Albspirit

Media/News/Publishing

Balil Gjini: “Darka e fundit” e Edi Ramës

Darka e fundit. Kështu e quajti Rama darkën që dha në Pallatin e Brigadave me brigadën e deputetëve dhe ministrave, apo me shpurrën që bëhet gati ta shporrë. Çfarë kambane e zile kumbojnë te “katedralja” e këtij togfjalëshi! Tek çdo njeri me pushtet jeton njëherazi edhe mbreti ambicioz, edhe kllouni qesharak. Duke e quajtur “Darka e fundit”, kllouni ynë qesharak (që dikur me bojrat e cirkut ngjyroste Tiranën, kurse tashmë këto bojra i derdh pa kursyer me kova mbi vetveten) ka dashur ta krahasojë veten me Jezusin dhe dishepujt e tij. Çfarë deliri! Gjithnjë ka dashur të na japë idenë se ekuilibri i botës qëndron ngase nga njëra anë e peshores qëndron ai, nga ana tjetër ajo, bota. Largimi tij nga kjo peshore do ta çojë atë në kaos. I gjori brumbull: duke i dhënë formë të rrumbullakët bajgës, kujton se po i jep vetë botës!

Ungjijtë thotë që Jezusi u tha dishepujve, se, pa kënduar gjeli i tretë, ata do ta tradhëtonin. Rama nënkupton se pa ardhur shtatori ata do ta tradhëtojnë, teksa disa e kanë tradhëtuar tashmë. Imagjinoni: picirruku Braçe si vetë shën Pjetri.Jezusi kishte shtruar në tryezë copra eukaristie, Rama copra mishi nga trupi i Shqipërisë. Jezusi ishte Mesia që mori mbi shpinë fajet e gjithë njerëzve, Rama, është “profeti” ynë kanibal, që mban në gojë copra ishujsh e gadishujsh.

Darka e fundit. Mund ta imagjinoni pallatin e brigadave si një lloj anije që po mbytet dhe të gjithë pasagjerët hidhen në det për të shpëtuar. Në fakt kështu edhe do të ndodhë. Gjithë dishepujt e Ramës, ata hiçkushër që ai i vendosi në krye të vendit veç për t’u tallur me ta, me nuhatjen e minjve para përmbytjes, po bëhen gati ta braktisin kapitenin me uniformën e zbërdhylët nga përdorimi i gjatë. Kështu ka ndodhur gjithmonë: erion braçet dhe spiropalët, në çastet e kthesës, kanë qenë gati të gjejnë një kapiten tjetër. janë fundosur më të aftët, kanë shpëtuar gjithmonë mediokrit. Janë zhdukur dinosaurët, kanë mbijetuar zhapinjtë. Kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Si ndodh vallë që mjalti i dashirisë së tyre është kthyer në zeher? Si ndodh që në hoje nuk rritin më bletëza por arrëza?Atij, “profetit” të madh, si mbetet gjë tjetër veçse të ngrejë duart drejt qiellit dhe të lëshojë mbi ta popla ciklopike sharrjesh. Por, ngaqë e di se as ato nuk bëjnë efekt, atëherë vendos mbi buzë një dantellë buzëqeshjeje sarkastike. Demon skëterre. Me vete thotë: si ka mundësi të mbyten unë, statuja e florinjtë, dhe të shpëtojnë ata, karkaculët, llamarinat e skurrjasura që vetë i mora nga kovaçanat e lagjeve? Hahahatë rrokullisen si ortekë nga Olimpi i arrogancës së tij, me shpresë ta zënë gjithë rodinën njerëzore nën vete.

“Profeti” ynë i rremë, pasi korruptoi gjithçka, i është turrur me kohë edhe korruptimit të truallit sintaksor të shqipes. Grabiti nga sëndyqët dhe kasafortat e saj xhevahirë dhe inxhi, shkuli nga trualli leksikor trëndafilat dhe mbolli në ta shurrakë. Ç’shuttaw! Qysh në fillim të pushtetit përdhosi e poshtëroi fjalën “rilindje”. E keni parasysh çfarë ngjyruese dhe vesë kishte kjo fjalë ardhur që nga koha e Frashërllinjve dhe rilindasve të tjerë: gjithë vesk idealiteti, fjalë plot polen e farfuri ngjyrash. Tashmë në kohën e Ramës (nëse dordolecët kanë me të vërtetë kohë) ajo është gjithë baltë e llucë si një peshk kënete.

Por zullumqari s’ndihet rehat: i këllet duart e tij prej veterineri dhe nxjerr nga guva e leksikut drenushën me dymbëdhjetë brirë “besë”. I kalon duart mbi brirët dhe lëkurën e saj. Duket sikur mëton ta përkëdhelë, por jo, bëhet gati ta therë. Pikërisht këtë fjalë, këtë drenushën tonë mitike, ai kërkon ta bëjë kurban për të shpëtuar pushtetin e tij. Deputetët dhe ministrat i ka pasur gogla me të cilat stërvitje duart. Si i dolën kështu pa besë? Si mund të bëhen goglat gogolë? Ç’u bë mirënjohja? Kjo është një fjalë tjetër plotësisht e korruptuar prej tij. E përdor fjalën “besë” pikërisht ai që stërvitet në artin e tradhëtisë dhe thikat ua ngul në trupin e shokëve dhe të Kosovës, tamam siç bëjnë banditët që stërviten me to duke i ngulur në trungun e një peme. Shkronjat e fjalës “mirënjohje” janë për të hallka të arta floriri, dhe me to ka lidhur te lisi i pushtetit gjithë skotën e vet. Detyra e tyre është thjesht detyrë qeni: të lehin për të.

Rama sjell shembuj, përmend dikënd që ka mbjellë manaferra dhe s’i ka ecur mirë. Medet, o det, medet! Ç”metaforë mezaferre! Po si mund të jepnin prodhim manaferrat, pa u shkulur ferra që i është bërë havale këtij vendi: vetë Edi Rama?

Darka e fundit. Çfarë vizioni apokaliptik paskërka për veten “profeti” ynë profan. Iu kujton të tjerëve kryqin, por në fakt meriton ryqkin. Ngrë sytë nga qielli dhe është gati të thërrasë: “Eli, Eli, Lama, sabakthani”! Veç përballë nuk ka një copë të kaltër qielli, por një copë suvaje të bardhë. Suvaja e bardhë e një spitali psikiatrik… Kusur, kusar! Bash coha që të ka shërbyer si mbulesë tavoline e darkës së fundit, do të bëhet cohë qefini për qeverinë tënde.