Albspirit

Media/News/Publishing

“Koha e Pelikulës”, përkujtohet regjisorja e fëmijëve, Xhanfize Keko

Xhanfize Keko ka një dekadë që nuk është më mes nesh. Por Xhanoja, siç e thërrisnin, na ka lënë aq shumë. Jo vetëm me kinematografinë e saj, por me shkollën e madhe me fëmijët, që i formëzoi, duke i shndërruar në aktorë. Filmat e saj, si “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Kur xhirohej një film”, “Mimoza Llastica” etj, janë shembulli më i qartë i një kohe dhe një brezi të vegjlish me ëndrra të lira. Në këtë dhjetëvjetor mungese kineasti Mevlan Shanaj i kushton dokumentarin “Koha e Pelikulës”.

 “Një emër i tillë si Xhanfize Keko, të hap perspektivën dhe të le gjithmonë me uri. Thua të mësoj edhe diçka. Çdo të thotë të krijosh familje, çdo të thotë të rrisësh fëmijë. Xhanfize Keko këtë e ka bërë shkëlqyeshëm”, shprehet Mevlan Shanaj, kineast.

Janë 10 kineastë dhe kritikë të huaj që e ndërtojnë këtë dokumentar, por kryesorja është ajo, vetë Xhano. Për të cilën Shanaj ka përzgjedhur mes materialeve të pafundme më domethënëset.

“Ta ndërtosh portretin e Xhanfize Kekos, nëpërmjet Xhanfize Kekos. Ky është suksesi, nuk ka gazetarë, nuk ka komentatorë, por është vetë Xhanua që na tregon mënyrën e saj të perceptimit të regjisores”, thotë Shanaj.

“Na ka lënë një pasuri, një trashëgimi të jashtëzakonshme, që e theksoj akoma , të pazëvendësueshmë, edhe nga breza të tërë kineastësh, që kanë pasuar, shprehet Ilir Butka, drejtor i QKK.

“Ndihem shumë krenare për nëna Xhanon, vepra edhe jeta e saj janë një shembull për mua”, thotë mbesa e tij.

Tre vite kohë për të ndërtuar “Koha e pelikulës”, e një kujtim i veçantë, për Xhanfize Kekon, e cila i dha shpirtin filmave të saj, e që ka lënë një mungesë të madhe pas./TCH/

Please follow and like us: