SOLIDARITETI ËSHTË APLIKIM I LIGJIT TË DASHURISË. ËSHTË ZGJEDHJA E ZEMRËS DHE E ARSYES
Robert Aliaj Dragot
Më falni nëse duket sikur po bëhem moralizues.
Por në erën e internetit, secili bashkë me qenin e tij, bëhet një ekspert në gjithçka. Bukuria dhe mallkimi i internetit është që të gjithë kemi një mendim dhe duam ta ndajmë atë. Dhe jo vetëm që ne e ndajmë, por bëhemi më të bindur se kurrë se kemi të drejtë.
Por në realitet, është e vështirë të shpjegosh mungesën e komoditetit që shkakton mungesa e solidaritetit, atë që përjetova unë kur realizova projektin e fletërrufesë psh. Më imagjinoni me fletërrufe në kurriz? Hmm.
Mësimi që nxorra ishte se, nëse e shohim të nevojshme të denoncojmë dhe të luftojmë proceset e papërgjegjëshme politike, skandalet financiare, korrupsionin, vjedhjen e fondeve dhe të gjitha fenomenet me të cilat po përballemi sot, duhet të plotësojmë një kusht. Të jemi të lirë.
Liria është kusht i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm për të qënë përgjegjës.
Llogaridhënia kërkon të jesh i lirë.
Liria e vërtetê na bën përgjegjës për veprimet tona, por edhe na jep mundësinë të përfitojmë prej saj. Ndihmon në rindërtimin e solidaritetit dhe i jep individit një rol themelor në shoqëri.
E them këtë sepse ka nevojë për solidaritetit koto ditë. Por çfarë do të thotë me të vërtetë solidaritet? A nuk mbeta unë i vetmuar me fletërrufenë time në kurriz si Sizifi gjatë gjithë bulevardit të Dëshmoreve të Kombit në përpjekjet e mia për të denoncuar? Nuk po kërkoja asgjë për veten time! Kërkoja që të mos abuzohej me fondet publike nga Ministria e Kulturës dhe bordet artistike, QKK etj. Do të ishte e arsyeshme të solidarizoheshin me mua artistët, të cilët ankohen tërë ditën nga kafeneja në kafene, vetëm akuzojnë gjithnjë duke u kujdesur se mos i dëgjoj ndokush të frikësuar nga shantazhi. Në fund të fundit ishte kauza e tyre. Unë punët e mia i kam në rregull, por do të ndjehesha edhe më i plotësuar po të kishte më tepër komoditet dhe lehtësira financiare për të gjithë. Ja këto ide po më shkonin ndërmënd në udhëtimin tim të vetmuar me fletërrufene në kurriz. Aty e kuptova që solidariteti është i dobishëm për shoqërinë, e bën luftën e individit kauzë të përbashkët dhe e bën shoqërinë më të balancuar dhe të qetë, por është gjithashtu i dobishëm në jetën e përditshme të individëve, si në rastin tim për shëmbull, për të mos u ndjerë si zë në shkretëtirë.
Dhe i thoja vetes që solidariteti është sjellja që na garanton mbështetje në kohë të vështira. Kur ne jemi solidarë, nuk jemi kurrë të vetmuar në frontin e situatave emergjente, si unë përballë Kryeministrisë. Ndjehemi të inkurajuar, të ndihmuar. Edhe më të dobëtit mund të kenë kështu një shans më tepër për të mbijetuar dhe për të pasur sukses në jetë.
Solidariteti stabilizon shoqërinë.
Është aplikim i ligjit të dashurisë.
Solidariteti themelon një shoqëri të qëndrueshme dhe të drejtë.
Solidariteti është një mënyrë për të siguruar stabilitetin e një shoqërie. Që të përfitojmë të gjithë, organizimi i solidaritetit në shoqëri duhet të bëhet përmes politikës. Politika duhet të krijojnë mekanizma për të mbrojtur njerëzit, për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për shpërndarjen e burimeve. Por a është kultivimi i solidaritetit në interesin e politikës shqiptare?
Ku është anarkia? Pasioni? Rebelimi? Tjetër histori kjo…
Na kanë bërë të ndjehemi idiotë. Kush jam unë të besoj se mund të bëj ndryshime?
Që kur kam filluar unë të besoj se individi është i parëndësishëm? Që unë nuk mund të ndryshoj asgjë, asnjëherë?
Por pyetja është kjo: Kush janë ata që më tregojnë mua që unë nuk mund të ndryshoj asgjë?
PO TI? A DO TI BESOSH ATA?