Luan Rama: “Gardistët e Kuq” dhe fati i Shqipërisë
I kishim harruar prej kohësh “gardistët e kuq” të Mao Ce Dunit. Nuk di pse duke parë deputetët socialistë, si një gusht bashkuar, mu kujtuan ato personazhe të revolucionit kinez që mbetën në histori. Në fillim pyea veten se përse ky asosiacion mes deptetëve dhe “gardistëve të kuq” të Partisë Socialiste dhe në vetvete kisha një lloj mosbesimi, por sa më shumë shikoja çdo ditë manifestuesit në rrugët e Tiranës me kërkesën e parreshtur për dorëheqjen e kryeministrit, çka për një vend evropian është më se normale, që më shumë ky krahasim gjente vend tek unë, pasi deklaratat e kryeministrit se “unë kam me vete 80 deputetë” dhe se s’dua t’ia di për manifestuesit, si dhe qëndrimi i tyre kokëulur e pa dinjitet, më së fundi i thashë vetes: ja “gardistët e kuq”, një specie më moderne, se dikur por që dinë të mbrojnë liderin e tyre edhe pse jam i sigurtë se vetëm 5% e tyre janë besnikë të bindur. Sjellja e pacipë ndaj deputetes socialiste Koçeku që i la rradhët e tyre dhe mbrojti kërkesat e rrugës, apo së fundi qëndrimi brutal dhe i paskrupullt ndaj deputetit Braçe për ta mbyllur gojën por që ai di të kundërshtojë, tregojnë se gardistët shfaqen në “unitetin” e tyre për dy arësye:
e para, frika nga ndëshkimi që do pësojnë nga lideri i cili di t’i shkatërrojë kundërshtarët edhe brenda familjes së tij;
e dyta ngaqë kështu ata do humbasin kolltuqet dhe privilegjet.
Por jeta njerëzore është efemere dhe shumë shpejt, këta “unionista” do ta kuptojnë se pikërisht janë ata që e kanë mbajtur në këmbë kryeministrin e tyre, janë ata që kanë bërë kompromise utilitare që ai të vazhdojë në rrugën e tij, pasi secili ka menduar për vete dhe jo për kauzën e përbashkët të një partie të vërtetë socialiste Një lider që kërkon të hyjë me ngulm në histori, historia nuk do ta pranojë të tillë.
Unë personalisht e kam përshëndetur që në rotacionin e parë për largimin e Berishës, koha kur socialistët erdhën në pushtet. Kam përshëndetur punën e tij në Bashkinë e Tiranës e po kështu më pas politikën e tij europiane si kryeministër. Por me kohë, pushteti i gjatë bëhet shkatërrues dhe lideri narcist këtë nuk e pranon. Dhe kjo ka ndodhur historikisht me autokratët apo me diktatorët. Atëherë ekzistenca e tyre në pushtet dhe privilegjet e mëdha i shtyjnë ata të bëjnë një politikë makiavelike, përçarëse, të kompromisit, duke mbajtur pushtetin vetëm në dorën e tij dhe duke u bërë njëkohësisht brutalë për të mbytur çdo zë kundër.
Fundi ka afruar dhe kthim mbrapa nuk ka. Gardistët duhet ta shohin veten në pasqyrë dhe të pyesin koshiencën e tyre dhe jo interesin. Ata duhet të vendosin : do të shkojnë pas gjemisë së Titanikut, apo do të ngrihen për të mbrojtur dinjitetin e tyre! Rrugë tjetër nuk ka!