Albspirit

Media/News/Publishing

T’i “heqësh zërin” Thomait, Vjollcës apo Sandrit…

Bledi Lumani

Të mërkurën në Itali ka ndodhur diçka e paprecedentë.

Televizioni publik RAI, ka transmetuar ndeshjen Juventus-Torino pa koment.

Vendimi u mor nga gazetarët e këtij televizioni, të cilët e kishin paralajmëruar që një ditë më parë atë.

Këta të fundit e morën këtë vendim, në shenjë proteste ndaj drejtuesve të televizionit.

Dhe protesta e tyre, nuk ka të bëjë, siç do të mendonte gjithkush në Shqipëri, me pakënaqësinë e tyre për pagat, oraret e zgjatura apo kushtet e këqija në punë. Jo!

Gazetarët e RAI-t kanë protestuar pse ky television nuk ka blerë të drejtën për të transmetuar Kampionatin Botëror të Rusisë.

Ata thonë se kjo dëmton rëndë audiencën e RAI-t.

RAI e mori këtë vendim për shkak se Italia nuk u kualifikua në Botëror dhe kërkon që me paratë e kursyera, të blejë të drejtën për të transmetuar ndeshjet e Champions League të ekipeve italiane.

Është pak a shumë situata e ndodhur me RTSH-në kur vendosi të mos e transmetonte Europianin e 2016-s, edhe pse në të merrte për herë të parë Shqipëria.

Imagjinoni tani të ngriheshin gazetarët e RTSH-së dhe të protestonin kundër drejtuesve të këtij televizioni!

Do kishin përfunduar të gjithë në rrugë.

Ose të ngrihen gazetarët e televizioneve e gazetave kryesore në vend, dhe të protestojnë për produktet mediatike. Është e pamendueshme!

Këtu gazetarët nuk ngrihen dot të protestojnë se iu vonojnë me muaj të tëra pagën, se nuk kanë kontrata pune dhe se paguhen shumë keq.

Sipas një raporti të Unionit të Gazetarëve, 75% e mediave ua vonojnë rregullisht rrogën punonjësve të tyre.

Ka televizione që ua vonojnë me muaj të tërë.

“Nga 25 gazeta të përditshme, në 20 prej tyre ripërsëriten vonesat e pagave mujore dhe në shumicën e tyre ka vonesa pagash që tejkalojnë dy muaj.

Ndërkohë që nga 18 televizione, në 17 prej tyre vonesat e pagave për stafet dhe gazetarët në veçanti vonojnë përsëritshëm nga dy e tre muaj.

Ndërkohë që në të gjitha mediat e vendit kontratat(ata pak që kanë) nuk ripërsëriten dhe në rastet e rralla, janë disfavorizuese për gazetarët”, thuhet në këtë raport.

Dhe askush nuk e çon ndërmend që të protestojë apo të bllokojë punën e televizioneve dhe gazetave, sepse i heqin nga puna dhe i zëvendësojnë direkt me studentë e praktikantë gazetarie(për shumë media në Shqipëri sot nuk ka shumë rëndësi produkti dhe cilësia, pasi ato ekzistojnë vetëm si mjet shantazhi ndaj pushtetit apo bizneseve, ndaj dhe nuk e kanë problem të zëvendësojnë gazetarët me student dhe praktikantë).

Kjo gjë ndodh, pasi në gazetari (ashtu si në të gjitha fushat e tjera në Shqipëri), nuk ekzistojnë sindikatat që të mbrojnë punonjësit dhe ti nuk e ngre dot zërin për të kërkuar të drejtat e tua bazike (të protestosh për arsyet si ato të atyre “budallenjve” të RAI-t, që gëzojnë gjithë të mirat, është pastaj një luks që nuk e ka askush në mediat shqiptare).

Ka vetëm tre-katër shoqata gazetarësh që përdoren politikisht dhe nxjerrin ndonjë deklaratë kur rrihet ndonjë gazetar apo hiqet nga puna, por vetëm kaq.

Për këtë arsye, sot për fat të keq, në Shqipëri nuk ka më gazetarë, por vetëm pronarë mediash.

Që hanë të gjithë ose në “kazanin” e Ramës, ose në atë të Bashës!

Please follow and like us: