Mitrush Kuteli: ABC-ja e kreshnikisë
A
– E njeh Zenelin?
– Jo, nuk e njoh!
– U bë për të vrarë. E do ta vras!
– Si e qysh?
– Dje më shkeli hijen!
– Hijen tënde?
– Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç’të bëj?
– Vraje!
– E vrava.
– Aferim! Pas pakëz, duke pirë duhan.
– Fëmijë ka Zeneli?
– Ka po janë të vegjël.
– Vraji!
– T’i vras?
– Vraji se do rriten. Më mirë tani sesa më vonë.
– Mirë thua; ke të drejtë. Do t’i vras! Do t’i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s’është pak!
B
– Dëgjove gjë?
– Jo.
– E vranë Todrin.
– Ku?
– Në mes të tregut.
– Kishte faj?
– Tani s’ka faj se është i vdekur, po atëherë kish.
– Si e qysh?
– Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur se s’kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: – Bre qen!
– E njihte burri me mustaqe Todrin?
– Jo nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre qen! – i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre qen i qenit! Pse vështron me inat drunë e telefonit?
– Më fal, se të pres fjalën: druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
– Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
– Ndofta sepse kish barkun bosh…
– Punë e tij. Bre qen, tha trimi, bre qen i qenit! Pse, bre, vështron me inat drunë e telefonit? Todri desh t’i përgjigjet, po trimi nuk e la: nxori koburen edhe e vrau. – Na, i tha, të të mësoj unë të shikosh me inat drunë e telefonit!
– Kish të drejtë trimi.
– Doemos, se po të mos kish nuk e vriste.
C
– S’po e shoh prej disa ditësh Zefin.
– As e ke për të parë, Zefin e vranë.
– Pse? Kush?
– Fajin e kish Zefi.
– Fol!
– Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit…
– Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem.
– A ka një vëlla Zefi?
– Ka.
– Edhe ky a ka një kunat?
– Ka.
– Edhe kunati a ka një nip?
– Ka.
– Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
– Vetë nipi?
– Jo, shtëpia. Punë e vjetër, gjysh-stërgjysh, po ti e di se gjaku s’falet.
– Jo! Po të falet, humb burrnia, ndera e trimnia.
– Po, pra… E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
– Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimnia e burrnia hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit. Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë – pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar… – po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimnia e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbënore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimnie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini që na la Kanunin, duhet medoemos t’i digjet shtëpia Zefit edhe t’i priten drurët e kopshtit kombëtar.
– Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimninë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
– Eja të pimë po koburet t’ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni…
Ç
– Ore, thonë se ti e vrave Selmanë…
– Unë, jo!
– Po kush?
– Dyfeku im!
– Ky që ke në krahë?
– Ja, ky! Pse s’ta mbush synë?!
– Si jo. Dyfek të këtillë s’kam parë as në Turqi.
– E ke mirë. Dyfek si të turkut s’ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s’të pëlqen…
– Si u bë puna e Selmanit?
– I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
– E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
– Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën në tabut.
– Ti ku ishe?
– Prapa ferrës.
– Ai?
– Shkonte rrugës.
– Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t’i thotë: faleminderit se më vrave – si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan, ia fali këtë të metë.
– Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani! Sepse Selmani ka një nip nga ana e mbesës. Nipi i mbesës së Selmanit ka një qen edhe ky qen qopek i ka lehur një herë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipt, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë…
D
Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekë edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Sula Sulës:
– Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
– Kam zbrazur njëzet paketa. Qe kalamidhet!
– Ke zbrazur në bosh, jo në plot…
– Qysh në bosh? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër…
– Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s’hyn në rradhën e burrave. Hajt!
– …
– Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s’ke vrarë njeri!
– Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t’ia shkrep.
– Prit gomar të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Sula Sulit:
– Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
– Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Sula Sulës:
– Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
– S’di cili është…
– Çudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t’i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s’ta mban?
– I bie po mos merret vesh…
– S’ka si merret vesh. Unë s’rrëfej!
– Me besa-besë?
– Me besa-besë e për kokën e dyfekut.
– Atëherë t’i bie?
– Bjeri!
Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më…
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e naltë…
… Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën…
DH
Vasili me Veselin ishin shokë. Shokë që në vogëli – ngrohur më një diell, lagur më një ujë. Pastaj erdh puna që Veseli vrau Vasilin edhe Vasili vrau Veselin. Që të dy ia dhanë flakë më flakë, si trima të ndjerë që na nderojnë vendin e kombin kombëtar kreshnik.
Puna rrodhi kësilloj:
Vasili me Veselin rrinin në një hije edhe bisedonin. Aty pranë ish lumi. Pranë lumit një plep. Vasili tha:
– Hajde plep, hajde, që të mbolli dora e Krishtit!
Veseli tha:
– E keq, or mik, e mbolli dora e Muhametit!
– E Krishtit!
– E Muhametit!
E filluan si me të qeshur po doli e ngjeshur se sikush gojën e kish të tijën edhe me bukë e ushqente. Po përveç gojës, kishin edhe kobure në brez, si çdo shqiptar i vërtetë.
– Plepin e mbolli Krishti!
– Plepin e mbolli Muhameti!
Pak-pak! koburet kreshnike, flakë më flakë!
E që të dy u vranë!
Njëri për plepin e Krishtit, tjetri për plepin e Muhametit…
E
Selmani vrau Selmanin; Stefani vrau Stefanin; Hasani vrau Kristanin; Mestani vrau Vasilin…
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
– Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
– Jo, e ke jangëllësh. Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
– Jo, ti e ke keq!
– Jo unë, po ti!
Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil…
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri-tjetrit.
Dhe malet mbetën si ishin: male…