Albspirit

Media/News/Publishing

1906-1926/120-vjetori i shtypit të shkruar shqiptar në SHBA 

Hamit Boriçi

Gjovalin Gjeloshi

Jolanda Lila

  1. Vendosja dhe zhvillimi i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Emigrimi shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës filloi në fundin e shekullit XIX dhe mori përmasa më të dukshme në dekadat e para të shekullit XX. Ai u zhvillua në kuadrin e lëvizjeve të mëdha migratore drejt Amerikës, të nxitura nga faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe politikë. Shqiptarët, kryesisht nga trevat e Shqipërisë së Jugut, por edhe nga zona të tjera shqiptare, u vendosën fillimisht në qendrat industriale të verilindjes së SHBA-së, ku gjetën mundësi punësimi dhe krijuan bërthamat e para të komuniteteve të organizuara. (Demo, 1960)

Në fillimet e saj, diaspora shqiptare në SHBA ishte kryesisht një diasporë ekonomike, e përbërë nga emigrantë që synonin përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbështetjen e familjeve në atdhe. Megjithatë, shumë shpejt ajo mori edhe një dimension kombëtar. Në kushtet e mungesës së një shteti shqiptar të pavarur, komunitetet shqiptare në Amerikë u kthyen në qendra të rëndësishme të veprimtarisë patriotike, kulturore dhe diplomatike në mbështetje të çështjes shqiptare. (Mehmeti, 2012)

Një moment i rëndësishëm në organizimin e diasporës ishte krijimi i Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston në vitin 1912, e cila bashkoi shoqëri të ndryshme shqiptare dhe u bë një nga institucionet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Amerikë. Përmes veprimtarisë së saj, ajo luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare dhe në organizimin kulturor të emigrantëve. (Prifti, 1975)

  1. Lindja dhe zhvillimi i shtypit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Shtypi shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lindi në fundin e shekullit XIX-fillim shek. XX, në një periudhë kur komunitetet shqiptare në këtë vend po kalonin nga faza e vendosjes fillestare drejt organizimit shoqëror dhe kombëtar. Ai ishte një produkt i drejtpërdrejtë i nevojës së emigrantëve shqiptarë për të ruajtur lidhjet ndërmjet tyre, për të mbrojtur gjuhën dhe kulturën kombëtare dhe për të shprehur qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare. (Demo, 1960; Prifti, 1975)

Në fillimet e tij, shtypi shqiptar në SHBA kishte më shumë karakter kulturor dhe patriotik sesa thjesht informativ. Gazetat dhe revistat e para synonin të edukonin komunitetin, të përhapnin shkrim-leximin në gjuhën shqipe, të promovonin idenë kombëtare dhe të forconin lidhjet midis emigrantëve shqiptarë. Në kushtet kur Shqipëria ende nuk ishte një shtet i pavarur, shtypi i diasporës amerikane luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e programit kombëtar të Rilindjes Shqiptare. (Skendi, 1967)

Një rol të veçantë në këtë proces pati gazeta “Kombi”, e themeluar në Boston në vitin 1906, e cila konsiderohet ndër botimet e para të rëndësishme të shtypit shqiptar në SHBA. Ajo u shfaq në një periudhë të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shërbeu si një mjet për përhapjen e ideve të Rilindjes, për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për sensibilizimin e opinionit shqiptar në diasporë. (Skendi, 1967; Demo, 1960).

Një etapë e re në historinë e këtij shtypi filloi me botimin e gazetës “Dielli”, e cila u themelua në Boston në vitin 1909 dhe u bë një nga gazetat më jetëgjata dhe më me ndikim të komunitetit shqiptar në Amerikë. Për shumë dekada, “Dielli” ishte jo vetëm një organ informimi, por edhe një forum i debatit kombëtar, kulturor dhe politik të shqiptarëve në SHBA. Ajo u lidh ngushtë me veprimtarinë e “Vatrës” dhe me figurat kryesore të diasporës shqiptare, si Fan Noli dhe Faik Konica. (Prifti, 1975; Demo, 1960).

Vitet e Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, patën një vërshim të tërë gazetash jetëshkurtëra shqiptare, sa që duket sikur puna e parë e emigrantëve shqiptarë sapo vinin këmbën në Amerikë ishte të nxirrnin një gazetë. (Elsie, 1997).

Gjatë dekadës së dytë të shekullit XX në Amerikë u shtuan shumë gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe. Por kurrë më vonë nuk e arritën atë vrull. Ndoshta ai zhvillim i hovshëm i shtypit të shqiptarëve të Amerikës ishte kompensim i asaj që u kishte munguar shekuj me radhë. Por kjo është mbase pasojë e gjendjes politike jashtëzakonisht  të vështirë të Shqipërisë gjatë asaj dekade. Kështu, vetëm midis viteve 1906 dhe 1918 u botuan nja 14 gazeta dhe revista të ndryshme, herë për një periudhë më të gjatë e herë më të shkurtër. Kjo periudhë sigurisht ishte ajo më dinamikja nga të gjitha të tjerat të shqiptarëve të Amerikës.  (Nuhiu, 2013)

Gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe viteve ndërmjet dy luftërave botërore, shtypi shqiptar në SHBA mori një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shtetit shqiptar, në trajtimin e çështjeve të kufijve, në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe në informimin e emigrantëve për zhvillimet në atdhe. Në këtë periudhë, gazetat shqiptare në Amerikë u kthyen në një faktor të rëndësishëm të diplomacisë publike shqiptare, veçanërisht në marrëdhëniet me opinionin amerikan. (Prifti, 1975; Puto, 2010)

Pas Luftës së Dytë Botërore, shtypi shqiptar në SHBA hyri në një fazë të re, e ndikuar nga ndryshimet politike në Shqipëri dhe nga ardhja e emigrantëve të rinj politikë. Tematika e botimeve u zgjerua duke përfshirë qëndrimet ndaj regjimit komunist në Shqipëri, çështjet e të drejtave kombëtare, jetën e komunitetit dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në brezat e rinj. (Prifti, 1975)

Pas vitit 1990, me ndryshimet politike në Shqipëri dhe Kosovë dhe me valët e reja të emigrimit, shtypi shqiptar në SHBA pësoi transformime të rëndësishme. Krahas gazetave tradicionale u shfaqën revista, botime komunitare dhe më vonë mediat online, të cilat trajtuan jo vetëm çështjet kombëtare, por edhe problemet e integrimit, identitetit kulturor dhe marrëdhënieve të diasporës me vendet e origjinës.

Në tërësi, shtypi shqiptar në SHBA përfaqëson një nga traditat më të pasura të shtypit shqiptar në diasporë. Si një mjet informimi, ai ishte edhe një institucion kulturor dhe kombëtar që kontribuoi në ruajtjen e gjuhës shqipe, në organizimin e komunitetit dhe në përfaqësimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

  1. Shtypi shqiptar në diasporën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në 120 vjet jetë

Periodizimi i shtypit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të mbështetet vetëm në kufij kronologjikë ose në ngjarje politike të historisë së Shqipërisë. Zhvillimi i shtypit të diasporës ka ndjekur ritmin e vet, të lidhur ngushtë me evolucionin e komunitetit shqiptaro-amerikan, me ndryshimet në misionin e organizatave kombëtare, me valët e emigracionit dhe me raportet që diaspora ka krijuar me atdheun.

Në literaturën ekzistuese hasen periodizime të ndryshme, të cilat zakonisht ndalen në vitet 1912, 1944, 1990 ose ndjekin etapat e historisë politike të Shqipërisë. Megjithëse këto ndarje kanë vlerën e tyre, ato nuk pasqyrojnë gjithmonë transformimet që ka përjetuar vetë shtypi shqiptar në SHBA, i cili shpesh ka ndjekur një dinamikë të ndryshme nga zhvillimet politike në vendlindje.

Për këtë arsye, kemi përzgjedur një periodizim i mbështetur mbi ndryshimet funksionale dhe tematike të shtypit shqiptar në SHBA. Kriteret kryesore të kësaj ndarjeje janë: misioni që ka përmbushur shtypi në secilën periudhë historike; karakteri i përmbajtjes publicistike; ndryshimet në strukturën dhe organizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan; ndikimi i zhvillimeve politike në Shqipëri, në Ballkan dhe në Shtetet e Bashkuara; si dhe valët e ndryshme të emigracionit shqiptar.

Mbi këtë bazë, zhvillimi i shtypit shqiptar në SHBA është ndarë në pesë periudha: periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe konsolidimit të identitetit kombëtar (1906–1918); periudha e organizimit të komunitetit shqiptar dhe debatit politik brenda diasporës (1919–1939); periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe emigracionit politik shqiptar (1940–1965); periudha e Luftës së Ftohtë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në emigracion (1966–1990); dhe periudha e diasporës së re dhe transformimit të shtypit shqiptar në SHBA (1991–2026). Kjo ndarje synon të evidentojë jo vetëm vazhdimësinë e botimeve, por edhe ndryshimet në funksionin, rolin dhe orientimin e tyre përgjatë më shumë se një shekulli të historisë së diasporës shqiptare në Amerikë.

3/1 Periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe konsolidimit të identitetit kombëtar (1906–1918)

Fillon me botimin e “Kombi”, periodikut të parë të rëndësishëm shqiptar në SHBA, dhe mbyllet me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, kur përfundon faza e mbrojtjes së pavarësisë dhe e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit shqiptar.

Kjo është faza e parë dhe më e rëndësishme e shtypit shqiptar në SHBA. Ajo lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e emigrantëve shqiptarë për organizimin kombëtar, mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, përhapjen e gjuhës shqipe dhe përgatitjen e opinionit publik për Pavarësinë e Shqipërisë. Shtypi i kësaj periudhe kishte kryesisht karakter politik, patriotik, arsimor dhe kulturor.

Periodikët e kësaj periudhe qenë:  “Kombi” (1906–1909), “Dielli” (1909–), “Trumbeta e Krujës” (1911), “Koha” (1915-1920, edicioni në SHBA), “Zëri i Popullit” (1912), “The Albanian Era” (1914), “Illyria” (1916), “Përparimi” (1916–1920), “Mprojtja Shqiptare” (1916), “Viosa” (1916), “Vullnetari” (1916–1917), “Perlindja” (1917), “Luftëtari i Drejtësisë” (1917), “Yll’ i Mëngjesit” (1917–1920), “Sazani” (1917–1918), “Shqipëria” (1918), “The Adriatic Revieë” (1918), “Indipendenca Shqiptare” (1918). Kësaj periudhe i përkasin plot 26 periodikë.

Sipas tematikës që trajtuan, mund t’i karakterizojmë: 

“Kombi” (1906–1909), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i përqendruar në çështjen shqiptare dhe në kërkesën për përparimin e Shqipërisë.

“Dielli” (1909–), organ politik, kombëtar dhe shoqëror i komunitetit shqiptar në SHBA, që u bë një nga zërat kryesorë të diasporës shqiptare.

“Trumbeta e Krujës” (1911), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i lidhur me çështjen e lëvizjes kombëtare shqiptare.

“Koha” (1915–1920, edicioni në SHBA), periodik me karakter politik, kombëtar dhe informativ, që trajtonte zhvillimet shqiptare dhe çështjen kombëtare.

“Zëri i Popullit” (1912-1913), periodik me karakter politik dhe kombëtar, që pasqyronte zhvillimet e kohës dhe aspiratat shqiptare.

“The Albanian Era” (1914), periodik informativ dhe kombëtar, që synonte të përcillte çështjet shqiptare edhe në mjedisin amerikan.

“Illyria” (1916), periodik me karakter kulturor, politik dhe kombëtar.

“Përparimi” (1916–1920), periodik me karakter kulturor, arsimor dhe kombëtar, me fokus në përparimin e shoqërisë shqiptare.

“Mprojtja Shqiptare” (1916), periodik me karakter politik dhe mbrojtës të interesave kombëtare shqiptare.

“Viosa” (1916), periodik me karakter kulturor dhe kombëtar.

“Vullnetari” (1916–1917), periodik me karakter patriotik dhe politik, i lidhur me çështjen kombëtare dhe mobilizimin e shqiptarëve.

“Perlindja” (1917), periodik me karakter politik, kombëtar dhe kulturor.

“Luftëtari i Drejtësisë” (1917), periodik me karakter patriotik dhe politik, i orientuar nga mbrojtja e të drejtave dhe interesave shqiptare.

“Yll’ i Mëngjesit” (1917–1920), periodik me karakter kulturor, arsimor, letrar dhe kombëtar, me përmbajtje të larmishme.

“Sazani” (1917–1918), periodik me karakter politik dhe kombëtar, veçanërisht i lidhur me çështjet e Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave të saj.

“Shqipëria” (1918), periodik me karakter politik, kombëtar dhe informativ.

“The Adriatic Revieë” (1918), periodik me karakter politik dhe informativ, me fokus në çështjet shqiptare dhe zhvillimet në hapësirën adriatike.

“Indipendenca Shqiptare” (1918), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i përqendruar në pavarësinë dhe mbrojtjen e interesave të Shqipërisë.

Në tërësi, periudha 1906-1918 përfaqëson fazën e lindjes dhe konsolidimit të shtypit shqiptar në SHBA. Me “Kombin” (1906) dhe më pas “Diellin” (1909), publicistika shqiptare në Amerikë krijoi dy nga pikat e saj më të rëndësishme të referimit. Në vijim, veçanërisht gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe në prag të krijimit të shtetit shqiptar, u shfaqën edhe një sërë periodikësh të tjerë, duke e çuar numrin e botimeve të evidentuara për këtë periudhë në 18 periodikë. Pjesa më e madhe e tyre kishte karakter politik, patriotik dhe kombëtar, duke reflektuar nevojën e komunitetit shqiptar për informim, organizim dhe mbështetje të çështjes kombëtare.

Megjithatë, kjo fazë nuk kufizohet vetëm te publicistika politike. Pranë saj shfaqen edhe interesat kulturore, letrare, arsimore dhe shoqërore, të përfaqësuara nga periodikë si “Përparimi”, “Yll’ i Mëngjesit”, “Illyria” dhe “Viosa”. Prania e titujve në gjuhën angleze, si “The Albanian Era” dhe “The Adriatic Revieë”, dëshmon gjithashtu për përpjekjen e publicistikës shqiptare për ta përcjellë çështjen kombëtare përtej rrethit të drejtpërdrejtë të emigrantëve shqiptarë. Në këtë kuptim, 18 periodikët e viteve 1906–1918 shënojnë bazën mbi të cilën do të ndërtohej zhvillimi shumë më i gjerë dhe më i larmishëm i shtypit shqiptar në SHBA në periudhat pasuese.

3/2 Periudha e organizimit të komunitetit shqiptar dhe debatit politik brenda diasporës (1919–1939)

Hapet me rindërtimin politik pas luftës dhe mbyllet me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, ngjarje që ndryshon rrënjësisht diskursin e shtypit të diasporës. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, shtypi i diasporës amerikane kalon nga faza e propagandimit të çështjes kombëtare në një fazë më të gjerë: diskutime mbi organizimin politik, zhvillimin shoqëror, arsimin, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe rolin e emigrantëve në jetën kombëtare. Në këtë periudhë “Vatra” mbetet qendra kryesore e veprimtarisë publicistike.

Periodikët kryesorë qenë: “Indipendenca” (1920), “Studenti” (1920), “Studenti” (1921), “The Albanian Journal” (1921–1923), “Shkëndia” (1921–1923), “Tregtia Shqiptare” (1921), “Kombi në Rrezik” (1923), “Purteka” (1923), “Kandil’ i Kuq” (1924), “Republika Shqiptare” (1926), “Revista Letrare” (1927), “Lajmet Shoqërore të Shqiptarëve në Amerikë” (1929), “Melesini” (1930), “Republika” (1930–1933), “Lajmëtari Shqiptar” (1934), “Liberatori” (1934), “Vatra Sportive” (1934), “Kalendari i Botës i Vitit” (1939), etj. ndërkohë që vijonte të botohej Dielli. Përveç Diellit, në këtë periudhë numërohen 36 periodikë.

Sipas tematikës,  mund t’i karakterizojmë: 

“Indipendenca” (1920), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i lidhur me çështjet e pavarësisë dhe interesave kombëtare shqiptare. 

“Studenti” (1920), periodik me karakter rinor dhe arsimor, që lidhej me jetën dhe problematikat e studentëve shqiptarë. 

“Studenti” (1921), botim me karakter rinor, arsimor dhe kulturor. 

“The Albanian Journal” (1921–1923), periodik me karakter të përgjithshëm, politik, shoqëror dhe kombëtar, i drejtuar edhe për publikun anglishtfolës. 

“Shkëndia” (1921–1923), periodik me karakter kulturor, letrar dhe kombëtar. 

“Tregtia Shqiptare” (1921), periodik i orientuar drejt tregtisë, ekonomisë dhe veprimtarisë së biznesit shqiptar. 

“Afërimi” (1922–1925), gazetë me karakter kombëtar, kulturor dhe shoqëror, që synonte afrimin dhe bashkimin e arbëreshëve të Italisë me emigracionin shqiptar në SHBA. Ajo i kushtoi vëmendje të veçantë historisë, letërsisë, kulturës arbëreshe, zhvillimeve në Shqipëri dhe jetës së komuniteteve shqiptare në diasporë.

“Kombi në Rrezik” (1923), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i përqendruar në mbrojtjen e interesave të Shqipërisë. (Njëri prej emrave të Diellit)

“Purteka” (1923), një nga emërtimet me të cilat u botua “Dielli” gjatë kësaj periudhe, në rrethana të veçanta politike.

“Kandil’ i Kuq” (1924), periodik me karakter politik dhe ideologjik. 

“Republika Shqiptare” (1926), periodik me karakter politik, që trajtonte çështje të jetës politike shqiptare dhe të shtetit shqiptar. 

“Revista Letrare” (1927), botim me karakter kryesisht letrar dhe kulturor. 

“Lajmet Shoqërore të Shqiptarëve në Amerikë” (1929), periodik informativ dhe shoqëror, i përqendruar në jetën e komunitetit shqiptar në SHBA. 

Albania, 1929-1940, 1943-1944, ishte një gazetë italo-shqiptare me karakter politik, shoqëror, kulturor, letrar, historik dhe ekonomik, e botuar në New York.

“Melesini” (1930), periodik me karakter kulturor, shoqëror dhe kombëtar. 

“Republika” (1930–1933), periodik me karakter politik, që pasqyronte zhvillimet politike dhe çështjet kombëtare. 

“Lajmëtari Shqiptar” (1934), periodik informativ dhe kombëtar, me fokus në lajmet dhe jetën e shqiptarëve. 

“Liberatori” (1934), periodik me karakter politik dhe kombëtar, i lidhur me idetë dhe çështjet e çlirimit kombëtar. 

“Vatra Sportive” (1934), periodik i specializuar në sport dhe veprimtaritë sportive të shqiptarëve. 

“Kalendari i Botës i Vitit” (1939), botim periodik i karakterit kalendarik, informativ dhe kulturor.

Në tërësi, 35 periodikët e kësaj periudhe pasqyrojnë një komunitet shqiptar gjithnjë e më të organizuar dhe një jetë publike më të larmishme në SHBA. Shtypi nuk u kufizua më vetëm në trajtimin e çështjes kombëtare dhe politike, por përfshiu gjithnjë e më shumë probleme të arsimit, kulturës, letërsisë, jetës shoqërore, ekonomisë, rinisë dhe sportit. Edhe jetëgjatësia e këtyre botimeve ishte e ndryshme: disa u botuan vetëm për një periudhë të shkurtër, ndërsa të tjera vijuan për disa vite. Kjo larmi, së bashku me vazhdimësinë e “Diellit” dhe rolin organizues të “Vatrës”, e bën periudhën 1919–1939 një nga fazat më të rëndësishme të konsolidimit dhe diversifikimit të shtypit shqiptar në SHBA.

3/3 Periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe emigracionit politik shqiptar (1940–1965)

Kjo periudhë nuk fillon në vitin 1945, si në shumë periodizime të tjera, sepse shtypi shqiptar në SHBA filloi të reflektonte zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore që në vitin 1940. Kufiri i sipërm, 1965, shënon përfundimin e fazës së parë të emigracionit politik antikomunist dhe paraprin lindjen e një brezi të ri botimesh me profil më të gjerë kulturor e identitar.

Kjo periudhë karakterizohet nga ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri dhe në botë. Shtypi shqiptar në SHBA merr një funksion të ri: pasqyrimin e zhvillimeve politike në atdhe, qëndrimet ndaj regjimit komunist dhe organizimin e emigracionit politik shqiptar.

Periodikët kryesorë: përveç Diellit, botohen “Liria Shqiptare” (1940), “Liria” (1941), „Shigjeta”, 1947, “Jeta Myslimane Shqiptare” (1950), “Atdheu”, 1951, “Atdheu i Vogel”, 1964, “Lidhje e Prizrenit”, 1964, “Shërbestari” (1950), “Shqiptari i Lirë” (1957), “Shqipëria e Lirë” (1956), “Zani i Bektashizmës” (1954), “Heroizma Shqiptare”, 1957. Në këtë periudhë janë të regjistruar 15 periodikë.

Sipas tematikave, periodikët e kësaj periudhe mund të klasifikohen: 

“Liria Shqiptare” (1940), si pararendëse e “Lirisë”, që lidhet me organizimin politik të emigracionit shqiptar në prag të Luftës së Dytë Botërore. 

“Liria” (1941), organ i “Shqipërisë së Lirë”, i lidhur me veprimtarinë e Kosta Çekrezit dhe debatet politike të emigracionit. 

“Drita” (1940), revistë politike, shoqërore, kulturore e letrare në Ëorcester. 

“Jeta Myslimane Shqiptare” (1950) – një nga botimet e rëndësishme të komunitetit mysliman shqiptar në SHBA. 

“Thirrja Islame”, vazhdimësi e veprimtarisë botuese fetare të Imam Vehbi Ismailit. 

“Atdheu” (1951), organ i Lëvizjes së Legalitetit në mërgim.

 “Zëri i Bektashizmës” (1954), dëshmi e organizimit institucional të komunitetit bektashian shqiptar në SHBA. 

“Shqiptari i Lirë” / “Shqipëria e Lirë” (1956/1957), një nga periodikët më jetëgjatë të emigracionit politik shqiptar. 

“Heroizma Shqiptare” (1957), organ i një organizimi politik shqiptar në mërgim. 

“Drita e Vërtetë” (1958), botim i komunitetit ortodoks shqiptar. 

“Lidhja e Prizrenit” (1964), revistë e organizatës me të njëjtin emër, me fokus të veçantë çështjen e Kosovës. 

“Atdheu i Vogël” (1964), botim special i degës së Lëvizjes së Legalitetit në Boston. “Shërbestari” (1950–1961), organ i Rinisë Demokratike Agrare.

3/4 Periudha e Luftës së Ftohtë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në emigracion (1966–1990)

Përfaqëson fazën e konsolidimit të shtypit të Luftës së Ftohtë, kur temat e identitetit kombëtar, të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe kundërshtimit të regjimit komunist bëhen boshti kryesor i publicistikës. Në kushtet e izolimit të Shqipërisë komuniste dhe shtypjes së shqiptarëve në Kosovë, shtypi i diasporës amerikane bëhet një instrument i rëndësishëm informimi, kujtese historike dhe mbrojtjeje të çështjes kombëtare. Në këtë fazë rritet veçanërisht roli i botimeve fetare, kulturore dhe politike.

Periodikët kryesorë: “Jeta Katolike Shqiptare” (1966–); “Përpjekja e Jonë” (1971–1989); “Rinia Shqiptare në Mërgim” (1972–1974); “Rreze Shelbuese” (1972); “Krahu i Shqiponjës” (1974–1983), “Ora” (1983–1990), “Liria” (1987),   vijon “Lidhja e Prizrenit” (1964–1990), “Buletini Kalotik Shqiptar”, 1980; “Dielli i Shqipërisë Ethnike”, 1979; “Kolonia Shqiptare”, 1980; “Lajmëtari i të Merguemit”, 1970. Gjithësejt janë 16 periodikë që botohen.

Klasifikimi tematik i periodikëve kryesorë të kësaj periudhe:

Periodikët e mëposhtëm mund të karakterizohen sipas tematikës që trajtonin kryesisht. Në disa raste tematika politike, kombëtare, fetare dhe kulturore ndërthuren, ndaj klasifikimi i mëposhtëm përcakton prirjen mbizotëruese dhe jo një ndarje absolutisht të mbyllur.

“Jeta Katolike Shqiptare” (1966–) Kryesisht fetar dhe kulturor. Ishte i përqendruar në jetën e komunitetit katolik shqiptar, në çështjet fetare, ruajtjen e traditës dhe të identitetit shqiptar, si dhe në veprimtarinë kulturore të komunitetit.

“Përpjekja e Jonë” (1971–1989). Kryesisht politik dhe kombëtar. Në qendër të saj qëndronin çështja shqiptare, Kosova dhe trojet shqiptare, si dhe problematika politike e kombëtare e shqiptarëve në mërgim.

“Rinia Shqiptare në Mërgim” (1972–1974). Kryesisht rinor, kulturor dhe kombëtar. U kushtohej veçanërisht brezit të ri shqiptar në diasporë, ruajtjes së gjuhës, kulturës, identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

“Rreze Shelbuese” (1972). Kryesisht fetar dhe kulturor. Përmbajtja lidhej me jetën fetare katolike, edukimin shpirtëror dhe ruajtjen e traditës e të kulturës shqiptare.

“Krahu i Shqiponjës” (1974–1983). Kryesisht politik dhe kombëtar. Trajtonte çështjen kombëtare shqiptare, me vëmendje të veçantë ndaj Kosovës dhe aspiratave kombëtare të shqiptarëve.

“Ora” (1983–1990). Kryesisht politik dhe kombëtar. Vijonte trajtimin e çështjeve të Kosovës, trojeve shqiptare dhe zhvillimeve politike që lidhen me çështjen kombëtare.

“Liria” (1987). Kryesisht politik dhe kombëtar. Përqendrohej në problematikën kombëtare shqiptare dhe në çështjet politike që lidhen me Kosovën dhe trojet shqiptare.

“Lidhja e Prizrenit” (1964–1990). Kryesisht politik dhe kombëtar. Në qendër të saj ishte çështja shqiptare, Kosova, mbrojtja e të drejtave kombëtare dhe aspiratat për bashkimin e trojeve shqiptare.

“Buletini Katolik Shqiptar” (1980). Kryesisht fetar dhe informues. Pasqyronte jetën e komunitetit katolik shqiptar, veprimtarinë fetare dhe çështje të karakterit komunitar e kulturor.

“Dielli i Shqipërisë Etnike” (1979). Kryesisht politik dhe kombëtar. Theksi vendosej mbi Shqipërinë etnike, Kosovën dhe çështjen kombëtare, duke i dhënë periodikut një karakter të theksuar politik dhe nacional.

Në tërësi, këta periodikë dëshmojnë tri prirje kryesore të shtypit shqiptar në diasporë: shtypin politik dhe kombëtar; shtypin fetar dhe kulturor; si dhe shtypin rinor e kulturor. Në funksionin e tyre të përgjithshëm, ata shërbyen jo vetëm si mjete informimi, por edhe si hapësira për ruajtjen e gjuhës, kulturës, besimit, kujtesës historike dhe identitetit kombëtar shqiptar. Sipas një burimi, tirazhi i gazetave shqiptaro-amerikane, që botoheshin në vitin 1986 arrinte në 10.000 kopje. (Ndoja, 2014).

Shtypi shqiptar i kësaj periudhe nuk përbënte një dukuri të njëtrajtshme. Ai u zhvillua në disa drejtime, të përcaktuara nga nevojat e komunitetit shqiptar në emigracion, nga rrethanat politike ndërkombëtare të Luftës së Ftohtë dhe nga detyra e ruajtjes së identitetit kombëtar. Në këtë kuadër, periodikët mund të grupohen sipas tematikave kryesore që trajtuan, duke evidentuar rolin e tyre fetar, kulturor, politik dhe shoqëror.

3/5 Periudha e diasporës së re dhe transformimit të shtypit shqiptar në SHBA (1991–2026)

Nis me rënien e regjimit komunist dhe emigracionin e ri shqiptar, që ndryshon strukturën e komunitetit dhe sjell një profil krejt tjetër të shtypit, të orientuar edhe drejt integrimit, jetës komunitare dhe komunikimit modern. Rënia e komunizmit dhe valët e reja të emigracionit shqiptar ndryshojnë edhe karakterin e shtypit në SHBA. Krahas temave kombëtare, botimet fokusohen gjithnjë e më shumë në jetën e komunitetit, integrimin, kulturën, ekonominë dhe lidhjet me vendlindjen. Kjo është periudha e kalimit nga shtypi tradicional i diasporës drejt formave më moderne të komunikimit.

Periodikët kryesorë: “Illyria” (1991–), “Arbëri”, 1991, “Lajmëtari i Bostonit” (1996), “Albanian Gazette”, 1997; “Trojet tona” (1995), “Kuvendi” (2001), “Shpresa” (1999), “Iliria”, 2007; “Malësia” (2015), “Votra” (2016), “The Truth” (2013), “Zëri i Çamërisë” (2014), ”Shqipja”, 2003, Buletini „Shqiptari”, 2002. Gjatë të gjithë këtyre periudhave, ”Dielli” i Vatrës, nuk ndalon së botuari. Përveç Diellit, botohen 14 periodikë.

Klasifikimi tematik i periodikëve shqiptarë në diasporë, periudha pas vitit 1990.

Në periudhën pas vitit 1990, shtypi shqiptar në SHBA dhe në diasporë zgjerohet si në numër, ashtu edhe në larminë tematike. Krahas vazhdimësisë së shtypit politik e kombëtar, shfaqen më dukshëm temat kulturore, shoqërore, komunitare dhe të jetës së emigrantëve.

“Illyria” (1991–), kryesisht informues, kulturor dhe komunitar, me përmbajtje të gjerë politike, shoqërore dhe kombëtare. U bë një nga organet kryesore të shtypit shqiptaro-amerikan, duke pasqyruar jetën e komunitetit shqiptar në SHBA, zhvillimet në Shqipëri e Kosovë, si dhe kulturën dhe letërsinë shqiptare.

“Arbëri” (1991), kryesisht kulturor dhe kombëtar. Theksi vendoset mbi identitetin shqiptar, kulturën, historinë dhe ruajtjen e lidhjeve me Shqipërinë e trojet shqiptare.

“Lajmëtari i Bostonit” (1996), kryesisht informues dhe komunitar. Pasqyron jetën e shqiptarëve në zonën e Bostonit, veprimtarinë e komunitetit dhe zhvillimet me interes për emigrantët shqiptarë.

“Albanian Gazette” (1997), kryesisht informues, shoqëror dhe komunitar. Përfshin aktualitetin shqiptar, jetën e diasporës, çështje shoqërore dhe kulturore, duke shërbyer si mjet komunikimi për komunitetin shqiptar.

“Trojet tona”, revistë (1995), kryesisht politik dhe kombëtar, me përmbajtje shoqërore e kulturore. Në qendër qëndrojnë çështja kombëtare, Kosova, trojet shqiptare dhe synimet politike të lëvizjes kombëtare.

“Shpresa”, revistë (1999), kryesisht informues, shoqëror dhe komunitar. I kushtohet jetës së shqiptarëve në mërgim, problemeve të emigracionit, veprimtarisë së komunitetit dhe ruajtjes së lidhjeve kulturore.

“Kuvendi”, revistë (2001), kryesisht politik, kombëtar dhe kulturor. Trajton çështje të aktualitetit shqiptar, zhvillimet politike në Shqipëri e Kosovë, si dhe tema të historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar.

“Iliria” (2007), kryesisht kulturor dhe kombëtar, me karakter informues e shoqëror. Vëmendja përqendrohet te kultura, historia dhe identiteti shqiptar, si dhe te lidhjet e komunitetit me hapësirën shqiptare.

“Malësia” (2015), kryesisht kulturor, historik dhe komunitar, me theks te Malësia e Madhe dhe ruajtja e identitetit, traditave, kujtesës historike dhe trashëgimisë së shqiptarëve të kësaj treve.

“Votra”, revistë (2016), Kryesisht komunitar, kulturor dhe kombëtar. Pasqyron veprimtarinë e komunitetit shqiptar, organizimet e tij dhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

“The Truth” (2013), kryesisht informues dhe politik, me trajtim të çështjeve të aktualitetit shqiptar dhe të diasporës. Ka karakter të orientuar drejt informimit dhe paraqitjes së zhvillimeve politike e shoqërore.

“Zëri i Çamërisë” (2014), kryesisht politik dhe kombëtar. Në qendër vendos çështjen çame, historinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke e lidhur atë me problematikën më të gjerë kombëtare.

“Dielli” i Vatrës vazhdon botimin gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ruan karakterin e tij të shumëfishtë: informues, politik, kombëtar, kulturor dhe komunitar. Përveç aktualitetit shqiptar dhe çështjeve kombëtare, pasqyron jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe veprimtarinë e Federatës Vatra.

Në tërësi, shtypi shqiptar i kësaj periudhe paraqet një zgjerim të dukshëm të funksioneve të shtypit të diasporës. Krahas periodikëve me orientim politik dhe kombëtar, shtohen organet me karakter informues, kulturor, shoqëror dhe komunitar. Kjo pasqyron ndryshimin e vetë diasporës pas vitit 1990, e cila tashmë lidhet më drejtpërdrejt me zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe trojet shqiptare, por njëkohësisht përballet me çështje të reja të integrimit, organizimit dhe ruajtjes së identitetit në vendet e emigrimit.

  1. Roli i grave në shtypin e shkruar të diasporës në SHBA

Në 120 vite shtyp i  shkruar, prania e grave në shtypin shqiptar në SHBA përbën një aspekt të rëndësishëm për të kuptuar shkallën e përfshirjes së tyre në jetën publike, kulturore dhe intelektuale të diasporës. Nga analiza e korpusit të periodikëve shqiptarë të botuar në SHBA rezulton se janë evidentuar 107 gazeta e revista (Gjeloshi, 2024), por vetëm 3 prej tyre janë themeluar ose drejtuar nga gra, që përbëjnë rreth 3% të totalit. Kjo shifër dëshmon se, megjithëse gratë kanë qenë të pranishme në jetën shoqërore dhe kulturore të komunitetit shqiptar, përfshirja e tyre në drejtimin e shtypit ka mbetur shumë e kufizuar.

Në këtë kuptim, shtypi shqiptar në SHBA paraqet një pabarazi të dukshme gjinore në nivelin e drejtimit dhe të kontrollit editorial. Pesha e madhe që shtypi kishte në artikulimin e çështjes kombëtare, në organizimin e komunitetit dhe në formësimin e jetës kulturore bëri që pozicionet drejtuese të mbeteshin kryesisht në duart e burrave. Për krahasim, në të gjithë diasporën shqiptare janë evidentuar rreth 405 periodikë, nga të cilët vetëm 9 janë themeluar ose drejtuar nga gra, ose 2.2%. Të dhënat për SHBA-në, me rreth 3%, paraqesin një nivel pak më të lartë se mesatarja e diasporës, por nuk ndryshojnë thelbin e përfundimit: gratë kanë qenë dukshëm të nënpërfaqësuara në pozicionet drejtuese të shtypit shqiptar në diasporë.

Këto të dhëna nuk nënkuptojnë mungesën e grave në jetën publicistike shqiptare. Përkundrazi, ato kërkojnë një hulumtim më të thelluar të kontributit të grave si autore, bashkëpunëtore, redaktore, poete, publiciste dhe organizatore të jetës shoqërore e kulturore të komunitetit shqiptar në SHBA. Prandaj, shifra prej 3% duhet parë jo vetëm si një tregues statistikor, por si një pikënisje për të evidentuar gratë që, pavarësisht kufizimeve të kohës, morën pjesë në ndërtimin e shtypit dhe të kulturës shqiptare në Amerikë.(Gjeloshi, Harizaj, 2026)

Në këtë përvjetor, është me vend të zgjerohemi tek këta tre periodikë (revista) që drejtuan apo themeluan gratë në SHBA.

“YLL I MËNGJESIT”, 1917: /The Morning Star/ Revista “Yll i mëngjesit” u botua për herë të parë në vitin 1917  në Boston të SHBA dhe dilte fillimisht dy herë në muaj. Numri i parë doli më 15 janar. Drejtore e botimit Parashqevi Qiriazi. U botua në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në anglisht e frëngjisht. Vijoi 36 numra me disa ndërprerje. Revista kishte tematikë të ndryshme: kryesisht arsimore, por edhe politike, shkencore e historike. Botonte letërsi dhe aktualitet. Bashkëpunoi me këtë revistë edhe Sevasti Qiriazi (Dako) dhe Kristo Dako. Numri i fundit doli në shtator të vitit 1920.(Koleksioni i revistës-familja Qiriazi-Dako)

“SHPRESA”, 1999: Revistë (botuesit e quajtën fillimisht “Buletin”) periodike informative-kulturore që e boton organizata e grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” (AAËO-MQ), me seli në Nju Jork, SHBA. Kryeredaktore Lumnie Boriçi.

Revista është kontribut tërësisht vullnetar i anëtarëve të redaksisë. “Shpresa” u drejtohet në radhë të parë anëtareve të kësaj organizate, por të gjitha femrave, në përpjekje për t’u shndërruar në një foltore të fjalës së lirë për të gjitha shqiptaret kudo që ndodhen. Revista  informon e shtjellon edhe çështje me interes të përgjithshëm. Shumica e kopjeve të botuara shpërndahen falas. Periodiciteti i revistës nuk është i përcaktuar.(Gjeloshi, 2024)

“VOTRA“, 2016: Në krye të 100 viteve nga Yll’i Mengjesit, botohet në Nju Jork revista shqiptare “Votra“. Drejtore e revistës Aferdita Delaj. Revista është tremujore dhe numri i parë doli në muajin gusht 2016. Në editorialin e parë të revistës, botuesja duke i uruar lexuesit mirëseardhjen në “Voter“ shprehet: “Një voter shqiptare ku ngrohtësia është pasioni dhe përkushtimi i një skuadre të tërë, misioni i së cilës është përcjellja e vlerave tona kombëtare, duke e gërshetuar me më të mirën e vendeve ku jetojmë, punojmë dhe rrisim familjet tona.

Revista ka korespondentët e saj në të gjitha trojet shqiptare: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Mali i Zi. Në faqet e revistës së ilustruar, lexuesi do të gjejë një informacion të zgjeruar kulturor, etnografik, gjeografik e historik, gjithkund ku shtrihen trojet shqiptare. Në anën tjetër revista është multiinformative: shëndetësi, art, probleme sociale, familja, fëmijët në veçanti, sport, modë, guzhinë etj. Revista botohet kryesisht në gjuhën shqipe me një përmbledhje në gjuhën angleze.(Gjeloshi, 2024)

5. Si përfundim: Në 120 vite të historisë së tij, shtypi shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një pasqyrë e ndryshimeve që ka përjetuar diaspora shqiptare, por edhe një faktor aktiv në formësimin e jetës së saj kombëtare, kulturore dhe shoqërore. Nga “Kombi” i vitit 1906, tek “Dielli” dhe dhjetëra periodikë të tjerë që u shfaqën në periudha të ndryshme, ky shtyp ka përcjellë shqetësimet, idealet dhe aspiratat e shqiptarëve në Amerikë, duke ruajtur lidhjen me gjuhën, kulturën dhe atdheun. Ai ka ndryshuar bashkë me diasporën: nga një shtyp i përqendruar tek çështja kombëtare dhe mbrojtja e interesave të Shqipërisë, në një shtyp gjithnjë e më të larmishëm, që pasqyron jetën komunitare, kulturën, identitetin dhe realitetet e emigrimit bashkëkohor. Pikërisht kjo vazhdimësi, e shoqëruar me ndryshimin e formave, tematikave dhe funksioneve, e bën historinë e shtypit shqiptar në SHBA një pjesë të rëndësishme të historisë së diasporës shqiptare dhe të vetë historisë së shtypit shqiptar. Pas 120 vitesh, nga faqet e para të “Kombit” deri te format e reja të komunikimit, mbetet e pandryshuar nevoja për të ruajtur kujtesën, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar në tokën amerikane.

Burime e Referenca:

1.Demo, Constantine A. (1960). The Albanians in America: The First Arrivals. Boston: Society “Fatbardhësia” of Katundi. An edition of The Albanians in America: the first arrivals (1960). 

2.Armend Mehmeti The migration of albanians to the United States of America – challenges and achievements during the first two decades of the tëentieth century. Research Associate. Department of Contemporary History. The Institute of History “Ali Hadri” – Prishtina. Republic of Kosova. Anglisticum. V. 1, N. 2, 2012

3. Nuhiu, Vesel: Ndikimi i anglishtes në gjuhën shqipe. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 2013.

4. Skendi, Stavro (1967). The Albanian National Awakening: 1878–1912. Princeton: Princeton University Press.

5.Daka, Palok: Bibliografi retrospektive e shtypit periodik shqiptar e mbi Shqipërinë, 1848-1944. Studime historike, 1971-1974.

6. Prifti, Peter R. (1975). Albanian-American Community. Cambridge, Massachusetts.

7. Puto, Arben (2010). Historia diplomatike e çështjes shqiptare. Tiranë.

8. Elsie, Robert. Histori e letërsisë shqiptare. 1997

9. Gjeloshi, Gjovalin, Harizaj, Luana: Roli i grave në themelimin dhe drejtimin e shtypit të shkruar shqiptar, në trojet shqiptare dhe në diasporë. 1848-2024. Gjakovë, 2026

10. Gjeloshi, Gjovalin: Skedari i Shtypit Shqiptar, 2024

11. Ndoja, Leka. 2014. Letërsia shqipe e emigracionit në vitet 1944–1990. Punim për mbrojtjen e gradës “Doktor i shkencave”. Tiranë. 

12. Boriçi, Hamit: Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare. Tiranë, 1997.