Albspirit

Media/News/Publishing

Kriminelët besojnë vetëm në parajsë?…

Sipas një studimi, krimet janë më të shumta në vendet ku njerëzit besojnë vetëm në parajsë dhe jo në ferr. Të dhënat për studimin janë mbledhur tek 140 mijë persona nga 70 vende të ndryshme përgjatë një periudhe prej 26 vjetësh. Rezultatet treguan se njerëzit janë më të prirur të mendojnë se mund t’ia hedhin paq me një sjellje kriminale nëse ata e dinë se nuk do të ndëshkohen për këtë në jetën e përtejme.

Studiuesit zbuluan se vepra të tilla si vrasje, grabitje apo sjellje të dhunshme ishin më të zakonshme në shoqëritë ku dënimi nuk formon një pjesë të rëndësishme të besimit fetar të njerëzve. Kjo do të thotë se vendet ku njerëzit besojnë se ekziston një parajsë më tepër se sa një ferr, kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje kriminale sesa në vendet ku besohet ekzistenca e njëjtë e të dyjave.

Studimi është botuar në revistën shkencore ‘PLoS ONE’ dhe është një bashkëpunim mes dy profesorëve nga Universiteti i Oregonit dhe ai i Kansasit. Ata analizuan të dhënat statistikore të mbledhura nga viti 1982-2007, tek 140 mijë njerëz nga 70 vende të ndryshme në lidhje me konceptet Parajsë, Ferr dhe Zot. Më pas këto të dhëna i krahasuan me treguesit e vrasjeve, dhunës apo grabitjeve në vendet respektive.

Normat e besimit në parajsë dhe ferr sipas të dhënave, kishin efekte të rëndësishme, unike dhe të kundërta mbi normat e krimit. ‘Besimi në ferr parashikonte norma më të ulëta të krimit … ndërsa besimi në parajsë parashikonte normë më të lartë të tij’. Sipas studiuesve, ky është një tregues i rëndësishëm për të kuptuar efektet e ndryshme që ka ndëshkimi mbinatyror dhe dashamirësia e mbinatyrshme tek natyra e njeriut.

Të dhënat e nxjerra përputhen me kërkime të kontrolluara, të realizuara në laboratorë dhe vërtetojnë ndikimin e fuqishëm në botën reale të mbinatyrores. Në këtë mënyrë, njerëzit që besonin tek një ‘Zot i mirë’ ishin më të prirur për të kryer krime se sa ata që besonin tek një Zot që është edhe ndëshkues. Pra, sipas studimit, njerëzit që nuk besojnë në mundësinë e një ndëshkimi në jetën tjetër në varësi të cilësisë së jetës që kanë bërë në tokë, janë më të prirur drejt sjelljeve kriminale.

Please follow and like us: