Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Xheni Krypi

Poezi miks

Po të shtrydhësh artikuj gazete,
nxjerr dhelprën.
Po të shtrydhësh poezi,
nxjerr kufomë dashurie të kalbur.
Po të shtrydhësh profesorët,
nxjerr alkool e tym duhani.
Po të shtrydhësh gjithë filmat,
nxjerr spermë që s’riprodhon.
Po të shtrydhësh presidentin,
nxjerr lëkurë kunadheje.
Po të shtrydhësh biznesmenin,
nxjerr derrin spathi.
Po të shtrydhësh një mjek —
ah po, nëse shtrydh një mjek,
nxjerr Minotaurin.
Dhe kënga vazhdon:
po të shtrydhësh poezinë,
balte do nxjerrësh;
po të shtrydhësh pëllumbin,
katran do nxjerrësh;
e po të shtrydhësh Hektorin —
do nxjerrësh m…!

S’e di

Në mes të kësaj bote maskarenjsh
dëshiroj të mbetem i ndershëm.
Por sa mundem vallë?!
S’e di.

Loti

Ti, lot,
ma heq dëshpërimin
dhe ndoshta për një çast më qetëson.
Netëve,
kur prej mërzisë në shtrat bie herët,
rrëkeza jote
jastëkun ma njom.
Ti, lot me bukuri kristali,
si shpirti që prej dashurie shndrit.
Prej faqeve më rrjedh ngadalë,
nga sytë e mbushur me trishtim.
Ti, lot,
më fal pakëz gjumë sonte.
Në sferën tënde të shoh ëndrra
me zogj të bardhë.
Shpëlaje natën e zezë,
zbardh agimin e ri
dhe lumturinë —

ma sill dhuratë.

E dua këtë mungesë
që s’më lë të harroj,
që më zgjon para alarmit
dhe më ul sërish
në kanapenë e pritjes,
ku ora nuk ecën,
vetëm rreh.
Dhe nëse nesër
zbrazëtia merr zë,
mos u tremb—
është vetëm mungesa
që ka mësuar të flasë si ti.

Jam e lumtur

Jam e lumtur—
po, po, tejmase e lumtur—
sepse dhimbja ime
ka emrin tënd
dhe çdo gjë me emër
është më e durueshme.
Jam e lumtur—
jo sepse s’kam plagë,
por sepse tani
ajo më flet me zërin tënd.
Dhe kur më dhemb,
nuk më tremb më,
sepse dhimbjet pa emër
janë humnera,
ndërsa ti
je vetëm një mungesë
që dihet nga vjen.
Jam e lumtur—
sepse edhe mungesa,
kur ka formën tënde,
është një mënyrë për të qëndruar.