Zhvillimet e fundit në Himarë, Kotzias: T’u jepen minoritarëve titujt e pronësisë
Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm grek, ka komentuar zhvillimet e fundit në Himarë. Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të një konference ndërkombëtare për pluralizmin fetar, Kotzias tha se Athina kërkon që minoritarëve t’u jepen titujt e pronësisë.
Sipas tij, dhënia e titujve të pronësisë u jep mundësi qytetarëve që të mbrojnë në rrugë gjyqësore pronën dhe u siguron edhe dëmshpërblimet.
Ministri i jashtëm grek tha se objektet që u shembën paraditen e të martës në Himarë nuk kishin tituj pronësie.
“Në thelb, ishin prona pa pronarë, që pronarët e tyre nuk kishin kërkuar mbrojtje në rrugë gjyqësore”. Sipas Kotzias garantimi i të drejtës së pronës për minoritetin është një nga pesë kushtet që i janë vënë Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim. “Ne nuk mund të ndalojmë urbanizimin e një vendi të tretë. Ne duam që e drejta e pronës, veçanërisht për minoritetin, të mbrohet”, përfundoi Kotzias.