Finete Gruda: Vetingu dhe drejtësia që raskapiti qytetarët
Vettingu në sistemin e drejtësisë, i realizuar përmes Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), u prezantua si mekanizmi që do të pastronte gjyqësorin nga korrupsioni, do të rriste integritetin e institucioneve dhe do të rikthente besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës. Sot, kur ky proces ka përfunduar zyrtarisht dhe institucionet e ngritura për administrimin e tij kanë mbyllur misionin, lind natyrshëm pyetja: cili është bilanci real i tij përballë qytetarëve dhe sa përputhet ai me vlerësimet institucionale? Ky bilanc kërkon një reflektim të sinqertë nga institucionet e drejtësisë, politika, shoqëria civile dhe opinioni publik. Pa një reflektim të tillë, analiza mbetet e pjesshme, pasi zëri i qytetarëve është thelbësor për të kuptuar nëse reforma arriti qëllimin e saj. Pas një dekade pritshmërish të larta, vlerësimi nuk duhet të kufizohet te numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi, por mbi të gjitha te ndikimi që vettingu ka pasur në funksionimin e drejtësisë dhe në besimin e qytetarëve ndaj saj.
Çfarë ka ndodhur realisht me vettingun?
Së pari, vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Procesi i vettingut, ndonëse i konceptuar për të rritur integritetin e sistemit të drejtësisë, solli largimin ose dorëheqjen e një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh. Në mungesë të një plani efektiv dhe të menjëhershëm për zëvendësimin e tyre, sistemi u përball me mungesa serioze personeli në nivele të ndryshme. Si pasojë, u krijua një mbingarkesë e paprecedentë e gjykatave dhe prokurorive, e reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e stokut të çështjeve dhe zgjatjen e afateve të shqyrtimit të tyre. Procese që në kushte normale do të duhej të përfundonin brenda pak muajsh, sot zgjasin me vite të tëra duke stërlodhur qytetarët. Ky fenomen nuk mund të konsiderohet thjesht një problem administrativ; ai përbën cenim të së drejtës themelore të qytetarëve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm..
Së dyti, fokusi te filtrimi, jo te performanca
Vettingu u përqendrua kryesisht në tre kriteret e rivlerësimit, ndërsa problemet strukturore si eficienca e gjykatave, kohëzgjatja e proceseve dhe cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve mbetën sfida të hapura. Në praktikë, vlerësimi i subjekteve është përqendruar kryesisht te pasuria, ndërsa kriteret e figurës dhe, veçanërisht, profesionalizmit kanë marrë më pak vëmendje. Studimet e ekspertëve gjatë procesit kanë konstatuar se, nga 74 vendime të analizuara, vetëm 19 kanë përmbajtur një vlerësim të kriterit të profesionalizmit. Shqetësues mbetet fakti se, ndonëse kjo problematikë është evidentuar që në vitin 2021, qasja e trupave gjykuese të vettingut nuk duket se ka ndryshuar. Ky konstatim mbështetet edhe nga analiza e disa prej vendimeve të periudhës 2021–2026. Nga krahasimi i pretendimeve dhe provave të paraqitura me arsyetimin e vendimeve rezulton se çështjet që lidhen me profesionalizmin më së shumti nuk kanë marrë një analizë të plotë dhe të thelluar, çka ngre pikëpyetje mbi peshën reale që i është dhënë kriterit të aftësive profesionale në procesin e rivlerësimit. Shpesh vihet re se analiza e pasurisë së disa subjekteve mbetet e kufizuar në elementet formalisht të deklaruara prej tyre, edhe kur ekzistojnë denoncime publike ose indicie që kërkojnë verifikime më të thelluara. Nga arsyetimi i disa vendimeve nuk rezulton gjithmonë një analizë e plotë mbi mundësinë e ekzistencës së pasurive të padeklaruara, të fshehura ose të mbajtura në forma të tjera juridike apo faktike. Pa paragjykuar shkaqet e kësaj qasjeje, kjo krijon perceptimin se në disa raste kontrolli i pasurisë ka mbetur formal dhe nuk ka shteruar të gjitha mundësitë e verifikimit që do të sillnin një vlerësim më të plotë të burimeve dhe interesave pasurore të subjektit, e për rrjedhojë mund të kenë përfituar kualifikimin edhe subjekte me probleme. Kjo ka sjellë që shpesh vendimmarrjet të bëhen objekt diskutimi publik.
Së treti, denoncimet e qytetarëve mbetën një histori shpërfilljeje reale ose pjesëmarrjeje formale.
Ndonëse këtë e parashikoi ligji dhe u promovua si pjesëmarrje publike, në praktikë ky mekanizëm rezultoi më së shumti formal. Denoncimet e qytetarëve – palë në proces ose jo, pranë organeve të vettingut, që përmbanin pretendime për shkelje reale shpesh morën një trajtim formal dhe të njëanshëm, ndërsa një pjesë e tyre u mbyllën pa verifikim deri edhe pa reflektim – qoftë dhe ekzistence, në vendimet e rivlerësimit të subjekteve. Qytetarët besuan paraqiten prova dhe fakte, por u shpërfillën si nga ana e KPK – së edhe KPA-së që tashmë kanë përfunduar punën e tyre pa u dhënë përgjigje konkrete. Ky konstatim bëhet edhe më i qëndrueshëm me konkluzionet në raportet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) dhe organizatave të tjera monitoruese, sipas të cilave organet e vettingut kanë ndjekur shpesh një qasje formale dhe burokratike ndaj ankesave të publikut, pa i reflektuar ato në hetim ose në vendimmarrje.
Nga ana tjetër, vihet re problematika e trajtimit me dy standarde të denoncimeve. Analiza e disa vendimeve të KPK-së dhe KPA-së nxjerr në pah një mospërputhje në mënyrën e vlerësimit të tyre. Në një numër rastesh ku subjektet janë konfirmuar në detyrë, argumentet për rrëzimin e denoncimeve nuk duket se janë mbështetur gjithmonë në një hetim të plotë dhe shterues mbi pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Po ashtu, në disa vendime konstatohet një afërsi e konsiderueshme ndërmjet arsyetimit të trupave gjykuese dhe prapësimeve mbrojtëse të paraqitura nga vetë subjektet e rivlerësimit. Në raste të caktuara, janë përdorur formulime të ngjashme me ato të vetë gjyqtarëve ose prokurorëve, kur pikërisht këto formulime kanë qenë objekt denoncimi. Kjo krijon perceptimin e një qasjeje mekanike në trajtimin e pretendimeve të qytetarëve dhe ngre pikëpyetje mbi nivelin e hetimit objektiv.
Shqetësuese mbetet edhe përshtypja se pesha e denoncimeve ka ndryshuar sipas rezultatit përfundimtar të procesit: Në rastet kur subjekti është shkarkuar, denoncimet e qytetarëve janë konsideruar me rëndësi, ndërsa në raste kur është konfirmuar në detyrë denoncime jo të pakta janë rrëzuar me argumente të ngjashme / shabllone, ose nuk janë trajtuar fare si të mos ekzistonin. Ky perceptim bie ndesh me misionin themelor të institucioneve të vettingut për të rikthyer besimin e publikut te drejtësia. Duke shpërfillur fakte konkrete për gjykime jo-efektive deri dhe gjykime popullore, organet e vetingut riciklojnë dëmin publik. Kur një gjyqtar apo prokuror kalon filtrin pavarësisht denoncimeve të faktuara, atij praktikisht i jepet një mundësi e re për të vazhduar dëmtimin e qytetarëve të tjerë me vendimmarrje po aq problematike në të ardhmen. Për rrjedhojë, mënyra e trajtimit të denoncimeve ka krijuar perceptimin e ekzistencës së standardeve të dyfishta në procesin e rivlerësimit, si dhe ka për vendimmarrje të diktuara dhe të paramenduara.
Së katërti, roli i Institucionit të Komisionerëve Publikë (IKP) në procesin e vettingut nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive.
Edhe pse IKP u krijua për të mbrojtur interesin publik dhe për të garantuar kontrollin e vendimeve të KPK-së, raportet monitoruese kanë ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin dhe autonominë e tij institucionale, si dhe mbi mënyrën e trajtimit të denoncimeve të publikut. Sipas analizave të organizatave të shoqërisë civile, një pjesë e konsiderueshme e ankimeve janë ushtruar pas rekomandimeve të ONM-së. Gjithashtu, është konstatuar një asimetri në strategjinë e ankimimit: Komisioneri Publik është përqendruar pothuajse ekskluzivisht te kriteri i pasurisë, ndoshta ngaqë elementet financiarë dhe transaksionet ofrojnë prova më të matshme. Si pasojë, kriteret e figurës dhe profesionalizmit kanë mbetur shpesh në plan të dytë edhe për Komusionerin. Kjo qasje ka ndikuar që një pjesë e ankesave të qytetarëve, të cilat lidhen kryesisht me sjelljen profesionale apo ushtrimin e detyrës nga gjyqtarët dhe prokurorët, të mos bëhen pjesë e ankimimeve të Komisionerit dhe as të mos trajtohen në shkallën e dytë të vettingut, madje kur edhe vetë KPA ja ka nisur denoncimin Komisionerit dhe ONM – së.
Transferimi i funksioneve të Komisionerëve Publikë te SPAK mbetet një çështje e diskutueshme për sa i përket efektivitetit të kësaj zgjidhjeje. Debati nuk qëndron te fakti nëse këto kompetenca duhej t’i kalonin SPAK-ut apo një institucioni tjetër, por nëse transferimi i tyre ishte alternativa më e përshtatshme apo mund të konsiderohej edhe mundësia e shtyrjes së afatit të ushtrimit të funksioneve të Komisionerit Publik, me qëllim garantimin e vazhdimësisë institucionale dhe ndjekjen e çështjeve të mbartura. Personalisht, kam rezervat e mia lidhur me efektivitetin e këtij tranzicioni, mbështetur edhe në përvojën time gjatë ndjekjes së një denoncimi të paraqitur pranë Komisionerit Publik, ku nuk kam arritur të siguroj informacionin e kërkuar mbi trajtimin e tij.
Së pesti, paqartësitë mbi rolin real të ONM-së në procesin e vettingut.
Një çështje që meriton vëmendje lidhet me ekuilibrin e rekomandimeve të ONM-së ndërmjet tre kritereve të rivlerësimit. Praktika e ndjekur tregon një përqendrim më të madh te kriteri i pasurisë, ndërsa mbetet e paqartë nëse figura dhe profesionalizmi kanë marrë të njëjtin nivel vëmendjeje dhe monitorimi. Nga dokumentacioni dhe korrespondenca e disponueshme nuk është gjithmonë e qartë për qytetarët roli konkret i ONM-së në trajtimin e informacionit dhe denoncimeve gjatë procesit. Në disa raste, denoncimet i janë përcjellë ONM-së për dijeni nga KPA, ndërsa në komunikime në emër të këtij institucioni, nënvizojnë se ONM nuk trajton raste individuale. Kjo ka krijuar paqartësi mbi funksionimin real të mekanizmit të monitorimit dhe mbi mënyrën se si është trajtuar informacioni i ardhur nga publiku për subjektet e rivlerësimit.
Së gjashti, transparenca formale dhe çështja e llogaridhënies – Mungesa e llogaridhënies është reflektuar edhe në mënyrën se si është konceptuar transparenca gjatë procesit të vettingut. Ajo është kufizuar kryesisht në publikimin formal të vendimeve në faqet zyrtare, ndërsa publikimi i mënyrës së llogaritjes së pasurisë së subjekteve të rivlerësimit, apo hetimi për dy kriteret e tjera – përfshirë edhe denoncimet si dhe shënimet përkatëse, nuk ka rezultuar. Gjithashtu, trajtimi i denoncimeve dhe kërkesave të qytetarëve nuk ka qenë gjithmonë i shoqëruar me përgjigje të arsyetuara dhe individuale. Në këtë kuptim, nuk është garantuar e drejta për informim.
Në tërësi, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies është vërejtur në mënyra të ndryshme tek institucionet e rivlerësimit, por edhe mekanizmat mbështetës të tij.
Një tjetër aspektlidhet me standardet e aplikimit të vettingut ndaj vetë arkitektëve dhe drejtuesve të reformës. Në përfundim të procesit, një pjesë e aktorëve institucionalë KPK dhe KPA apo IKP pas përfundimit të mandatit janë integruar në sistemin e drejtësisë pa iu nënshtruar një procesi të ngjashëm rivlerësimi. Po ashtu, organizimi institucional i KLGJ-së dhe KLP-së ka ngritur debate mbi mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve dhe nivelin e kontrollit që aplikohet mbi këto struktura. Në këtë kuadër, lind pyetja nëse sistemi ka arritur të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm llogaridhënieje, apo nëse në disa raste ka prodhuar një qarkullim të brendshëm të elitave institucionale. Për rrjedhojë, mbetet objekt debati nëse reforma në drejtësi ka sjellë një transformim të thellë të sistemit apo një rikonfigurim të tij.
Në përfundim, vettingu nuk arriti të vendosë standarde të qarta dhe detyruese mbi sjelljen dhe etikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk u ndërtua një sistem real monitorimi të vazhdueshëm mbi ushtrimin e detyrës. Gjithashtu, procesi i vettingut nuk arriti të kontribuojë në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë nga ndikimi i politikës dhe pushtetit.
Në këtë kuptim, procesi i vettingut nuk arriti të rrisë besimin e publikut te drejtësia. Dilema “drejtësi për qytetarin apo drejtësi popullore” mbeti e pazgjidhur dhe, në disa aspekte, u thellua.
Komisioneri Publik nuk ushtroi plotësisht rolin e tij si garant i interesit publik. Ky institucion shpesh nuk ka qenë zëri i qytetarëve të nëpërkëmbur. Edhe vetë pushteti politik dhe institucionet shtetërore nuk ndryshuan qasjen e tyre ndaj drejtësisë, duke mos krijuar kushtet për një sistem realisht të pavarur nga ndikimi politik dhe varësia institucionale.
Kësisoj, vettingu nuk arriti të përmbushë pritshmëritë që vetë kishte krijuar.
Pasojat e këtij procesi nuk janë më teorike. Ato ndihen çdo ditë në dyert e gjykatave dhe prokurorive. Reflektohen në mënyrën se si trajtohen çështjet e qytetarëve, në zgjatjen e pajustifikuar të procedurave dhe mungesën e efektivitetit në dhënien e drejtësisë. Ato shfaqen edhe në mënyrën si trajtohen individët që këmbëngulin të kërkojnë të drejtat e tyre, në mungesën e transparencës reale dhe në lodhjen që përjetojnë përballë një sistemi drejtësie, të cilit i besuan kur trokitën në dyert e tij, por që gjatë rrugës ua zbehu, e madje ua theu, këtë besim.
Për rrjedhojë, nevojitet një reflektim i thellë institucional nga të tre pushtetet, si dhe vendosja e mekanizmave të rinj të vlerësimit dhe përgjegjshmërisë, që të garantojnë jo vetëm largimin nga sistemi të elementëve të papërshtatshëm të mbetur apo të futur në mënyrë të padrejtë në të, por edhe formimin e një brezi të ri gjyqtarësh dhe prokurorësh me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi të vërtetë.
Këto konkluzione nuk mbështeten vetëm në burime publike dhe analiza profesionale të ekspertëve, por edhe në përvojën time konkrete shtatëvjeçare me sistemin e drejtësisë dhe në ndërveprimin e drejtpërdrejtë me institucionet e vettingut gjatë ndjekjes së çështjeve që lidhen me të drejtat e mia.