Bode: Bankat dhe bizneset janë të pasigurta
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode është shprehur se kredia për ekonominë në Shqipëri vijon të ndrydhet, pasi sipas tij biznesi heziton të investojë dhe bankat po ashtu pasi janë të pasigurta për klimën investuese dhe suksesin e sipërmarrjeve në vend. Në një intervistë për gazetën “MAPO”, Bode tha se “Përmirësimi i klimës së biznesit, krijimi i më shumë optimizmi dhe investimi i vetë qeverisë krahas aktorëve ekonomikë për të nxitur një frymë entuziaste për tregun, janë jetike për të mundësuar ringritjen e ekonomisë”. Sipas ish-ministrit Bode, vetë qeveria duhet të jetë aktive në nxitjen e kësaj shprese jo me slogane propagandistike, por me programe që projektohen në buxhet dhe adresojnë prioritet e njohura të ekonomisë. “Buxheti kalon thuajse në harresë këto çështje”- tha ndër të tjera ish-ministri Bode.