Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Odiseja, kryevepra ku çdo epokë sendërton bindjet, shijet dhe frikrat e veta

1.

Filmi “Odiseja” i Christopher Nolan-it po shënon një sukses të vërtetë komercial. Shifrat marramendëse të arkëtuara qysh në javën e parë të shtyjnë të besosh se ai mund të arrijë të renditet ndër veprat më të ndjekura në historinë e kinemasë. Interesi i publikut është jashtëzakonisht i lartë, raportohet se në një kinema të Londrës biletat janë prenotuar deri në shtator, ndërkohë që mediat më prestigjioze botërore i kanë kushtuar hapësirë me recensa e artikuj vlerësues.

Gjithsesi, përkrah triumfit në arkat e kinemave dhe vlerësimeve në media prestigjioze, nuk kanë munguar as kritikat e mprehta. Në një pjesë të rasteve, vërejtjet e kritikëve përqendrohen te tjetërsimi i eposit homerik antik dhe shmangia nga e vërteta historike.

2.

Kështu flitet për një rrafshim të dukshëm moral e psikologjik të heroit. Figurës komplekse e shpesh mizore të Odiseut heroik i është fshirë çdo ambivalencë tragjike, duke e shndërruar në një hero tipik e të pëlqyeshëm të kinemasë moderne hollivudiane. Egërsia apo veprimet e dyshimta nuk shihen më si pjesë e natyrës së tij aristokratike e dinake, por motivohen përmes termave të sotëm si stres post-traumatik apo përmes efektit të lotusit, si një aludim i qartë ndaj përdorimit të substancave.

Këtij tjetërsimi i shtohen edhe anakronizmat e drejtpërdrejta politike e ekonomike. Shkaqet e Luftës së Trojës paraqiten si një përpjekje pragmatike për të mbrojtur e përmirësuar rrugët tregtare, çka e kthen Agamemnonin, një nga udhëheqësit më barbarë e lakmues të antikitetit, në një lloj mbrojtësi të tregtisë së lirë. Në të njëjtën linjë, ligjëratat e personazheve femërore mbajnë një ngarkesë të drejtpërdrejtë nga apologjia e feminizmit të sotëm, duke u dukur shpesh si inserte politike jashtë kontekstit historik.

Nga ana vizuale, ashpërsia e Epokës së Bronzit është zëvendësuar nga një estetikë luksoze e konsumit postmodern. Pallatet mbretërore ngjajnë më shumë me hotele moderne me ndriçim me qiri sesa me kështjella ushtarake antike. Internimi dramatik në ishullin e Kalipsos i përngjan një pushimi në Karaibe, ndërsa armatimet metalike të kujtojnë pajisjet e lojërave elektronike apo pelerinën e Batman-it.

Krahas këtyre shtohet se filmi vuan edhe nga humbja e peshës poetike të gjuhës. Toni solemn i eposit homerik është zëvendësuar nga një e folur e zakonshme amerikane, ku përdorimi i termave të përditshëm, si rasti ku Telemaku e thërret të atin thjesht babi/dad, e zbret tragjedinë e lashtë në nivelin e një drame familjare televizive.

3.

Një pjesë e mirë e këtyre kritikave përmendeshin në artikullin “A very silly adaptation of The Odyssey”, botuar në numrin e fundit të The Economist. Ndër konstatimet e tij, një e vërtetë e thellë të mbetet në mendje: “Kur debatojmë për Odisenë, nuk jemi duke debatuar për heroin e Homerit, por për veten tonë”.

Për ta argumentuar këtë ide, artikulli i The Economist kujton se si çdo epokë e ka ripërdorur eposin homerik si një pasqyrë për të shqyrtuar vetveten. Tragjedianët e mëdhenj të Athinës antike, Eskili, Sofokliu dhe Euripidi, i rimorën heronjtë dhe episodet e Homerit për të trajtuar dëmet psikologjike të luftës, hakmarrjen dhe paqëndrueshmërinë e pushtetit.

Shekuj më vonë, James Joyce me kryeveprën e tij “Ulysses” e vendosi figurën e heroit në Dublinin e fillimit të shekullit XX, për të përshkruar tjetërsimin, vetminë dhe jetën e përditshme të njeriut modern. Ndërkaq, sipas artikullit, Christopher Nolan duket se e rimerr këtë epos edhe për një qëllim krejt tjetër, tipik për kohën tonë: për të ushqyer debatet e pafundme dhe “përleshjet” mediatike në rrjetet sociale.

4.

Kjo prirje e çdo kohe për ta rishkruar Odisenë dhe për ta vënë në shërbim të aktualitetit të kujton dy nga riinterpretimet më të fuqishme: ato të Dante Alighierit dhe të Alfred Tennyson-it. Të dy autorët mbështeten mbi të njëjtin subjekt, një episod që nuk gjendet te Homeri, udhëtimin e dytë të Odisesë pas kthimit në Itakë. Te Homeri, eposi mbyllet me paqen dhe qëndrimin e heroit në shtëpi; ndërsa te Dante dhe Tennyson-i, mbreti i Itakës, megjithëse në moshë të thyer, nuk duron dot qetësinë e vatrës dhe limontinë e jetës provinciale, ndaj niset sërish drejt aventurës dhe të panjohurës.

Megjithëse shtjellojnë të njëjtin subjekt, qëndrimi autorial ndaj kësaj kuturisjeje të fundit është krejtësisht i kundërt. Dante te “Ferri” e vendos Odisenë në rrethin e tetë. Si mendimtar i Mesjetës së krishterë, Dante e admiron etjen e tij për dije, por e dënon kuturinë e udhëtimit të fundit si një mëkat krenarie ku njeriu guxon të kapërcejë kufijtë e caktuar hyjnitë. Anija e Odisesë mbytet nga stuhia sepse shkeli në hapësira të ndaluara dhe nuk u tregua modest dhe i përunjur para zotave.

Në të kundërt, Alfred Tennyson, nga pozita e njeriut të Epokës Viktoriane dhe të besimit te progresi, e përmbys tërësisht këtë moral. Te poema e tij epike ‘Ulysses” ikja e dytë e Odisesë nuk shihet si mëkat, por si simboli suprem i dinjitetit dhe i paepshmërisë njerëzore. I plakur e i mënjanuar nga rutina e mbretërimit, Odiseja u bën thirrje ndjekësve të tij për të lundruar derisa të rrojnë, sepse detyra e heroit romantik të kohës së Tennyson-it është të tregojë forcë, të kërkojë, të gjejë e të mos dorëzohet kurrë.

Mund të vazhdosh me rimarrje të tjera të eposit homerik, po pranëvenia Dante – Tennyson dëshmon jashtë çdo dyshimi se Odisea ka shërbyer në shekuj si ekran, ku çdo kohë ka projektuar shijet, vlerat dhe ankthet e veta.

Dhe nëse antikiteti projektoi mbi heroin homerik nderin, Mesjeta mëkatin e kureshtjes, romantizmi etjen për progres, modernizmi tjetërsimin, vetminë dhe jetën e përditshme të njeriut modern, çfarë mbetet për kohën tonë? A thua se tipari kryesor i saj mbeten “përleshjet” virtuale në rrjetet sociale që po shkakton filmi i Nolan-it?

Po qe kështu, qenkemi me të vërtetë Odisenj të shquar: nuk lundrojmë më nëpër dete të trazuara, por në rrjete sociale plot vorbulla fjalësh…