Ilir LEVONJA: Zoti ambasador, ti nuk di më shumë se ne!
Zoti Lu, mos i bëj këto deklarata nga salla seminaresh, por merr ca kamera me vete dhe në sy të popullit plasja të parit të vendit. Ose të parëve të vendit. Shko në zyrën e gjithsecilit, faqe popullit, brenda dhe jashtë vendit. Ulërit. Ndofta shqiptarët bëhen qytetarë dhe e kuptojnë një here e mire faktin që në demokraci qytetari mburret me veten dhe fëmijën e tij, jo me vilat e njëshave. Se këtu kanë arritur, ia plasin shoqi-shoqit se kush e ka liderin më të forte, më mashtrues të zotin. Se kështu në salla konferencash po bëhesh pak shqiptar edhe ti. Ndize fitilin siç duhet. Fitilin e popullit, jo të mediave. Këtë e dime si metodë. Kështu e kemi ne, mjafton që ia thashë më në fund, ia plasa në sy dhe kaq. Nuk e shikon rezultatin, një media, një opinion i tërë, një shoqëri klanesh që po merret me deklaratën tuaj se Shqipërinë e kontrollojnë 20 grupe dhe 4 klane kriminale.
Do vazhdojnë sot e nesër, u dhe punë. Ne jemi kampionë të zhurmës. Të gjithë po mbledhim supet. Dhe për më tepër me atë hori tonën, suferinë thashjesh, pëshpëshesh, habish, kënaqësish, potere etj. Sikur ke bërë zbulimin e shekullit. Dhe se vërtet shqiptarët nuk e dine ekzistencën e këtyre grupeve. Sikur nuk i njohin ata që të vrasin me pak lekë. Sikur nuk e dine që burgjet janë zyrat nevralgjike nga drejtohen atentatet, kultivimi apo shitja e drogës. Sikur nuk e dine që selitë e partive, kapot dhe bandat e tyre, i ruajnë me fanatizëm, i kanë asete. Nuk ka militues partiak, qytetar shqiptar, qoftë ky socialist a demokrat që nuk e di këtë. I ruajnë me qëllim, që, nëse u dështon plani A, kanë plan ndërrmarrjen B. Pra shefat dhe bandat e tyre. Ata t’i mbushin kutitë për qejf, si t’i duash.
Kur fitojnë i kanë të qarta strategjitë, u çojnë njoftim që të ndryshojnë vilat, se qeveria do bëj sikur do i arrestojë. Po njoftimin ua ka çuar ama. Edhe udhëzimin që për ca ditë të lëvizin me makina gabi. Dalin me televizione, me daulle e tellall. Hiqe nga mendja se voton populli tek ne. Tek ne votojnë të fortët. Ata janë më të shenjtë se akadamikët dhe ekzistenca e ligjit dhe e shtetit. Ju ndofta nuk e dini, por në Shqipëri ka bërë vaki që kapot të presin burra nga shtetet fqinjë. Me hori kallashësh. Po ku di gjë ti, nga këto. Ti vjen nga një vend, ku vota ka pushtet. Dhe se shtetarët janë gogla përpara qytetarit. Në karrierën tënde kushedi sa burra shteti ke ndërruar. Kurse tek ne, laj e thaj, këta kemi. I mbajmë si ujin e pakët. Nuk lindin më tjerë nënat tona. Janë shterpa të shkratat. Vetë, le t’i mbajnë këmbët në mut, kurse kokat në luks. Rrofshin e i paçim sa malet. Lërna rehat në mizerjen tone.
Janë më shumë se aq ambasador.
Shqipëria e vogël ka të paktën gjashtë qytete të mëdha. Këto gjashtë për nga 20 grupe, del tjetër shifër. Ka nga 20 baronë që u bëjnë rreshtore atyre kajmekam-mëve që mbajnë titullin kryebashkiak. Dhe a e di përse, sepse, ne, arsyen nuk e konsiderojmë efikase pa dhunën e forcës. Dhuna tek ne është bereqet. Kriminelë nuk janë vetëm ata që të vrasin për shkak se i bezdis. Jo, jo…, janë më të keq ata që e kanë futur vendit një mendësi të tërë dasimi, konfliktesh. Ata bartësit, e propogandës së unit. Aq sa shqiptarët sot përshembull, më shumë duan qelqllëkun a virgjërinë e Edi Ramës, se nderin e tyre. Ne po na vdes propaganda. Po na e pi gjakun, duke na mpakur ditë më ditë.
Ne vetëm për demokraci nuk mund të flasim. Jo, jo asesi!
Kutadish si vjen ora, po t’u shkosh në zyra me kamera. T’i pyesësh…, me çfarë parash e bërë këtë dhe atë resort, pallat a vile. Sa kushtojnë dhe sa e ke rrogën etj? Jemi me pamje aty faqe burrash. Se këta, çunat që vishen trendy, me atlete Adidas. Këta soje xhaketash të kthyera, nuk kanë për të bërë kurrë demokraci. Po, siç e tha ai poeti, veç shkërdhatokraci.
Jo se ti di më shumë se ne, por të paktën ti po guxon. Dhe ne shqiptarët priremi të besojmë më shumë të huajin se sa njëri – tjetrin. Fatkeqësisht, po!