Tirana, peng i shijeve personale dhe mosmarrëveshjeve individuale në një parti politike
Afrim Krasniqi
Tirana është kryeqytet, qendra reale politike, ekonomike, sociale, administrative dhe diplomatike në Shqipëri dhe në fakt edhe qyteti i vetëm ku funksionon pluralizmi politik tej ndarjes të thellë bardh e zi. Tirana ka mbi 1 milionë banorë efektivë, ka buxhet më të madh se një e katërta e bashkive në vend dhe ka nivelin më të lartë zhvillimor. Tirana qeveriset nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak. Në demokraci ky i fundit kontrollon bashkinë dhe ushtron “funksione parlamentare”, vendimmarrje, mbikëqyrje, komisione hetimore dhe miratim/refuzim të akteve.
Shqipëria e vitit 2026 vijon të prodhojë praktika unike, skenarë që edhe në filma ndodhin rrallë, meqenëse zyrtarët shpesh artikulojnë filmat si alibi për skandale dhe ngjarje të rënda. Prej 10 shkurtit 2025 kryetari i zgjedhur i bashkisë Tiranë është arrestuar dhe ndodhet në burg. Procesi ndaj tij vijon, akuzat janë të shumta, ndërkohë që mandati i kryetarit vijon deri në maj 2027. Pas arrestimit drejtimi i kaloi zv/kryetares së bashkisë, më pas ajo u shkarkua për ti kaluar një personi tjetër, shkresa e fundit u anulua dhe i emëruari i dytë u pushua nga puna, pastaj kryeministri mori de facto drejtimin e bashkisë, shkarkoi tre zv/kryetarët dhe emëroi tre të tjerë, dhe tani, 9 muaj para zgjedhjeve kryetari shkarkon edhe ushtruesen e funksionit të tij.
Duket një lojë shkresash, por natyrisht pas tyre ka interesa të shumta politike, ekonomike dhe ndikimi informal. Ligji e lejon shkarkimin dhe delegimin e përkohshëm, por ligji nuk përcakton detaje dhe sidomos standarde etike, integriteti dhe përgjegjësie publike që duhet të ishin kushte të panegociueshme në një demokraci e shtet të së drejtës.
Asnjë bashki nuk merr më shumë vendime mbi leje, punësim, investime, kontrata, shërbime, dhe nuk ka strukturë më të madhe varësie sesa bashkia Tiranë. Dhe fakti se prej më shumë se 16 muajsh bashkia drejtohet me të deleguar dhe tashmë edhe të deleguarit janë të shkarkuar, – krijon një paradoks të madh.
A mundet që një kryeqytet të mbetet peng i shijeve personale dhe mosmarrëveshjeve individuale në një parti politike? A është mandati drejtues i pakushtëzuar nga detyrimi për standarde etike dhe integriteti? A kanë drejtuesit ndonjë detyrim moral, politik dhe etik ndaj qytetarëve dhe publikut? si ushtrohet llogaridhënia dhe transparenca, dy kritere bazë të funksionimit të qeverisjes vendore? Sa mandat dhe legjitimitet kanë të deleguarit dhe a mundet që një parti dhe një shtet të mbyllin sytë kur krijohen kriza institucionale që minojnë thelbin e demokracisë, përfaqësimin dhe legjitimitetin? A vlen retorika për reformën e re territoriale kur në mes të Tiranës luhet në formë kaq absurde me demokracinë, territorin, bashkinë, votën dhe përfaqësimin? Për ata që përdorin ndonjë nen ligji për tu mbrojtur nga sjelljet absurde, le të kujtojmë se edhe Byroja Politike, qeveria, komiteti ekzekutiv dhe Sigurimi në dhjetor 1990 ishin legjitim për kohën, sipas ligjeve të kohës, dhe ishte “e zgjedhur” nga partia. Por ishin “jashtë kohës”, Shqipëri ndryshoi sistem dhe ata ikën bashkë me të. Pas 36 vitesh sistemi i deformuar ka marrë peng demokracinë dhe përfaqësimin, buxhetin publik dhe qeverisjen qendrore e vendore. Institucionet e pavarura të garancisë janë me pushime vjetore dhe festojnë në fshatin e shefit, bashkë me kryeministrin!
Një histori sa absurde aq edhe alarmante. Tirana nuk kërkon “Besë” mes oligarkëve të politikës, medias dhe kullave të betonit, – ajo meriton respekt, qytetarët meritojnë respekt, qeverisja meriton respekt, demokracia meriton respekt. Edhe nga ata që (ende) nuk e dinë, nuk e kuptojnë dhe refuzojnë ta mendojnë se çfarë është respekti, qeverisja, demokracia, legjitimiteti, etika, integriteti dhe përfaqësimi.