Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: TË NGATËRROSH THITHJEN ME THETHIN


Të pëlqen të mendosh se dita në verë ka fytyrë kafshe. Mëngjesi i ngjan lepurit me lëvizje të shpejta, të trembura disi. Pastaj vjen ora kur njerëzit rehatohen nëpër kafene, mezi shtyjnë orët, si ato fokat që i ke parë në San Diego të shullëhen me orë në diell në anë të oqeanit. Vjen dreka dhe jeta pluskon ngadalë, rrugët boshatisen dhe njerëzia ngucen në kërkim të ndonjë hijeje për të futur kokën, si delet kur kthehen në shtrungë. Vetëm mbrëmjeve, pas gjumit të pasdrekës, njeriu sikur lë mënjanë “kafshën” dhe bëhet vetvetja. Ka ngjyrë tjetër darka, ritëm tjetër, aq sa duket se edhe qyteti nuk është ai i ditës. Dikush e ka lyer me ngjyra të turbullta, si llum, me një bukuri gënjeshtare. Është një Tiranë tjetër, me stil e pamje më evropiane.
Pikërisht një nga këto mbrëmje, në një kryqëzim rrugësh, të zunë sytë dy të rinj. Një vajzë dhe një djalë. Vajza kishte futur fytyrën mes duarve dhe qëndronte në gjunjë. Herë-herë bënte lëvizje të plogëta të kokës. Djali qëndronte në këmbë pranë saj, me njërën nga duart në kokën e vajzës.
Iu afrove, me mendimin se mund të kishin nevojën tënde.
Pyete djalin:
– Si mund t’ju ndihmoj?
Ai ta ktheu anglisht:

– No, thank you. I’m waiting for her to finish work.
Ty të rrëmbeu kureshtja e shqiptarit. Lëshove pyetjen e radhës.
– Pse, çfarë po bën?
– He’s just sucking, – tha djali.
– Çfarë? – pyete, duke ditur se veshët e tu nuk janë streha më e mirë për anglishten.
Djali qëlloi shumë i sjellshëm dhe të nxori menjëherë nga situata:
– Thjesht po thith, – foli me një shqipe që nuk linte dyshime për gjuhën e tij të nënës.
Ti se pse do doje më mirë të mos e kishe kuptuar, sesa të mos besoje atë që dëgjove.
Djali lëshoi një buzëqeshje shterp në drejtimin tënd dhe pastaj sqaroi:
– Deshëm të shkonin deri në Theth, por kësaj i pëlqeu këtu dhe tani po thith.
Ishte qendra e Tiranës.
(Nga libri “33×333 dhe ushtrime të tjera për idiotë”, Neraida, 2024).