Albspirit

Media/News/Publishing

Lutfi Dervishi: Servili ndron vetëm padronin

“Dëgjo këtu, mos u bëj budalla. Servilosu pak”! Kjo ishte këshilla e pashkruar e një kohe të tërë.

Partia e vjetër bëri plenume për çdo gjë: për bujqësinë, industrinë, naftën, arsimin, kulturën, letërsinë, sportin. Bëri plenume kundër burokracisë, liberalizmit, revizionizmit dhe armiqve të brendshëm e të jashtëm. Por nuk bëri kurrë një plenum kundër servilizmit.

Servilizmi konsiderohej “gjë e mirë” për partinë.

Koha kaloi. Partia e vjetër iku, erdhën të rejat. Plenumet mbetën në histori; Kuvendet po bëjnë histori tjetër – atë të deputeteve që duartrokasin pa e ditur pse.

Servilizmi tregoi se është specie tmerrësisht rezistente. Madje evoluoi.

Dikur mjaftonte të duartrokisje në sallë. Sot duhet të duartrokasësh edhe në Facebook, Instagram, TikTok e X. Dikur ngriheshe në këmbë kur hynte udhëheqësi. Sot duhet të jesh i pari që shkruan “Lider vizionar!”, “Gjigand!”, “Brilant!”, ose të lësh pesë emoji me flakë poshtë postimit.

Dikur kishte sekretar organizate. Sot ka administratorë faqesh dhe ushtri profilesh anonime. Forma ndryshoi, por ADN-ja mbeti e njëjtë.

Servili modern nuk pret më urdhër. Ai e paraprin dëshirën e shefit. Nuk e pret materialin e propagandës, por e prodhon vetë – një postim mbrojtës gati para se të mbërrijë sulmi, një koment therës për dikë që ende s’ka thënë asgjë të keqe, por sepse “mund të thotë”. Ai nuk mjaftohet me mbrojtjen e pushtetit, por sulmon me egërsi këdo që guxon të bëjë një pyetje, një konstatim, apo qoftë larg, një kritikë. Ky është niveli më i lartë i evolucionit: nga servilizëm pasiv, në servilizëm proaktiv.

Sot dëgjon çdo ditë deklarata kundër korrupsionit, burokracisë, dezinformimit dhe lajmeve të rreme. Por kurrë nuk do të dëgjosh një fjalim kundër servilizmit. Sepse ai nuk shihet si problem. Përkundrazi: është lubrifikanti që mban në lëvizje të gjithë mekanizmin e pushtetit.

Madje, siç thotë me humor një polic i postbllokut te Ministria e Brendshme: “Ministri që erdhi është më i mirë se ai që iku. Por kam një parandjenjë se edhe ai që do të vijë do të jetë akoma më i mirë.”

Servilizmi nuk trashëgohet vetëm gjenetikisht, por edhe institucionalisht. Servili nuk zhduket kurrë vetë. Padroni i ri e gjen gati, në këmbë, para se i vjetri të ketë dalë nga dera.