Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: BETEJA NË DUKAJ TË LABËRISË DHE DËSHMORËT E SAJ

(Në përkujtim të 82 vjetorit të betejës së përgjakshme në fshatin Dukaj, në nderim të dëshmorëve të rënë në këtë përballje të njohur në krahinën e Tepelenës, në Zonën e Parë Operative dhe në mbarë vendin. Në nderim të përjetshëm të dëshmorëve të fshatit Dukaj, në lapidarin e ri ku lartësohen emrat e tyre).

Dukaj, fshati i historisë, trimërisë dhe lavdisë

Janë me dhjetëra e qindra betejat e njohura në Shqipëri gjatë përballjes së formacioneve luftarake shqiptare me pushtuesit nazifashistë. Një ndër ngjarjet që është rrënjosur thellë në kujtesën e dukjotëve dhe të gjithë Labërisë është padyshim Beteja e Dukajt, ku Brigada e VI Sulmuese luftoi për çlirimin e fshatit. Dukaj është një fshat i historisë, trimërisë, burrërisë dhe i njerëzve të mençur e punëtorë. Banorët e tij kanë ditur të vlerësojnë dhe të nderojnë të kaluarën, duke ngritur një lapidar të ri, tërësisht të rikonstruktuar me buxhetin dhe nismën e bijve të këtij fshati. Merita për këtë nismë u takon shumë bijve të Dukajt, mes tyre Fatmirit, Hamitit, Gazit, Astritit, Arbenit, Luanit, Myrdarit dhe dhjetëra të tjerëve. Nismat e tyre kanë sjellë jo vetëm ngritjen e lapidarit të ri, por edhe bustin e heroit Memo Nexhipi, ndërtimin e çezmave të reja, krijimin e ambienteve pritëse, bujtinave, rregullimin dhe gjelbërimin e qendrës së fshatit, si dhe shumë projekte të tjera.

Por vepra më e rëndësishme mbetet përkujtimi i gjakut të dëshmorëve. Dëshmorët e fshatit Dukaj janë pjesë e shenjtërisë së Atdheut. Ata janë drita që nuk shuhet kurrë në kujtesën e kombit dhe dëshmia më e lartë e sakrificës për lirinë e Shqipërisë. Ata u flijuan që flamuri ynë të valëvitej i lirë dhe që brezat e ardhshëm të jetonin me dinjitet në tokën e tyre. Edhe pas 82 vitesh, madhështia e veprës së tyre nuk është zbehur. Përkundrazi, ajo lartësohet edhe më shumë me ngritjen e lapidarit të ri në fshatin Dukaj, një simbol mirënjohjeje, nderimi dhe përjetësie. Ky lapidar nuk është vetëm një monument prej guri. Ai është një amanet për çdo shqiptar që të mos harrojë sakrificën e bijve më të mirë të këtij fshati, të cilët me heroizmin e tyre kontribuuan në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dëshmorët nuk jetojnë vetëm në gurët e memorialeve. Ata jetojnë në ndërgjegjen, krenarinë dhe zemrën e çdo shqiptari. Lavdia e tyre është e pavdekshme dhe emrat e tyre do të mbeten përjetësisht të shkruar në historinë e kombit dhe në zemrën e fshatit Dukaj. 82 vite nga Beteja e Dukajt dhe 82 vite pas kësaj beteje, dëshmorët e saj nderohen çdo vit: Mito Xhani, hero dhe dëshmor nga Piqerasi; Apostol Leonidha Çuni nga Piqerasi; Avdul Demir Demiri nga Kallarati; Barxho Asqeri Abazaj nga Progonati; Ismail Xhemali Çacaj nga Toskmartallozi; Jorgo Andon Jovani dhe Mërtiko Miço Velça nga Kudhësi i Himarës; Jaho Hasan Brahja dhe Koço Gligor Koçollari nga Gjirokastra; Kutbi Çelo Gjeçi nga Fushëbardha dhe Rushan Murat Goxhaj nga Nivica e Kurveleshit. Këta janë bij të denjë të popullit shqiptar dhe të Brigadës së VI Sulmuese, të cilët shkruan një faqe lavdie në fshatin e njohur Dukaj. Emrat dhe sakrifica e tyre mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës sonë kombëtare.

…Në Dukaj në Tepelenë filloj lufta e paprerë… edhe sot jehon kënga, jehon historia

Operacioni gjerman i qershorit 1944 ishte një ndër operacionet më të përgjakshme në vendin tonë bashkë me opertacionin e dimrit. Për të siguruar lëvizjen e lirë nga Tepelena drejt Vlorës, forcat naziste gjermane mbanin nën kontroll rrugën automobilistike që kalonte pranë fshatit Dukaj. Në Dukaj ishin vendosur forca të shumta armike. Aty kishte një njësi gjermane, një skuadër italianësh, një togë nacionalistësh, si dhe një kompani xhandarësh e mercenarësh. Sipas të dhënave arkivore dhe dëshmive të banorëve të fshatit, në këtë zonë vepronte edhe një batalion i quajtur “Vermoshi”, me rreth 207 efektivë. Forcat pushtuese nuk ishin dhe nuk mund të ishin kurrë “miqësore”. Ato ishin forca grabitqare dhe vrastare, që ushtruan dhunë, tortura dhe vrasje ndaj popullsisë së fshatrave të Kurveleshit, Tepelenës, Labërisë dhe veçanërisht ndaj banorëve të Dukajt. Forcat partizane morën informacion se armiqtë kishin vrarë një fshatar të pafajshëm, i cili po kalonte rrugës me kalë. Pas këtij lajmi, shtabi i brigadës hartoi planin e veprimeve luftarake. Operacioni do të drejtohej nga komandanti i Brigadës, Jaho Gjoliku, dhe komisari Haki Toska. Nisja e betejës: Në mbrëmjen e 24 korrikut 1944, në Damës, luftëtarët e Batalionit të Dytë u mblodhën nga zv/komisari i batalionit, Mitro Xhani. Ai i informoi se në Dukaj dhe Salari ishin vendosur forcat armike. “Jeni gati të futemi në strofull dhe t’i asgjësojmë këta banditë që terrorizojnë popullin e pafajshëm? Populli na thërret, na kërkon ndihmë”, u tha ai luftëtarëve. Fjalët e tij ndezën zemrat e partizanëve dhe gjatë natës batalioni u nis nga Damësi. Në mëngjesin e 25 korrikut 1944, në bashkëpunim me forcat territoriale, ai rrethoi pozicionet e armikut. Në këtë përballje u zunë shtatëmbëdhjetë robër lufte, ndërsa një pjesë e forcave armike u larguan të shpartalluara drejt Dukajt. Në këtë betejë ra në fushën e nderit Barxho Asqeri Abazaj, komandant skuadre. U plagosën edhe zv/komandanti i batalionit, Bilal Peçi, komisari i kompanisë, Malo Harshova, si dhe dy partizanë të tjerë.

Pritej sulmi mbi Dukajn dhe ky sulm nuk vonoi. Mëngjesi i 25 korrikut 1944 e gjeti Batalionin e Dytë rreth Dukajt dhe rrethimi i forcave armike u krye në fshehtësi të plotë. Pa zbardhur ende dita, u dëgjua thirrja: “Para, partizanë!”, ku nga të gjitha anët shpërtheu zjarri partizan. Qëndresa e trupave gjermane ishte e fortë dhe beteja u ashpërsua. Luftimet u zhvilluan edhe me granata dore dhe në përleshje trup me trup. Sulmi u afrua drejt Shkëmbit të Prerën ë Dukaj, një pozicion i fortifikuar i armikut. Luftëtari partizan Apostol Çuni nga Piqerasi, i armatosur me bomba, u nis drejt pozicioneve gjermane në kodrën shkëmbore, nga ku armiku nuk e priste sulmin. Dy bombat e hedhura drejt mitralozit gjerman asgjësuan dy mitralierët. Njëri prej mitralozëve filloi të qëllonte kundër trupave naziste, por pas pak forcat partizane e gjetën Apostol Çunin të vrarë mbi armën e tij. Ai mbeti përjetësisht dëshmor i lirisë shqiptare. Mitro Xhani ishte një nga drejtuesit dhe organizatorët kryesorë të sulmit. Ai luftonte gjithmonë në vijën e parë të frontit dhe u bë simbol i trimërisë dhe i idealit partizan. Me granata dhe breshëri plumbash ai udhëhoqi sulmin kundër llogoreve armike. Ra trimërisht “Balena”, që ishte edhe pseudonimi i luftëtarit e komisarit Mitro Xhani. Pas rënies së tij, sulmi arriti kulmin dhe i gjithë batalioni u hodh në betejë. Lufta u bë edhe më e ashpër. Forcat armike u shpartalluan plotësisht. Kodra shkëmbore u mor nga partizanët pas një beteje heroike dhe u la me gjurmët e një përleshjeje të përgjakshme. Në këtë betejë për jetë a vdekje u vranë edhe oficerë dhe ushtarë gjermanë, xhandarë dhe bashkëpunëtorë të fashizmit.

Pas betejës, pas çlirimit të kodrës, partizanët u mblodhën në pozicionet e fituara. Ndërkohë që disa të rinj nga formacionet xhandare kërkuan të bashkoheshin me radhët partizane dhe u pranuan. Sipas të dhënave dokumentare, në këtë betejë u zunë robër ushtarë nazistë, xhandarë, togëkomandantë, kapterë, rreshterë, italianë dhe nacionalistë. Ata në fakt ju dorëzuan gjyqit partizan dhe kjo përbën një ngjarje më vete, që tregon kompleksitetin e zhvillimeve të asaj periudhe historike shqiptare, përfshi dhe pozicionimin pro dhe kundër fashizmit. Nga analiza e betejës rezultoi në fund të saj se fgorcat partizane kapën gjithashtu materiale luftarake, municione, kafshë të ngarkuara me ushqime, veshmbathje dhe sende të tjera të grabitura popullit. Mes tyre u gjet edhe paja e nuses së vajzës së Isuf Hysajt, që ka ngelur si legjendë në tregimet e krejt zonës. Paja ishte grabitur nga mercenarët bashkëpunëtorë të fashistëve dhe iu kthye familjes, pasi vajzës i ishte caktuar data e martesës. Fitorja dhe sakrifica sublime e dëshmorëve ka ngelur dëshmi e një kohe mjaft luftarake por dhe shumë të përgjakshme. Përleshja me forcat gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre përfundoi me fitoren e partizanëve. Pas betejës rreth trupit të Mitro Xhanit dhe partizanëve të tjerë të rënë në betejë u zhvilluan homazhe. E shoqja e tij, Athina Xhani, shprehu: “Trimat nuk qahen”. Ajo mori automatikun e të shoqit, vendosi kapelën partizane dhe vazhdoi luftën me batalionin deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Beteja e Dukajt ishte një nga aksionet më të rëndësishme të Brigadës së VI Sulmuese, pasi në këtë betejë ranë 11 dëshmorë: Mitro Xhani nga Piqerasi, i dekoruar më vonë me titullin “Hero i Popullit” dhe i shpallur “Dëshmor i Atdheut”; Rushan Goxhaj nga Nivica, zv/komandant i kompanisë së katërt; Avdyl Demiri nga Kallarati i Vlorës, zv/komandant i kompanisë së dytë; Mitko Velço dhe Jorgo Jovani nga Kudhësi; Jaho Brahja dhe Koço Koçollari nga Gjirokastra; Kutbi Çelo Gjeçi nga Fushëbardha e Gjirokastrës; Ismail Çacaj dhe Barxho Abazaj nga Progonati i Tepelenës. Por në këtë betejë u plagosën edhe dhjetë partizanë. Përkujtimi i dëshmorëve bëhej direkt në zjarrin e luftës për liri. Në orët e mesditës të datës 25 korrik 1944, në ambientet e shkollës ku kishin qenë vendosur llogoret gjermane, u zhvillua ceremonia e fitores partizane dhe varrimi me nderim i 11 dëshmorëve të Atdheut. Para efektivit ushtarak dhe banorëve të Dukajt foli komisari i batalionit, Avdyl Hakiu. Në këtë betejë ra trimërisht edhe biri i Fushëbardhës heroike, Kutbi Çelo Gjeçi, i cili lindi më 25 shkurt 1924 në Fushëbardhë dhe ra më 25 korrik 1944 në Dukaj të Tepelenës, ndërsa eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Kutbi Çelo Gjeçi është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 65, datë 2 tetor 1971, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër. Ai dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kësaj beteje mbeten pjesë e historisë kombëtare. Emrat e tyre u shkruan me gjak në lavdinë e kombit shqiptar.

Për heronjtë dhe dëshmorët flet historia… sikurse flet edhe për ligjet e luftës

Për betejën e Dukajt flet historia, ku dhjetra shkrime tregojnë studimet e dëshmitarë të kohës, mes tyre Resul Bedo, Sevo Tarifa, Selfo Allka, Avdul Kaba, Ferit Lila dhe Sami Hadëri dhe shumë të tjerë. Ky i fundit e ka trajtuar këtë ngjarje në botimin “Lufta kundër qendrave të fortifikuara të armikut në Salari dhe Dukaj”, botuar nga Muzeu i Gjirokastrës në vitin 1971.

Ky studim përmbledh një episod të rëndësishëm të Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri gjatë viteve 1939-1944. Ai përqendrohet në betejat e zhvilluara në Salari dhe Dukaj, dy fshatra të zonës së Tepelenës. Libri ka rëndësi të veçantë për dokumentimin e këtyre ngjarjeve dhe për rolin që ato patën në përballjen me pushtuesit. Për këto beteja kanë shkruar edhe studiues të tjerë dhe dëshmitë e gjithë fshatit dukaj janë ato që janë treguar brez pas brezi. Këto botime janë dëshmi e vlerës historike dhe e interesimit të vazhdueshëm për këtë pjesë të historisë shqiptare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Nga Beteja e Dukajt kanë kaluar 82 vite, nga 25 korriku i vitit 1944, dita e sulmit të furishëm partizan në Dukaj, në pozicionin e njohur si Shkëmbi i Prerë. Është një datë që përkujtohet çdo vit nga banorët e Dukajt. Por ky 82 vjetor vjen ndryshe. Bijtë e Dukajt, përmes Shoqatës Kulturore Atdhetare “Dukaj” dhe me nismën e tyre, ngritën pothuajse nga e para një lapidar të ri.

Ai është më dinjitoz dhe më i denjë për të nderuar dëshmorët dhe betejën e zhvilluar në fshatin e tyre. Ky monument i shton më shumë lavdinë dhe krenarinë Dukajt. Historia dhe kompleksiteti i luftës ka dhjetra vite që flitet, shkruhet e diskutohet. Rreth këtyre betejave, jo vetëm në Dukaj, por edhe në gjithë vendin dhe përtej kufijve administrativë shqiptarë, ka pasur diskutime dhe përplasje të ndryshme historike. Nga njuëherë në kompleksitetin historik përfshihet edhe politika pa u lënë radhë historianëve të thonë fjalën e tyre. Gjatë luftës pati edhe elementë nacionalistë shqiptarë që u bashkuan me pushtuesit.

Ata kishin një këndvështrim tjetër për zhvillimet e kohës, por bashkëpunimi me pushtuesin mbetet një veprim që historia e ka gjykuar. Nga ana tjetër, lufta ka edhe ligjet dhe problematikat e saj komplekse. Në çdo konflikt vepron ligji i luftës, por edhe arsyeja, logjika dhe përgjegjësia njerëzore. Kjo vlen edhe përballë tradhtisë ndaj Atdheut, për atë kontigjent që pranon të tradhëtojë interesat kombëtare. Që nga antikiteti e deri në ditët tona, tradhtarët janë përballur me ndëshkime të ndryshme. Por trajtimi i robërve të luftës ka rregulla të veçanta, të cilat janë zhvilluar ndër shekuj.

Por le të hedhim pak dritë mbi Ligjet ndërkombëtare të luftës. Ligji modern ndërkombëtar i luftës është i lidhur me Konventën e parë të Gjenevës të vitit 1864. Konventa ishte traktati i parë ndërkombëtar që vendosi rregulla për mbrojtjen e ushtarëve të plagosur në fushën e betejës.

Konventa u nxit nga përpjekjet e Henry Dunant pas Betejës së Solferinos. Më vonë u miratuan Konventat e Hagës të viteve 1899 dhe 1907. Ato përcaktuan rregulla për zhvillimin e luftës, përdorimin e armëve dhe sjelljen e forcave ndërluftuese. Në vitin 1929 u miratua një konventë e veçantë për trajtimin e robërve të luftës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1949, u miratuan Katër Konventat e Gjenevës. Ato janë edhe sot baza kryesore e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në vitin 1977 u miratuan dy Protokolle Shtesë, të cilat zgjeruan mbrojtjen për viktimat e konflikteve ndërkombëtare dhe të brendshme. Megjithatë, rregullat e luftës kanë ekzistuar shumë më herët. Qytetërimet e lashta, si Mesopotamia, Greqia e Lashtë, Roma dhe traditat islame, kishin norma që kufizonin disa forma dhune gjatë konflikteve. Këto norma nuk ishin pjesë e një sistemi ndërkombëtar të detyrueshëm, si ai që filloi me Konventën e Gjenevës të vitit 1864. Në lidhje me mbrojtjen e robërve të luftës: Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, robërit e luftës duhet të trajtohen me humanitet dhe dinjitet në çdo rrethanë. Burimi kryesor është Konventa e Tretë e Gjenevës e vitit 1949. Ajo përcakton të drejtat dhe mbrojtjen e robërve të luftës, pasi robërit: nuk duhet të vriten apo të torturohen; nuk duhet t’i nënshtrohen trajtimeve çnjerëzore, poshtëruese ose hakmarrëse; të mbrohen nga dhuna dhe frikësimi; të sigurohen me ushqim, ujë, strehim, veshmbathje e kujdes mjekësor të mjaftueshëm, si dhe kanë të drejtë të komunikojnë me familjet e tyre dhe, kur është e mundur, të vizitohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ata mund të merren në pyetje, por janë të detyruar të japin vetëm të dhëna bazë, si emrin, gradën, datën e lindjes dhe numrin ushtarak. Fakt është se shkelja e këtyre rregullave, përfshirë torturat dhe ekzekutimin e robërve, mund të përbëjë krim lufte dhe të sjellë përgjegjësi sipas së drejtës ndërkombëtare. Kujtesa për Dukajn dhe dëshmorët ka qenë dhe ka ngelur e gjallë në dekada. Të gji8tha luftrat e betejat kanë kompleksitetet dhe veçoritë e tyre nga një kontinent në tjetrin dhe nga një shtet në tjetrin. Këtu ne nuk synon të analizojë çdo betejë të zhvilluar në Shqipëri gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe as pasojat e tyre, për qëllimi është përkujtimi i 82 vjetorit të betejës së përgjakshme të Dukajt, nderimi për dëshmorët e këtij fshati si dhe për të gjithë dëshmorët e Atdheut që ranë në këtë betejë të njohur për çlirimin e Dukajt në Labëri. Nderim në përjetësi dëshmorëve të fshatit Dukaj dhe gjithë dëshmorëve të Shqipërisë!

Heronjtë dhe dëshmorët e fshatit Dukaj

Nga kërkimet në libra dhe arkiva rezulton se heronjtë dhe dëshmorët e fshatit Dukaj janë si më poshtë. Bashkëlidhur jepen të dhëna për vitlindjen, datën dhe vendin e rënies, si edhe vendimet për shpalljen me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Duhet theksuar se deri në vitin 1990 ishin shpallur 14 dëshmorë nga fshati Dukaj, ndërsa nga viti 1992 deri në vitin 2011 u shpallën edhe 11 të tjerë. Të dhënat janë paraqitur sipas dokumenteve të konsultuara dhe mund të kërkojnë plotësime apo saktësime të mëtejshme.

  1. Memo Nexhip Bejko (1926, Dukaj – 2.8.1949, Vidohovë), ra në moshën 23-vjeçare. “Hero i Popullit” dhe “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin nr. 157, datë 10.12.1983. Titulli “Hero i Popullit” iu akordua me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Eshtrat prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Tepelenë.
  2. Hysen Dino Hajdinaj (1882, Dukaj – 1914, Labovë), ra në luftimet kundër andartëve grekë, në moshën 32-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 142, datë 26.11.1984. (Libri zyrtar Dëshmorët e Atdheut, f. 79.)
  3. Turabi Çaush Halilaj (1887 – 1920), ra në Luftën e Vlorës, në moshën 33-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vend. 28, datë 15.5.1970. (Libri zyrtar Dëshmorët e Atdheut, f. 79.)
  4. Barjam Selfo Bejko (1910, Dukaj – 1944, Vranisht), ra në moshën 34-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  5. Braho Qazim Brahaj (1928, Dukaj – 1944, Krujë), ra në moshën 16-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  6. Dine Osmën Bejko (1922, Dukaj – 1944, Tepelenë), ra në moshën 22-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 6.3.1972.
  7. Doko Dino Muçaj (1908, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 36-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 153, datë 1.2.1983.
  8. Hekuran Metush Bejaj (1923, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 19-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  9. Hakik Barjam Varfaj (1920, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 24-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  10. Hyso Qerim Hysaj (1919, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 25-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  11. Hamit Barjam Berxhaj (1919, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 25-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  12. Hysen Osmën Hysomataj (1896, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 48-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 58, datë 1.6.1983.
  13. Ismail Osmën Bejko (1912, Dukaj – 1944, Tepelenë), ra në moshën 32-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  14. Kaso Isa Islami (1908, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 36-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  15. Kamber Osmën Hysomataj (1920, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 24-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  16. Mehmet Ali Shehu (1927, Dukaj – 1944, Vlorë), ra në moshën 17-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  17. Muharrem Çaush Halilaj (1921, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 23-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  18. Muhamet Ramo Jeraj (1900, Dukaj – 1944, Mali i Këndrevicës), ra në moshën 44-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 149, datë 27.12.1984.
  19. Muho Ramo Haxhaj (1926, Dukaj – 1944, Leskovik), ra në moshën 18-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  20. Riza Osmën Bejko (1900, Dukaj – 1944, Dibër), ra në moshën 44-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  21. Seit Hamit Kabaj (1929, Dukaj – 1944, Gjirokastër), u ekzekutua me djegie në moshën 15-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971. Eshtrat e tij nuk u gjetën, pasi u dogj nga nazistët gjermanë. Për këtë arsye meriton një varr simbolik.
  22. Selfo Zyflo Prastaj (1918, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 26-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  23. Teme Myslym Muçaj (1903, Dukaj – 1944, Dukaj), ra në moshën 41-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 66, datë 3.10.1992.
  24. Dino Myrteza Hajdinaj (1928, Dukaj – 1944, Krujë), ra në moshën 16-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  25. Dervish Dule Prasta (1918, Dukaj – 1943, Tepelenë), ra në moshën 25-vjeçare. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 510, datë 20.12.2011.

Heronjtë dhe dëshmorët që ranë në fushëbetejë në Dukaj për çlirimin e fshatit

  1. Mitro Jorgo Xhani (1916 – 25.7.1944), ish-zv/komisar i Batalionit II të Brigadës VI Sulmuese. “Hero i Popullit” dhe “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin nr. 2600, datë 12.11.1969.
  2. Apostol Leonidha Çuni (1919, Piqeras – 25.7.1944, Dukaj), ish-zv/komandant kompanie. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 21, datë 13.2.1979.
  3. Avdul Demir Demiri (1923, Kallarat – 25.7.1944, Dukaj), ish-zv/komandant kompanie. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972.
  4. Barxho Asqeri Abazaj (5.5.1920, Progonat – 25.7.1944, Dukaj), ish-komandant skuadre. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  5. Ismail Xhemali Çacaj (5.3.1920, Toskmartalloz – 25.7.1944, Dukaj), ish-komandant skuadre. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.
  6. Jorgo Andon Jovani (1924, Kudhës, Himarë – 25.7.1944, Dukaj), ish-komandant skuadre. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972.
  7. Jaho Hasan Brahja (4.4.1924, Gjirokastër – 25.7.1944, Dukaj), ish-partizan. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 65, datë 2.10.1971.
  8. Koço Gligor Koçollari (4.4.1924, Gjirokastër – 25.7.1944, Dukaj), ish-zv/komandant kompanie. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 65, datë 2.10.1971.
  9. Kutbi Çelo Gjeçi (25.2.1924, Fushëbardhë – 25.7.1944, Dukaj), ish-partizan. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Gjirokastër. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 65, datë 2.10.1971.
  10. Mërtiko Miço Velça (1924, Kudhës, Himarë – 25.7.1944, Dukaj), ish-komandant skuadre. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972.
  11. Rushan Murat Goxhaj (1898, Nivicë, Tepelenë – 25.7.1944, Dukaj), ish-partizan. Shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 44, datë 3.8.1971.