Zbardhet raporti për Shqipërinë, shanse të hapen negociatat me BE
Dy muaj përpara publikimit, është zbardhur progres raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë. Ndërsa vëren shanset që ka vendi ynë për hapjen e negociatave, sërish në qendër të vëmendjes janë pesë prioritetet, ku theksi vihet tek nevoja për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në nivelet e larta të politikës dhe zbatimi i ligjeve të Reformës në Drejtësi.
Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga publikimi i strategjisë së zgjerimit nga Komisioni Evropian, zbulohen progres raportet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në progres raportin e publikuar nga organizatat e rrjetit të studimeve evropiane, thuhet se vitin e ardhshëm Shqipëria mund të ketë një mundësi të mirë për të hapur negociatat me BE-në. Përpara se kjo të ndodhë, Shqipëria duhet të jetë në gjendje të zbatojë me sukses reformën në gjyqësor, veçanërisht ri-vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përveç kësaj, vendi duhet të tregojë një rekord të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë të veçantë në nivele të larta të politikës.
Progresi në pesë prioritetet e përcaktuara nga Brukseli, përkatësisht: reforma e administratës publike, forcimi të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes e të drejtave të njeriut, mbetet i njëjtë. Nevojiten përpjekje shtesë për të përmirësuar procedurat e rekrutimit të nëpunësve civilë, transparencën me publikun në vendimmarrje dhe menaxhimin e financave publike. Kërkohen më shumë përpjekje, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kontrabandës së drogës. Edhe reforma zgjedhore konsiderohet e dështuar pasi nuk është zbatuar asnjë nga rekomandimet të OSBE/ODIHR.
Ligji i verifikimit synon pastrimin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet një ekzaminimi të hollësishëm të aseteve, profesionalizmit dhe lidhjeve të mundshme me krimin e organizuar të të gjithëve gjyqtarëve, prokurorëve dhe kandidatëve për poste në sistemin e ri gjyqësor. Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) synon të hetojë dhe gjykojë korrupsionin dhe veprat penale të krimit të organizuar nga zyrtarët e lartë, duke përfshirë udhëheqësit politikë.
Në dhjetor të vitit 2015 u miratua Ligji i Dekriminalizimit, me qëllim ndalimin e pranisë së kriminelëve në zyrat publike. Viktimat e para, sipas raportit, janë deputeti i LSI, Shkëlqim Selami, i PDIU, Dashamir Tahiri dhe ish-Kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi. Për shkak të akuzave për korrupsion humbi mandatin deputeti socialist Koço Kokëdhima, ndërsa ish-ministri demokrat Spiro Ksera u dënua me 20 muaj burg po për korrupsion.Raporti vëren se Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në hetimin, identifikimin, ndjekjen penale dhe dënimin e figurave kyçe të drogës, trafikimit si dhe aktiviteteve të tjera të krimit të organizuar./Klan Plus/