Tri poezi nga Xheni Krypi
Jam e lumtur
Jam e lumtur—
po, po, tejmase e lumtur
—sepse dhimbja ime
ka emrin tënd
dhe çdo gjë me emër
është më e durueshme.
Jam e lumtur—
jo sepse s’kam plagë,
por sepse tani
ajo më flet me zërin tënd.
Dhe kur më dhemb,
nuk më tremb më,
sepse dhimbjet pa emër
janë humnera,
ndërsa ti
je vetëm një mungesë
që dihet nga vjen.
Jam e lumtur—
sepse edhe mungesa,
kur ka formën tënde,
është një mënyrë për të qëndruar.
Kur dyzohen orët
Kur dyzohen orët
unë kthehem jo andej nga kam ardhur,
por andej ku ti mbete:
Në ajrin që lëviz pak më ngadalë,
në muret që mbajnë sytë e tu
si gozhdë drite.
Aty hapat nuk bëjnë zë,
emri yt nuk shqiptohet por rri pezull
si frymë mbi buzë.
Koha ulet pranë meje,
heq dorë nga numrat
dhe më lejon të rri
pak më gjatë
në atë çast
që nuk mbaroi kurrë.
Sepse disa mungesa
nuk janë largime,
janë vende
ku kthehesh
pa u parë.
Dashuri
Dashuri,
mësohu me mua kështu:
herë e lodhur, herë e pamëshirshme,
herë e shtrirë mbi rrjetën e gënjeshtrave,
herë zgjuar nga shija e hidhur
e pasojave.
Edhe kjo jam unë. Edhe këtë e dua.
Mos më kërko gjithmonë të jem e butë,
kur kam mësuar të mbijetoj.
Mos më mat me ditët e mira,
kur netët më kanë formuar duart.
Do të vij te ti
jo e pastër,
por e vërtetë.
Me plagë që ende flasin,
me dashuri që nuk di të fshehet.
Nëse më do,
më duaj edhe këtu:
në rrëmujë, në gabim,
në dritën që nuk premton, por rri.
Sepse unë nuk vij e plotë
—vij e gatshme
të jem.