Ruzhdi Gole: NJË PEMË NË GJOKS
1.
Përhera nga mëma
ne jemi vëllezër,
pas përcjelljes
së saj
vonë
u bëmë miq.
Ndoshta, fëmijtë tanë
do duken kushërinj
të largët …
2.
Nuk paska retinë
ta shoh të vërtetën
plot shenja
jetojnë zgjim
gjysma shenjtër.
Retinë paska
veç shigjeta
të ndrit para syve
plot shenja të verbërta…
3.
Vëllazërimi afrohet … duke ikur
rrokur tek njeri-tjetri ngahera.
Në breg shtrirë vëllai i madh
përhera i çiltër, humbës
ndaj të voglit
mëditës.
Ciflat nuk kanë krye
dhe as kujtesë…
Vëllazërimi afrohet
duke ikur
valëve
veç…
4.
Pjesë – pjesë Jeta …
rron honet
pastaj
cingëron
nga thneglat.
Vëllai i vogëlth
I jep dorën të mbramit
jo ikur shpejt tej, as fjetur së gjalli…
5.
Mposhtemi
edhe
duke u ngjitur lart,
fitojmë edhe
duke u rrokullisur poshtë,
ndoshta
përpjetë na kanoset një grackë
në mes të një rrokullime
një pemë
na vë
duart në gjoks…
6.
Përtërihemi gjoja…
gjoja tani jemi të hirtë,
trupi i një trungu
nga kripa vdes
si veshka nga tepria
stomaku nga pabloja
si gishti pa rreze
si rrezja…
pa filizë.
Ne aty dukemi motakë
më të mëdhenjtë largpamës,
hareshëm hutohemi
vetëm një çast
te kthjellët më pak
shumohemi vranët…
7.
Dikush, ngahera
çalon pa ecur,
dikush të sheh
me sytë mbyllur,
hilen të çalit
ia zbulon era
loti ia zbulon hilen
syrit të qirinjtë
qiririt të strukur.
Ndonjëherë çalon
edhe
ngashërimi
loton
me sytë e tij
asnjëherë dinakë,
pastaj shkund urnat
tej kërcinjve të hirit
me tjetër natyrë nga bota vrap…
8.
Çuditë krehin flokët
merakosen çuditë,
njera prej tyre
në moshën e fluturës
e njomësht
karficë sa ka vënë tjetra
e rreshkura rri mënjanë
tymos kujtese marrëzitë.
O vajza, o gra grunjare
prej motesh u kam ikur
fluturave të çudive
jo puthjeve
plot farëra
në moshën
pa tespije
plot ngjarje…
9.
Jeta… e shpejtë, duket e cungët,
me hapin atlet jeta e plumbtë.
S’e zë mugëtira…
mjafton një bela
bela nga ato që jetojnë
ende të d’lira
jo vetëm në gjoks
jo vetëm në krahë.
Jeta… e shpejtë, jeta e plumbtë…
e çojmë ku ne duam
na çon humba humb…
10.
Lodhja ime e parë
udhëtimi im
i fundit…
Gjer atëhere
ndjek cakun, çdo thep,
Deti tjetër kund
do t’i hedh degët e reja
të të pagjumit
farërat e tij të kaltra
do të më bien mbi gjithçka
ndoshta
prej Reke një shkamb
do të më avitet
do të më çukis ndonjë sqep.
Lodhja ime e parë
asht
udhëtimi im i fundit…
Qe besa, pabesisht do iki
shkuma e një vale dikund
thepi i një cingërime
prej zjarri
jo pluhuri…