Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Rreziku i banalizimit të dosjes Tahiri

Publikimi i rreth 6-7 minutave të audio – përgjimeve të trafikantëve që përmendin Saimir Tahirin nga një media shumë pranë opozitës, Politiko.al, nuk solli asgjë të re që deri më tani nuk e dinte publiku. Edhe dhuratat për familjen edhe kërdia mbi votat edhe përdorimi i Audit të famshëm janë mëkate që të gjithë i njohim që prej ditës së parë. Përveçse zërave origjinalë dhe dialektit të labërisë që shtonte pak pigment në këtë roman policesk që zgjat prej javesh, asnjë fakt me peshë dhe asnjë dëshmi e re nuk doli në dritë.

Por, problemi i asaj që po ndodh me dosjen Tahiri është tjetër. Sa më shumë që kalon koha, ajo po rrezikon të degradojë në një telenovelë turke, nga ato që TV Klan përdor për të thithur shtresën më trushpëlarë të shikuesve.

Pak ditë më parë edhe Top Channel, ashtu sikurse këtë të mërkurë Politiko.al, palajmëroi një bombë të re në dosjen që po ndjekin me drithërimë gjithë shqiptarët.

Por, as në rastin e parë dhe as në rastin e dytë, përpos titujve bombastikë, lexuesit dhe shikuesit nuk u informuan për asnjë gjë esenciale.

Natyrisht, në këto “scoop-e” nuk ka asnjë mëkat.

Cilado media e globit që do t’i kishte në dispozicion edhe në qoftëse burimi i tyre do të qe prokuroria, edhe nëse ai do të qe opozita, do t’i publikonte ato.

Në çështje të tilla kaq sensitiv kërshëria nuk është një element që duhet nëvleftësuar, pavarësisht se herë pas here, kufiri i rrezikshëm mes vuajerizmit dhe interesit publik përcaktohet me shumë vështirësi.

Por, halli është diku tjetër. Sepse përveç suspansit që ngjallin seriale të tilla, ato nuk mund të trajtohen thjeshtë si episode të “Narcos” apo “Breaking bad”. Ato nuk mund të përdoren as thjeshtë si justifikime për premtimet e ekzagjeruara të opozitës se do ta mbajë publikun me bomba të herë pas hershme.

Aq më pak ato mund të shërbejnë si hallka të një zinxhiri që vazhdon të fshikullojë qeverisjen e rilindjes.

Saimir Tahiri vetë, protektori dhe krijuesi i alibive të tij Edi Rama, kanë dalë më të njollosur se kurrë nga kjo histori. Tashmë nuk ka mbetur shqiptar me mend në kokë që nuk është bindur për lidhjet e tyre me trafikantët dhe me përdorimin që socialistët i kanë bërë këtyre lidhjeve.

Në këtë kuptim “dosja Tahiri” është ezauruar politikisht. Kush ka pasur për të humbur ka marrë njollën më negative prej saj, ndërsa kush ka pasur për të përfituar e ka vjelë gjithçka mundej.

Prandaj loja me të nuk ka më vlerë.

Ajo duhet trajtuar me një seriozitet ku e ku më të lartë sesa vëmendja që i kushtojmë Erdogrulit dhe Sulltaneshës Kosen.

Nërsa në të kundërt, çdo abuzim me të, çdo tentativë për t’a përdorur vend e pa vend si ushqim për militantët fanatikë, do ta zhvlerësonte atë.

Në këtë kuptim të gjithë ata që bien qoftë edhe pa vetëdije në këtë lojë, bëjnë gabimin e atij që na bën të rendim pas gjurmëve, ndërkohë që të gjithë duhet të shohim ujkun./ Lapsi.al

Please follow and like us: