Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare, Franca dhe Shqipëria!

blendi

Nga Blendi Fevziu/Ismail Kadare merr sot çmimin Komandant i Legjionit të Nderit. Një prej çmimeve më të rëndësishme të shtetit Francez dhe padyshim, një prej vleresimeve më të rëndësishme të saj.

Por përtej çmimit, më e veçantë është mënyra se si Franca po ja dorëzon atë. Mënyra e dhënies shërben edhe ajo si një mesazh më vete.

Çmimi i dorëzohet sot, ditën e hënë, ora 18:00 në Pallatin e Elizesë, në një ceremoni organizuar krejt për të.

Ndryshe nga rastet e tjera, dhe ndryshe nga zakonisht, dhënës i cmimit do të jetë Presidenti i Frances Fransua Holland. Sipas shtypit, Holland zakonisht nuk e jep vetë çmimin ose kjo ndodh në raste të rralla. Në ato raste që ndodh zakonisht jepet për disa persona bashkë, pra një ceremoni për disa fitues.

Për Ismail Kadarenë po zhvillohet sot një ceremoni e veçantë. Një ceremoni me disa të ftuar, francezë e shqiptarë ku Presidenti Holland do të dorëzojë titullin personalisht. Do jetë po Holland që do të shtrojë në Elize një koktej për nder të Kadaresë dhe të ftuarve të tij.

Nuk është hera e parë që Franca nderon shkrimtarin shqiptar. Kadare është mbajtës edhe i niveleve më të ulta të legjionit të nderit dhe nderimeve të tjera. Ai është anëtar i Akademisë Franceze, institucionit më prestigjioz francez që në vitin 1996.

Kadare ka fituar thuajse të gjithë çmimet e rëndësishme nderkombëtare që akordohen nga vendet anglishtfolëse, spanjishtfolëse dhe ato italiane. Ai ka qenë kandidat në vazhdim për cmimin Nobel që në mes të viteve ’70.

Shtypi botëror e rendit atë si një ndër 10 shkrimtarët më të mëdhenj që jetojnë të kohës sonë dhe një nga intelektualët më influentë në botë.

Nuk ka dyshim që nderimet janë vetëm vijim i një vepre prej dhjetra librash, përkthyer në shumë gjuhë të botës, por ajo që bie në sy, është një lloj heshtje e Shqipërisë ndaj tij.

Kadare kishte këtë vit 80 vjetorin, por gjithçka u organizua ishte e zbehtë dhe pa shije.

Asnjë gjë mbresëlënëse dhe asnjë lloj vëmendje ndaj njeriut që krijoi një tjetër model të letërsisë shqipe dhe një tjetër nivel estetik dhe intelektual. Fare pak vëmendje ndaj personazhit që më shumë se kushdo tjetër ka promuar Shqipërinë në botë dhe ka qenë për vite e vite, imazhi më i njohur i saj.

Siç ndodh rëndom në Shqipëri, xhelozia dhe meskinitetet, kanë dominuar mbi arsyen dhe llogjikën e ftohtë dhe As Kadare nuk ka shpëtuar në këtë rast nga kjo formulë.

Please follow and like us: