardhur në Londër që të marrë postin vakant të Kryeministrit të Anglisë.
Keir Starmer u zgjodh kryeministër veç dy vite më parë dhe konsiderohet si kryeministri më afatshkurtër në pushtet nga të gjithë kryeministrat laburistë. Erdhi në pushtet me një shumicë të pa parashikuar votash, në një kohë kur shumë analistë dhe simpatizantë mendonin se Partia Laburiste është një parti politike e pashpresë, që i përket veç të kaluarës… Njerëzit kishin shpresa të mëdha te Starmer. Por mjaftoi një vit i vetëm në pushtet, që Keir Starmer, i brohoritur si shpëtimtar, të konsiderohet si udhëheqësi më antipatik i të gjitha kohërave: gënjështar-(mbahet mënd kur dikush tha, po qe se Keir Starmer do punonte si Weather man, njeriu që jep parashikimin e motit në Tv, dhe do thosh se nesër do mbaj kohë me diell, njerëzit të nesermen do të dilnin jashtë në rrugë me çadra); udhëheqës i politikave double tier (një standart pak a shumë si të thuash double standart); udhëheqës i dobët (weak) sidomos në politikën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, një njeri, i cili sipas disa analistëve politikë, kishte një instikt urrejtjeje për njerëzit e vendit të vet…Të tjerët e përkthenin këtë instikt të dukshëm të tij si një manovër të kalkuluar mirë dhe me ligësi për të bërë për vete pjesën tjetër të popullsisë si votuesit e vet të ardhshëm, një lloj political bribe… Por ajo që e dëmtoi më shumë reputacionin e kryeministrit anglez ishte paqëndrueshmëria, the political U-turns-, kthesat 90 gradëshe të tij- herë me Izraelin e herë me Palestinën, herë me Trumpin e herë kundër Trumpit, herë me Djallin e herë me Zotin…
Por le të kthehem përsëri te tablloja e parë: Një kryeminstër që del për të shpallur dorëheqjen e vet dhe një tjetër, i cili vjen me trenin e pasagjerëve që të marrë çelësat e zyrës së postit më të lartë qeveritar të vendit… Pa asnjë dramë. Pa asnjë fanfarë… Si mund të ndodh kjo?
Në vendet si Anglia, posti i Kryeministrit konsiderohet si një post i cili jepet/merret me qira (your community/your people/your voters is hiring you)… E përkthyer thjesht: Një komunitet/popull/ votuesit kanë nevojë për kryeminster, që ai/ajo t’u shërbejë atyre. Lind nevoja për të marrë me qira njeriun e duhur, po ashtu siç merret me qira një biçikletë a një traktor… Komuniteti që e merr me qira Kryeministrin i delegon atij një pushtet që të tjerët nuk e kanë, me qëllim që përmes këtij pushteti Kryeministri t’i shërbejë këtij komuniteti, me marrëvëshjen që në çastin kur ky kryeministër nuk do t’i shërbej qëllimit për të cilin ai është marrë me qira, marrëveshja prishet dhe komuniteti merr me qira një tjetër… Por në vendet me mungesën e traditës së Shtetit, siç janë psh vendet ballkanike, Kryeminisri i marrë me qira, në momentin kur vjen në pushtet, gjëja e parë që ai bën, është të marrë ai vetë me qira komunitetin, popullin dhe vendin e vet, për qëllimet e vet private…
A mund të përftyrohet në vendin tonë një dorëheqje vullnetare nga posti i Kryeministrit? Nuk e kam fjalën për kryeministrin aktual të Shqipërisë, se sa për të gjithë kryeministrat e shkuar të Shqipërisë, dhe kam frikë, dhe për ata që do të vijnë në të ardhmen. Më vijnë ndërmend fjalët e një ish kryeminstri jetë -shkurtër shqiptar, të quajtur Imzot Fan Noli, i cili pat shkruar rreth kësaj teme: Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin.