Arben Kallamata: “Kush” është gabim?
“Kush” është pyetja e gabuar. Kush është pyetja që synon shmangjen nga thelbi i lëvizjes. Kush është pyetja që ruan të patundur në piedestal dy figurat e konsumuara të politikës shqiptare.
Është pyetje që e bëjnë më së shumti adhuruesit e verbër të të dy “udhëheqësve legjendarë”, ata që s’bëjnë dot pa një figurë atërore që ta ndjekin me përulësi dhe servilizëm, t’i gëlltisin pa përtypur gjithçka që nxjerr.
Kjo është edhe arsyeja se përse po pëlcasin të zbulojnë se “kush” është në krye të protestave. Ta gjejnë që t’i vërsulen si të tërbuar për ta shkatërruar, siç ju vërsulën të vetmit person që kanë mundur të identifikojnë deri sot.
Kush ishte pyetja e hedhur që kur krijohej shteti shqiptar. Kush do ta zëvendësojë Sulltanin, Padishahun, Babën?
U gjet dikush, Ismail Qemali që e mori përsipër, por s’pati durim ta çonte punën e tij deri në fund. E megjithëse ai iku, puna u bë nga ata që la pas, pa qenë nevoja a ndonjë Dikushi të fortë. Pastaj erdhi një i fortë, Zogu, që u bën edhe më i fortë, u bë mbret.
Kush mund ta zëvendësonte madhërinë e tij? Jam i bindur që shumë shqiptarë në fund të viteve tridhjetë e kanë pasur të pamundur t’i japin përgjigje kësaj pyetje.
Por u gjend një tjetër “i fortë”, Hoxha. Aq i fortë u gjend saqë dyzet e kusur vjet më vonë, askush nuk guxonte ta shkonte ndërmend pyetjen “kush”.
Askujt, përveç atij vetë dhe asaj hienës së zezë që kishte në krah.
Kur e kuptuan të dy se ai nuk mund të ishte i pavdekshëm siç pretendohej, u vunë të gjenin “kush”-in.
Përfundimi që arritën? Që të ruhej vazhdimësia Kushi nuk duhej të ishte i fortë. Me vazhdimësi mos e gjënjejë mendja njeri të mendojë se flitet për vazhdimësinë e idealit komunist. Jo, me vazhdimësi ata nënkuptonin ruajtjen e sundimit të familjes Hoxha, të sundimit personal. Por kjo s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka gjetja: për të ruajtur vazhdimësinë e idesë, qoftë e mirë apo e keqe, drejtuesi nuk duhet të jetë shumë i fortë. Një drejtues i fortë i ndërron drejtimin anijes sipas interesit të tij. Kjo nuk i shkonte për shtat as Hoxhës as hienës që po linte pas.
Prandaj ju vunë spastrimeve, shkarkimeve, vrasjeve, pushkatimeve, burgosjeve, internimeve që për 15 vjet e terrorizuan popullin shqiptar deri në palcë, por ama eliminuan të gjithë kushët e mundshëm, për t’i hapur rrugën asaj vemjes pa shtyllë kurrizore që spërdridhej si t’i donte qefi hienës.
Ramiz Alia ishte askushi më i përshtatshëm për të ruajtur idenë e vazhdimësisë (së sundimit të familjes Hoxha) deri në amëshim dhe do ta kishte kryer këtë mision po të mos kishin ndodhur gjëra që ishin përtej forcës dhe pushtetit të tyre.
E, megjithëse Alia ishte një drejtues i dobët, kur erdhi koha që ai t’ia linte karrigen dikujt tjetër, përsëri doli në plan të parë pyetja “kush?”. Në vitin 1990 pakkujt i shkonte media që shtetin shqiptar mund ta drejtonte ndonjë njeri tjetër veç Ramiz Alisë.
Faktikisht nuk ishte aspak e vështirë të gjendej dikush. Sepse gjithmonë gjendet dikush.
Fati i Shqipërisë ishte që ky dikush qëlloi nga ata të fortët, nga ata që s’kanë shumë qef ta lëshojnë karrigen. Nga gjërat e para që bëri pasi erdhi në pushtet ai ishte futja në burg e të vetmit “kush” që mund ta zëvendësonte, Fatos Nanos. Gjëja tjetër që bëri ishte degjenerimi i sistemit që mund ta zëvendësonte, votës së lirë. Me këtë veprim Sali Berisha i dha goditjen më të rëndë demokracisë së brishtë shqiptare.
Çdo gjë që bëri më vonë për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, duke përfshirë edhe pelivanllëkun e kalimit të pushtetit nga presidenca në kryeministri, do t’i kthehej më vonë në bumerang që do ta godiste kokës. Rama kapi gjithçka i kishte lënë gati Berisha, duke përfshirë edhe vendosmërinë për të mos e lënë karrigen sikur flakë të merte i gjithë vendi. Me to ai krijoi variantin e tij të diktaturës.
Deri në fund të majit 2026 Rama ishte i qetë se e kishte zgjidhur problemin “kush”. Ai mbante në një kavanoz formaline figurën e konsumuar të Berishës, të cilën ua tundte në surrat shqiptarëve në çdo zgjedhje. Aq i sigurt ishte se “kushi” Sali nuk i bënte dot rivalitet imazhit të tij prej të forti të pamposhtur, saqë nuk kishte nevojë as të manipulonte zgjedhjet.
Derisa erdhi dita që u përball me pelikanët. Protestat në nisje ekologjike dhe më pas, shumë shpejt më pas, me karakter transformues, dolën tepër të vështira për t’u përballuar politikisht nga të dyja mendjet e atrofizuara të politikës shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk mundi dhe nuk diti si të reagojë.
Edhe Rama, edhe Berisha, bashkë me arradhën e pakorrigjueshme të pasuesve të tyre të verbër, janë vënë në kërkim të ethshëm të “Kush”-it. Kjo është e vetmja lojë politike që dijnë të luajnë – gjeje kush është zëvendësuesi potencial dhe shkatërroje me të gjitha mjetet. Në këtë lojë, jo rastësisht ata janë në të njëjtin ekip, luajnë të me të njëjtën fanellë të dalë boje, të ndotur, të palarë dhe të shqyer.
Një nga kartat më të fuqishme të lëvizjes rinore të qershorit 2026 është anonimati i drejtimit. Ajo i ka hutuar dhe nervozuar kundërshtarët. Pa asnjë të dhënë për drejtuesit e saj, Berisha e kundërshtoi menjëherë për ta kuptuar vetëm disa ditë më vonë (tepër vonë) çfarë gabimi kishte bërë. Në të njëjtën dërrasë të kalbur shkeli edhe Rama, që tani vërtitet si derr i egër i plagosur, pa pasur idenë më të vogël se çfarë duhet të bëjë. Çdo hap politik që ka ndërmarrë deri sot ka qenë i gabuar. Ai i ka shteruar të gjitha mjetet politike. Në dorë ka vetëm forcën brutale të ushtrisë dhe policisë, si edhe fytyrën e vërtetë prej diktatori.
Ndërkohë është me interes se si do të luajnë vetë drejtuesit e lëvizjes në lidhje me “Kush”-in. Shpresoj të jenë aq të mençur dhe të vendosur sa t’i japin atij vendin që i takon: pra një rol minimal në drejtimin e lëvizjes së tyre dhe të shoqërisë së ardhme shqiptare. Nëse të rinjtë kërkojnë vërtetë një reformë, një përmbysje në mënyrën se si funksionon shoqëria shqiptare, ata duhet ta nisin dhe ta mbajnë përpjekjen e tyre pikërisht këtu: te eliminimi i mundësisë institucionale që vendi të kontrollohet nga një dorë e fortë. Demokracinë mund ta ruajë vetëm një sistem që nuk lejon askënd, sado i fortë dhe ambicioz të jetë, që të gllabërojë pushtetin.
Shqipërisë nuk i duhen njerëz të fortë. Shqipërisë i duhet një sistem i fortë. Le të shpresojmë që koha e diktatorëve ka marrë fund. Pyetja që kanë përpara drejtuesit dhe përkrahësit e lëvizjes nuk është “kush”. Pyetja është “si”?
Nuk ka fare rëndësi se kush do të vihet në krye. Rëndësi ka që ai ose ajo të jenë të përkushtuar për të kryer reformat dhe që, nëse nuk janë, të jenë krijuar mekanizmat institucionalë për t’i kontrolluar dhe zëvendësuar.
Poshtë kulti i individit!