Dafina Neziri, grimerja që zbukuron kosovaret
Përdorimi i grimit për t’u dukur më bukur është pjesë e kulturave në gjithë botën. Natyrisht, e njëjta ndodh edhe në Kosovë. Studio të bukurisë ka kudo në vend, veçanërisht kryeqyteti është stërmbushur me grimere profesioniste që kanë mbaruar shkolla të ndryshme të kësaj lëmie, kurse disa e ushtrojnë si hobi. Klankosova.tv ka intervistuar Dafina Nezirin, vajzën e cila nga Gjermania solli frymë të re të grimit në Kosovë. Deri në moshën 18-vjeçare, Dafina ka jetuar në Gjermani. Ajo tregoi për klankosova.tv se pasioni i saj ndaj grimit dhe estetikës nisi që në moshë të re. Për këtë arsye, 26-vjeçarja vendosi ta vazhdojë shkollimin në këtë drejtim në Slloveni dhe Gjermani, për t’u bërë profesioniste e “make up”-it. Por, kjo nuk është e tëra. Dafina është udhëheqësja e Krylon Kosova, aty ku solli edhe përvojën e saj shumëvjeçare si makeup artiste. Shkolla është e licensuar nga kompania Krylon.
Dëshira e vajzave kosovare për t’u regjistruar këtu është jashtëzakonisht e madhe.
“Interesimi për trajnim dhe grim është i madh për shkak të kualitetit dhe kushteve të ofruara nga kursi ynë”, thotë 26-vjeçarja.
“Qendra për aftësimin profesional ‘Kryloan’ – kualifikimi për grimere, zgjat shtatë javë, katër orë në ditë, zakonisht me dy orare: 10:00 – 14:00 dhe 14:00 – 18:00”.
Grimerja kosovare tregoi se qendra të cilën e posedon është e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, Niveli KKK 3.
Vajzat të cilat regjistrohen në këtë shkollë, në fund të trajnimit, marrin edhe një diplomë për aftësimin e fituar.
“Kandidatet të cilat vijojnë kursin certifikohen dhe certifikatat verifikohen e vulosen nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve”, tregoi më tej Neziri.
Meqënëse jemi afër festave të fundvitit, Dafina dha disa sugjerime për lexueset e klankosova.tv se si duhet grimosur për kremta, por edhe përgjithësisht për stinën e dimrit.
“Për festat e fundvitit, preferohet t’i kushtohet rëndësi të veçantë nuancave të duhura. Mënyra më e mirë për të arritur një pamje vjeshtore ose dimërore që t’ju përshtatemi temperaturave të ulëta, është të vëmë në pah ngjyrën e buzëkuqit. Ngjyrat e hapura ose të lehta dhe me shkëlqim nuk janë shumë të preferuara për këtë stinë, pasi që janë ngjyra më verore”.
Dafina po ashtu jep këshilla edhe për një pamje të sofistikuar dhe elegante.
“Ngjyrat më të preferuara për këtë stinë janë ato të mbyllura, si e kuqërremtë, kafe, e kuqe e mbyllur, violet e mbyllur dhe të gjitha nuancat e përafërta me këto”.
“Nga këto ngjyra dhe me një ten të fytyrës të rregulluar me nuancat e duhura, do të arrini një pamje të sofistikuar dhe tejet elegante”.
“Përdorimi i ngjyrave të mbyllura në buzë do t’ua lehtësojë punën në sy, pasi që nuk keni nevojë të koncentroheni në ngjyrat e syve në mënyrë që të mos jeni e mbingarkuar me grim”.
“Mund t’i përdorni ngjyrat e lehta, bronz ose bakër dhe në fund ta aplikoni maskarën”.
Në fund, Dafina tregoi se artisti i saj favorit është MakeUpbyAriel – grimeri që shpeshherë kujdestet për dukjen e familjes Kardashian.
/klankosova.tv
Më poshtë, mund t’ i shihni disa fotografi të punës së Dafinës dhe vajzave që trajnohen në qendrën e saj.