Eden Babani: Nga e vërteta te e pavërteta dhe anasjelltas
(Fragment nga libri në proces)
KREU II
Karakas – Venezuela…
1.
Do të ketë qenë viti mësimor 1961 – 1962.
Njëzetetë – njëzetenëntë vjeç asohere, sapo kisha mbaruar shkollën e lartë ngase e drejta e studimit më doli tepër me vonesë. Shkak, ka pas qenë pushkatimi më 1948 i tim gjyshi, Mehmet Babani, si armik i popullit. E drejta e studimit më doli për Matematikë – Fizikë.
Por ja që hë!… Edhe pas kësaj, kusuret e ma s’kishin të sosur.
Hasan Duma, Zv – Rektor dhe Sekretar i Komitetit të Partisë i Universitetit, pasi lexoi të dhënat e mia biografike, nguli këmbë të përjashtohesha, me gjithë mbrojtjen që më bënë Profesor Petraq (Pepi) Pilika, Profesor Osman Kraja, si student që kisha marrë pjesë në të gjitha kolokiumet dhe i kisha fituar të githa provimet me rezultate të kënaqshme. Megjithatë Hasan Duma ia arriti qëllimit, ndonëse e pësoi edhe vetë më pas. Madje më keq sesa unë. E gjetsh nga mos e pandefsh, i thonë kësaj, qofë për mua, qoftë për atë.
Nejse…
Pas një ecejaku nga Universiteti Dega Matematikë-Fizikë, në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar Dega Gjuhë Letërsi Shqipe – Histori, si i papëlqyer nga rregjimi, u emërova në shkollën shtatëvjeçare të Dhëmblanit, shumë larg Skelës së Vlorës, ku banonte familja ime.
Larg vërtet, madje tepër larg familjes sime, ama me të shkelur në kryeqendrën e trevës, u miqësova me fshatin dhe me nxënësit e mi. I doja dhe më donin të gjithë, aq sa, i frymëzuar prej tyre, shkrova poezinë me titull “Poemë për vete e për të tjerë’’, tashmë botuar në disa nga librat e mi, përfshi edhe në “Buzëqeshje në dy kohë – poezi’’.
Përmes një meditimi autobiografik, jam përpjekur të përshkruaj vitet e para të mia si mësimdhënës fshatrave, por edhe qyteteve anekënd Shqipërisë. “A mund të mos i hapej shkolla fshatit”? Ky ishte thelbi i dilemës që po përjetoja.
Por jo!…
“Orfeu në këto më pat rrëmbyer / në krahët e tij të lehtë e më çoi / mu pranë një çunaku rrobashqyer / e syverbuar që ashpër më qortoi: / Ti s’do t’i çelësh sytë e mi verbuar e ndoshta një sy tjetër do për vete… / Hapmi, pa njërin sish ta kam dhuruar, / të rrosh ti me tre sy nëpër qytete…”.
2.
Bëhej një darkë në Matohasanaj, pjesë e trevës etnografike të Lopësit, Tepelenë. Treva përmblidhte Dhëmblanin si kryeqendër, Matohasanajn, Sinanajn, Dorëzin dhe Lab Martallosin. Sikurse në Dhëmblan, shkolla shtatëvjeçare a fillore, kishte edhe gjetkë, fjala vjen, në Sinanaj, por jo në Matohasanaj i cili shihej vëngër nga regjimi me që, siç besohej, ishte fshat ballist.
Dreka bëhej në shtëpinë e të ndjerit Servet. Me ç’rast, nuk më kujtohet.
Serveti ishte mësues në skollën tonë, në Dhëmblan. I duhet të vinte domosdo çdo mëngjes nga Matohasanaj, një orë e ca larg, madje edhe në mot të keq, duke rëshqitur baltovinave, duke ngjitur e zbritur rrëpira e gërxhe shkëmbore. Përndryshe i pritej rroga, në mos po largohej fare nga arsimi si pasardhës i një familjeje balliste. Kështu, deri që e veshën ushtar.
Një vit pas tij, më veshën edhe mua, bash në pikun e moshës. Ushtar u ngrita nga dega ushtrake e Tepelenës.
Histori më vete, edhe kjo.
3.
Studentët që mbaronin Universitetin, bënin një të ashtuquajtur stazh ushtrie gjashtëmujor dhe me aq mbaronte gjithçka, pasi merrnin edhe një lloj grade oficeri, siç besoj. Deri atëherë, unë i isha shmangur ushtrisë.
Kolegët e tim eti në Degën Ushtarake të Vlorës, të cilët kontrollonin gjendjen shëndetësore të rekrutëve përpera se këta të rekrutoheshin, ma patën shtyrë ushtrinë vit pas viti me raport mjekësor, si i paaftë shëndetërisht. Në Tepelenë, kjo nuk funksionoi. Tim atë, nuk e njihte kush atje. Pastaj atje i thoshin Tepelenë, jo Vlorë. Me ngritën ushtar dy-tre muaj përpara se të përjashtohesha përundimisht nga ushtria, për shkak se kaloja pikun e moshës.
Servetin, kolegun dhe mikun tim nga Matohasanaj, e gjeta në Repartin e Punës në Vorë, ku ndërtohej Fabrika e Tullave. S’do mend, edhe ai, edhe unë nuk mund ta kryenim shërbimin ushtarak me pushkë. Do ta kryenim me kazmë e me lopatë. Me opinga e çizme, jo me këpucë.
4.
Darka, siç e thashë aty më lart, bëhej në shtëpinë e Servetit a të ndonjërit nga farefisi i tij, nuk e mbaj mend saktësisht. Ama mbaj mend refrenin e një kënge labçe të improvizuar aty për aty. Tëpkë si kënga “Qengj i vogël pse mendueshëm be-e, be-e ba…“, por në përshtatje me narrativën e situatës politiko-ideologjike të çastit.
Ishin dy goxha sofra përdhese, rreth e qark të cilave nguceshin plot të ftuar që ia merrnin këngës. Sa mbaronin ata të sofrës së majtë, ia merrnin të së djathtës. Njëra palë i jepte kohë tjetrës, që të gëlltiste një gotë raki koçimareje. V-u-u… rakia e koçimares, ngase pylli andejpari është plot e përplot koçimare.
Meze?… Meze u thënçin!… Ndonjë lëkurë qepe a preshi, më rrallë ndonë kokërr ulliri e aq. Edhe ato në copa gazetash. Për pjata, as që mund të bëhej fjalë.
Në këto e sipër, papritur e pakujtuar, dikush hodhi sytë te copa e letrës me meze, i tregoi me gisht shokut atë çka shkruhej mbi të dhe ia mori këngës:
“Karakas…”
Ia prit i dyti:
“Ë-ë-ë… Karaka-a-s…”
Vazhdoi i pari:
“Karakas – Venezuela”
I dyti:
“Ë-ë-ë, Venezuela… ë-ë-ë…“
Vetëm aq. Nuk dihet sa do të vazhdonte kjo “Karakas – Venezuela”, sikur të mos ia kishte marrë këngës sofra tjetër përdhese, e cila e shpëtoi simotrën e vet nga sikleti.
5.
Sot e kësaj dite nuk dihet çfarë i kishte pas lidhur gazetat Zëri i Popullit e Bashkimi me Karakasin dhe Venezuelën. Ndonjë tërmet sikundër ky i kohëve të fundit?
Kush pyeste për të dhëna t’atilla asokohe?!…
Çfarë, pra?! Trafik droge?
Bah!… Enver Hoxha trafikant droge?!… Kije mëri, po jepi hakun. Nuk merrej ai me droga e trafiqe drogash sikurse ky spurdhjaku i sotëm, pasardhës i tij politik e shpirtëror, i cili po s’thithi dy a tri viza, nuk është në gjendje të hapë gojën e të lidhë dy-tri fjali për të qenë.
Pse, pra?!
Unë do të thosha se, si shtet i Amerikës Latine konsideruar ndoshta kundër kapitalizmit, sidomos kundër SHBA-së, armikut tonë të përhershëm të përtej Atlantikut, të përditshmet Zëri i Popullit ose Bashkimi do të kenë pas përthithur ndonjë lajm në përshtatje me platformën politike-ideologjike të kohës.