Mevlan Shanaj: KAMERA, STILOGRAFI I REGJISORIT
Filmi është ndoshta arti më kolektiv që ka krijuar njeriu. Filmi lind nga takimi i shumë mendjeve, shumë ndjeshmërive dhe shumë profesioneve. Çdo film është një orkestër, ku secili instrument ka rëndësinë e vet, por ku dirigjenti mbetet regjisori.
Megjithatë, regjisori nuk është një sundimtar që urdhëron. Ai është krijuesi që di të dëgjojë, të bindë dhe të frymëzojë. Ai duhet të jetë i aftë ta bëjë çdo bashkëpunëtor ta ndiejë filmin si të vetin.
Në këtë bashkëpunim, vendin më të afërt me regjisorin e zë drejtori i fotografisë. Nuk është rastësi që thuhet: “Kamera është stilografi i regjisorit”. Regjisori shkruan me ide, me emocione dhe me ritëm, por ato ide marrin formë përmes syrit të kamerës. Nëse skenari është mendimi, kamera është shkrimi i tij.
Drejtori i fotografisë nuk është vetëm teknik. Ai është përkthyesi vizual i mendimit të veprës së ardhshme. Një lëvizje kamere, një kënd vështrimi, një kontrast drite, një plan i gjatë apo një afrim i papritur mund të ndryshojnë tërësisht kuptimin emocional të një skene. Prandaj marrëdhënia mes regjisorit dhe operatorit ndërtohet mbi besimin e plotë dhe respektin profesional aq më bukur kur krijohen marrëdhënie të mira miqsore.Ata duhet të arrijnë deri aty sa të kuptohen edhe pa shumë fjalë.
Historia e kinemasë njeh shumë dyshe krijuese që kanë lënë gjurmë pikërisht sepse kanë ndërtuar këtë gjuhë të përbashkët.Unë kam në përvojën time bashkëpunimi që mund të mbeten si një libër studimi , bashkëpunimet e shumta me Pali Kuke dhe deri diku me Stefan Gajo.
Regjisori nëse nuk arrin ta ndajë jo vetem imazhin por gjithe mendimin për filmin e ardhshëm me operatorin, filmi humbet një pjesë të shpirtit të tij.
Por bashkëpunimi nuk mbaron këtu. Skenografi ndërton hapësirën ku do të jetojnë personazhet. Kostumografi i jep kohë, karakter dhe identitet figurave. Kështu kujtoj bashkëpunimin e shkëlqyer me piktorin, skenografin Fatbardh Marku në filmin “Plumba perandorit” që sē bashku me kamerën e jashtëzakonshme të Pali Kukes i dhanë atij filmi përmasa europiane. Kompozitori krijon emocionin që shpesh nuk shihet, por ndihet siç është rasti i Aleksandër Lalos në filmin “Të shoh në sy “dhe një monument krijimi ka lene Kujtim Laro në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”. Montazheri është bashkautor i ritmit të filmit; në tavolinën e montazhit një film mund të rilindë ose të humbasë, bashkëpunimet dhe përplasjet me mjeshtrin Ismail Balla… Regjistruesi i zërit, i pa harrueshmi Gjergj Shteto dhe kështu grimerët, ndriçuesit, producenti, ndihmësregjisorët, e pra çdo anëtar i ekipit shton një gur në ndërtimin e veprës.
Sekreti i suksesit nuk qëndron vetëm te profesionalizmi individual, por te aftësia për të bashkëpunuar. Në një xhirim lindin vazhdimisht vështirësi: moti ndryshon, koha mungon, aktori nuk e gjen menjëherë gjendjen e duhur, teknika krijon pengesa. Pikërisht në këto momente provohet cilësia e ekipit. Një grup që komunikon dhe respekton njëri-tjetrin i kapërcen pengesat me krijimtari, jo me konflikt. Nga kujtimet e mia kur na ndodhte që gjatë punës përplaseshim me ndonjë bashkëpunëtor, drekën ose darkën e hanim së bashku për të harruar momentin e padëshiruar.
Regjisori duhet të dijë të të pranojë se ndonjëherë ideja më e mirë mund të vijë nga një bashkëpunëtor. Kinemaja njeh plot raste kur një sugjerim i operatorit, i aktorit apo i montazherit është bërë pjesë e pandashme e një filmi të madh. Regjisori i mençur nuk e sheh këtë si humbje autorësie, por si pasurim të saj.
Filmi është dëshmia se arti më i madh lind kur individualitetet nuk zhduken, por bashkohen në një vizion të përbashkët.
Prandaj shprehja “kamera është stilografi i regjisorit” ka një kuptim më të thellë sesa duket. Pikërisht marrëdhëniet e besimit te grupi i japin jetë filmit– jo si vepër e një njeriu të vetëm, por si fryt i një bashkëpunimi artistik ku secili lë gjurmën e vet.
Me këtë rast u shpreh mirënjohje të thellë gjithë bashkëpunëtorëve të mi që i besuam që mësuam nga njeri-tjetri duke dhënë përkushtimin më të sinqertë për punën. Ndaj ndihem krenar që me përpjekje të mëdha i kemi dhënë shqiptarëve një pjesë madhështore të jetës së tyre jo vetëm histori, por mbi të gjitha pjesë nga jeta e përbashkët si nē filmat artistike dhe dokumentarët e shumtë.
Mirënjohje atyre që e krijuan Televizionin Shqiptar, Universitetin e dijes për ne të gjithë.