Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Një histori me Maks Velon…

Edi Rama kishte vendosur ta shtonte, ta zgjeronte pa fund rrethin e përkrahësve, të votuesve, të mbështetësve.
Ai me mendjen e tij tani e tutje do të ishte Njëshi i Shqipërisë, do ta dominonte këtë viranen, drangallen, rranga-drungën e lashtë, Shqipëri. Timoni në duart e tij me drita e xixa europiane do ta modernizonte.
I duheshin mbështetësit pa dallim klase, a ideje a krahine. Vetëm të ulërinin: Ed Rama, na rroftë Rama, Ram…
Për tek mua kishin gjetur shkesin, më kishte futur “mik” Maksin. Maks Velon e ndjerë.
E doja dhe e duroja për vuajtjet.
Mik nuk bëhej Maksi.
Ja një histori.
Ulemi, Maksi ishte mysafiri im. Drekojmë bashkë, ai – unë me gruan time dhe me djalin.
Në fund, Maksi, në vend të falënderimit për mikpritjen tonë familjarisht, i thotë gruas sime:

– Po si nuk gjete një burrë tjetër, moj grua? More burrë dhe nga Tepelena, dhe mysliman, kaq keq kishe mbetur?
Ndërhyra me të qeshur. E kalova me sportivitet situatën.
– Maks, i thashë, mirë që nuk më falënderon për drekën me familjen time, por, ama, nuk duhet të më shash. Në këtë tryezë ke qenë miku im. Jo i gruas sime. Na bëftë mirë dreka, Maks.
Nuk i mbaja mëri. Ai njeri nuk kishte rregulla.
Maksi ishte Maksi.
Vite më pas jemi te pedonalja e Tiranës. Më flet Maksi. Kategorik siç ishte, më thotë: Dëgjo, ti dhe unë politikisht duhet të jemi në krah të Edi Ramës. Duhet ta mbështesim, të flasim, të votojmë për të.
Maksi hynte drejt e në temë. Në mes të rrugës. Pa të përgatitur. Nuk mendonte se bisedat mes burrash bëhen të mira me ndonjë gotë verë përpara.

– Maks, i thashë, unë nuk jam me Edi Ramën.

– Ah, tha Maksi, po me kë je? Ky është qytetari, kryeqytetasi, artisti. Qenke prapa bote, ti. Me Malokun. E mora vesh, me Atë je.
Maksi i priste drutë shkurt: nuk je me këtë… ah qenke ma atë. Me Malokun.

– Maks, nuk jam me Malokun. Por as me këtë që më propozon ti nuk jam.
Pse nuk isha? Jetojmë në Tiranë. Për të kisha dëgjuar shumë keq. Histori tmerr të këqia për Ramën qarkullonin. Sipas tyre, ky i Gjati, Sportisti, Emigranti, Piktori ishte veçanërisht i dhunshëm, mor ishte një monstër e vërtet në marrëdhënien me gratë. Një… dy… tre… katër… femra të reja, të bukura, të dashura, bashkëjetuese të Piktorit, ishin në fundin e tyre histori dhunimi, gjymtimi. Pas një historie rozë me këto gra, Piktori i flakte ato sikur të ishin lecka. U shtrembërote me dru hundën, ua përdridhte qafën, fytyrën, nofullat… me frakturë…
Dhunimin, në veçanti dhunimin e femrës nga mashkulli, nuk e fal, nuk e toleroj kurrë. Kjo situatë flet shumë për një mashkull. Një burrë pervers e i prishur në marrëdhënie me femrën, për konceptimin tim, mbetet pervers në themel, kurrë më nuk duhet, kurrë nuk mundet të presësh të mira nga i tillë njeri.
Kthehemi në padonalen e Tiranës. Me Maksin përballë.
Ia thashë shkurt këto më lart Maks Velos së ndjerë…
Ia përsërita… por më kot.
Më kot nën një mbrëmje te pedonalja, pranë Akademisë së Shkencave, në Tiranë.
Ai as që më dëgjonte.
Në Shqipëri ndodh që njerëzit, deri miqtë, gjykojnë shkurt: o je me mua, o je me armikun tim.
Maksi kishte idetë e tij fikse. Me ide fikse… me atë fiksimin “o me mua, o me armikun tim”, nuk fiton asnjeri.
U ndava keq nga Maksi, të cilin prapë vazhdoja ta doja. Atë mund ta doje veç ashtu sikundër ishte. Jo ndryshe
Njerëzit e Ramës, që e kishin vënë Maksin si sekser, e morën mesazhin: nuk është, nuk bëhet yni ky njeri.
Unë isha, mbeta kundër tyre.
Më vjen shumë keq që edhe me një njeri si Maksi… nuk mund të merreshe vesh më përtej asaj: t’i presësh drutë shkurt.
Edi Rama ishte dhe mbeti personalitet i prishur që në rrënjë, që në kërcu, që në themel, që në moralitetin e respektit ose të mosrespektit të një gruaje, të një femre, e cila lartësohet moralisht më shumë sesa kur të do, atëherë kur ta thotë se nuk të do, kur ajo ta thotë se edhe të përbuz si një të padenjë, si një pervers, si monstër… dhe ndahet nga ty…
Ndahet e bukur e denjë e pavarur si femër.